1 Qershori Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe Festa e Abetares (FOTO + VIDEO)

Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe këtë vit  u organizua 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve dhe Festa e Abetares.  Një festë për fëmijët ku në ndryshim nga viti i kaluar që u mbajt në qendër të Tuzit,  këtë vit për shkak të motit të keq Organizata Joqeveritare “Koha Jonë” ishte e detyruar ta mbante në ambientet e QIK “Malësia”.

FOTOGRAFITË

Shtëpia e Kulturës “Malësia” ishte e dekoruar shumë bukur dhe e mbushur përplot me fëmijë të cilët me padurim prisnin fillimin e manifestimit, por atëherë kur pritej të fillonte programi, pra në ora 17:00 u ndërpre energjia elektrike, por për fat të mirë brenda disa minutash u rikthye përsëri.

Programi fillojë siç ishte planifikuar,  ku fëmijët e udhëhiqnin programin dhe ishin po ata të cilët e bënin programin me pikat e përgatitura nga vet ata. Kishte pika të ndryshme të përgatitura nga nxënës nga të gjitha Shkollat e Malësisë me recitime, këngë, kërcime moderne, valle të bukura tradicionale e shumë të tjera. Me të vërtet ishte një ditë shumë e bukur ku “fëmijët mbretëronin”.

Linda Dushaj, Drejtoresha Ekzekutive e OJQ “Koha Jonë”, tha se tashmë festa e 1 Qershorit është bërë tradicionale.

“Përgatitjet tona për këtë aktivitet kanë filluar disa javë më parë. Kishim planifikuar që edhe këtë vit ashtu si vitin e kaluar ta bënim këtë aktivitet në qendër të Tuzit, edhe përkundrejt dëshirës tonë të madhe, nuk na lejojë koha, për këtë arsye edhe programi është reduktuar dhe të ftuarit tonë nga Prishtina, Shkodra dhe Ulqini kishin mirëkuptim ndaj nesh, por urojmë që vitin e ardhshëm ti kemi të gjithë prezent dhe aktivitetin e ardhshëm të jenë edhe ata pjesë e kësaj feste. Sot ishte një program shumë i bukur, fëmijët ishin të lirë, të lumtur, plotë gëzim, ata bënin çdo gjë, ne vetëm  ishim aty për ti ndihmuar në rast nevoje. Puna me fëmijë të jep një kënaqësi të madhe, dhe besojë se jemi e vetmja organizatë në Malësi e cila përveç tjerash në programin e vetë u kushton vëmendje mjaft të madhe fëmijëve. Ne  po japim një shembull që sot edhe me pak mjete financiare mund të bësh diçka të bukur dhe madhështore. Projektet tona janë projekte që nuk kushtojnë shumë, por janë të bukura. Ata që meritojnë falënderimin më të madh janë Shoqata Ded Gjo’ Luli nga New York-u, Shoqata atdhetare Malësia e Madhe nga Detroiti, dhe Fondi Humanitare Malësia nga New Yorku, të cilët me aq mundësi financiare që patën na ndihmuan që ta realizojmë këtë program. Gjithashtu dua të falënderojë edhe Shkollën speciale Komanski Most që ishin edhe mysafirët tonë dhe që e bënë më të bukur dhe më madhështore këtë festë, po ashtu edhe QIK “Malësia”, mësimdhënësit e Shkollave Fillore në Malësi, Malesia.org , Televizionin Boin, Radion e Mali të Zi redaksia Shqip, mediet tjera në Mal të Zi dhe të gjithë ata që në një mënyrë apo në një tjetër dhanë një ndihmë për realizimin e këtij projekti. Në këtë 6 mujorin e parë të këtij viti kemi bërë 4 aktivitete. Ne po vazhdojmë punën tonë dhe shumë shpejt do të kemi aktivitetin e radhës” u shpreh Dushaj. /MALESIA.ORG/