Fanellat e ri nga Shoqata “Dedë Gjo’ Luli” nga New York-u
Futbollistët e vegjël të klubit futbollistik “Malësia”, tashmë janë gati për udhëtim në Shtutgard të Gjermanisë. Ata i kanë kryer të gjitha përgatitjet dhe janë të gatshëm të marrin pjesë në turnamentin evropian të futbollit, për të vegjlit, i cili do të zhvillohet javën e ardhshme. Atje do të garojnë në mesin e klubeve më të forta evropiane.
Në mes tjerash, futbollistët e vegjël, sot fituan pajisjet, fanellat e reja, një donacion i ardhur nga diaspora, saktësisht nga Shoqata “Dedë Gjo’ Luli” me seli në New York.
Në lidhje me këtë, David Camaj, trajner i KF “Malësia”, shprehët:
“Në emrin tim personal dhe në emër të “KF Malësia” dua të falënderoj kryesinë e “Shoqatës Dedë Gjo’ Luli” nga New York-u, të gjithë anëtarët dhe donatorët e kësaj shoqate bamirësie të diasporës sonë të mrekullueshme, e cila edhe pse nga larg, janë gjithmonë shumë afër Malësisë, vendlindjes sonë të përbashkët. Ata më së miri e dëshmojnë duke qenë gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë kurdo dhe kudo është e nevojshme.
Përkrahja juaj morale dhe materiale, klubit futbollistik Malësia i jep motivacion dhe vullnet për të vazhduar punën. Futbollistëve të vegjël të Malësisë i keni dhuruar një buzëqeshje të pa përshkruar kur ata i morën fanellat e reja me të cilat do të zhvillojnë ndeshjet, gjithmonë duke përfaqësuar Malësinë. Për ata fëmijë ishte një ditë, një dhuratë, një gëzim i madh, duke u pyetur se kush janë ata të cilët menduan për ta, kush janë ata që po i përkrahin e që nuk i njoftuan ende!
Nga sot këta fëmijë dinë më shumë se kush është diaspora”.
Vogëlushëve dhe stafit përcjellës, iu urojmë rrugë të mbarë, suksese dhe të kthehen të gjithë shëndosh e mirë. /MALESIA.ORG/