Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi – Letër dërguar kryeministrave shqiptarë

Letër e  hapur dy kryeministrave tonë,  Salos  e Thaçit 

Të nderuarit  kryeministra,  shoqata  jonë këtë  letër do ua nis edhe në adresat Tuaja, por po e nisim edhe në media. Po veprojmë kështu sepse po ua dërguam vetëm në adresat tuaja po shohim se jeni shumë të zënë, njëri me fushatën e tjetri me bisedat dhe nuk besojmë se keni kohë as edhe pesë minuta të qëndroni te kompjuteri e ta lexoni letrën tonë. Kështu kur ajo të botohet  në media besojmë njerëzit nga kabinetet Tuaja do ju informojnë se dikush ua ka dërguar një letër me plot halle.

I nderuari kryeministër  Sali Berisha, Ju kuptojmë se jeni shumë i zënë e besa edhe i molisur nga gjithë këto takime me popullin kudo në Shqipëri. Urojmë që fushata të kalojë qetë e bukur dhe le të fitojë dëshira e shumicës së popullit  shqiptar. I nderuari kryeministër  Ju jeni yni dhe prandaj edhe po ju drejtohemi me këtë letër plot alarm për gjendjen e mjerë të shqiptarëve në Mal të Zi.  Kryeministër mos na beso neve nëse do, por dërgoje një delegacion zyrtar atje dhe le të bisedojë, jo si herëve tjera vetëm me pushtetarët në Podgoricë e me ca shqiptarë që për kolltukë janë bërë papagaj të shtetit e në dëm të popullit të tyre, po le të bisedojnë me njerëzit e thjeshtë e që kanë plot halle. Atyre  vazhdojnë t’u  shkelen të gjitha  të drejtat. Atyre Mali i Zi po ua servon heshtazi  dy mundësi të kobshme. Ata s’kanë çfarë të zgjedhin tjetër veç asimilimit apo  largimit nga trojet e tyre stërgjyshore. Po të shkonte një delegacion shqiptar mes këtyre malësorëve e të bisedonte me ta do të kuptonte se nuk ka e drejtë e garantuar me  Kushtetutën malazeze e me Konventat ndërkombëtare që nuk u mohohet e shkelet nga Podgorica. Shqiptarët atje e kanë të sigurt vetëm arrestimin, burgosjen apo heshtjen e asimilimin e ikjen nga trojet stërgjyshore. Të lusim publikisht kryeministër bëje këtë se edhe Kushtetuta shqiptare lejon dhe kërkon një gjet ë tillë. Interesohuni për hallet e këtyre njerëzve , që ndjehen  të harruar.

I nderuar kryeministër Thaçi , U vu në parlament një Rezolutë për Kosovën Lindore dhe kjo ishte veprim fort i mirë dhe na gazoi neve dhe gjithë vëllezërit tonë atje. Por, nuk di pse nuk u tha gjë për hallet dhe problemet e shumta të  shqiptarëve në Mal të Zi. Ne e kuptojmë përpjekjen e institucioneve të Kosovës për marrëdhënie të  mira me Malin e Zi, por  për këtë duhet vullneti i sinqertë edhe i Podgoricës. Ky vullnet maskohet dhe nuk ka ekzistuar as edhe  një herë. Mali i Zi  kërkon shumë për malazezët në Kosovë, që dikur vetë kanë mohuar përkatësinë, kurse u mohon çdo të drejtë shqiptarëve atje. Ua mohon liritë e të drejtat atyre që  i kanë dhënë votën për t’u bërë shtet  i pavarur. E keni të lehtë Kryeministër. Kërkoni nga Podgorica të respektojnë Kushtetutën e tij dhe Konventat ndërkombëtare për liritë e të Drejtat e Njeriut. Kërkoni që të mos lakmojë e të mos vjedh tokat tonë. Kërkoni që të mos ua bjer shpirtin ën fyt malësorëve.

Të nderuarit  kryeministra, urojmë që këto lutje tonat të arrijnë disi deri të Ju dhe të veproni arsyeshëm. Përgjigje nuk po presim se e dimë se nuk ia keni ngenë.

Rrahman Jasharaj,  zëdhënës  dhe koordinator  për trojet etnike  i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”