Tuz – Malësi (10.06.2013)- Në seancën e sotme parlamentare, Këshilli ligjdhënës i Kuvendit të Malit të Zi, do të shqyrtojnë propozim-vendimin për ndryshimin e Ligjit për organizimin territorial të Malit të Zi, me të cilin parashihet dhënia e statusit të komunës Malësisë, me qendër në Tuz.
Ky propozim është dhënë nga deputeti i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu, i cili pret që të votohet pozitivisht nga deputetët, ashtu siç bënë në rastin e Petnicës, shkruan CDM.
“Presim përgjigjen e qeverisë në këtë propozim dhe duam që procedura e fitimit të Komunës së Malësisë të përshpejtohet”, tha Nimanbegu për angjensionin MINA.
Ai shprehu se pret përkrahje të deputetëve në këtë propozim duke shtuar se, në krahasim me Petnicën, Malësia ka kapacitete më të mira ekonomike, të vetë pozitës dhe infrastrukturës, prandaj nuk sheh arsye që statusi i komunës të zvarritet më gjatë. /MALESIA.ORG/