Shqipëri: Rezultatet paraprake, e majta në avantazh të thellë

Deri në orën 14.00 janë numëruar mbi 20 përqind e kutive. Koalicioni i opozitës kryeson në 10 nga 12 qarqe të vendit. E djathta përpara vetëm në Kukës

Në Shqipëri, ndërsa janë numëruar mbi 25 përqind e kutive të votimit, rezultatet paraprake, flasin për një fitore të thellë të koalicionit të majtë të drejtuar nga Edi Rama.
Në nivel kombëtar e majta llogaritet të jetë afër 16 pikë më shumë se koalicioni i djathtë i udhëhequr nga kryeministri Sali Berisha.
Opozita, sipas rezultateve deri në orën 14.00 është në epërsi në 10 qarqe të vendit, me përjashtim të Kukësit.  Ndërsa në qarkun e Dibrës, rezultatet e deritanishme flasin për një ndarje të barabartë të 6 mandateve të këtij qarku. Ajo që bie në sy, deri më tani, është fakti se e majta ndodhet në avantazh edhe në qarqe si Shkodra e Lezha, të konsideruara historikisht si bastione të së djathtës. Të përkthyera në mandate, shifrat e deritanishme, do t’i jepnin opozitës mbi 80 nga 140 vende në parlament.Procesi i numërimit po ecën më ngadalësi. Ai nisi pak pas mesnatës por gjatë gjithë kohës, pothuajse në të gjithë qarqet e vendit është shoqëruar me ndërprerje të shpeshta.Kryetari i partisë socialiste Edi Rama, në një deklaratë të parë për ditën e sotme, u shpreh se “fitorja është edhe më e thellë se c’duket”. Ai bëri thirrje që cdo votë, pavarësisht se cilës parti i përket, të respektohet, ndërsa kërkoi nga kryeministri Sali Berisha që palët të bashkëpunojnë për të mbyllur me sukses të gjithë procesin. “Pavarësisht se në këto zgjedhje ka fituar PS, Aleanca për Shqipërinë europiane, dhe ka humbur PD dhe aleanca e saj, është detyrim i barabartë si i yni dhe i tyre të nxjerrin Shqipërinë të fituar nga ky proces e bota të na përgëzojë duke cuar procesin deri në fund më dinjitet dhe duke u ndarë një herë e gjithmonë nga zgjedhjet turperuese”, deklaroi zoti Rama.
Më herët, edhe kryesuesi i delegacionit të parlamentit europian Eduard Kukan u shpreh se “përmbyllja me sukses e këtyre zgjedhjeve do të ishte një shtysë shumë e madhe në përparimin e Shqipërisë drejt integrimit europian” /VOA/