Dinoshë – Malësi (25.06.2013) – Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, i shoqëruar me një grup profesorësh nga Universiteti i Prishtinës, vizituan dje Shkollën Fillore “29 Nëntori” në Dinoshë, me ç’rast kësaj shkollë i dhuruan libra të autorëve shqiptarë dhe të huaj.
Aksioni është iniciuar nga bibliotekisti i shkollës në Dinoshë, Xhemal Nikaj, në bashkëpunim me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Sali Bashoten, dhe me bashkorganizimin e profesorëve të Universitetit të Prishtinës, Anton Kolë Berishaj dhe Basri Çapriqi.
Biblioteka e kësaj shkolle u shtua me mbi 800 libra, me një vlerë rreth 5 mijë euro.
Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, Aishe Gjokaj, këta libra, që janë kryesisht lektura shkollore, do të ndihmojnë nxënësit dhe shkollën në përgjithësi me ripertrirje të bibliotekës me tituj të rinj, raporton TV Boin.
Profesor Anton Berishaj, i cili është një ndër bashkorganizatorët e kësaj nisme, u shpreh shumë i kënaqur që nëpër mjet të kësaj forme e ndihmojnë shkollën dhe fëmijët malësorë.
Drejtori i bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Sali Bashota, theksoi se ky donacion është një projekt i rëndësishëm në pasurimin e bibliotekës së kësaj shkolle. Ai tha se nisma të tilla do të vazhdohen edhe për shkollat tjera shqipe në Mal të Zi, në mënyrë që nxënësit
shqiptarë të këtyre trojeve ti zgjerojnë horizontet e tyre dhe të avancojnë potencialin e diturisë.
Bibliotekisti i shkollës “29 Nëntori”, Xhemal Nikaj, aksionin e vlerësoi si një gjest shumë të qëlluar duke theksuar se aksioni përbën rëndësi të dyfishtë, pasi, siç tha ai, Kosova nëpër formave të tilla, ka filluar tu kushtoj kujdes shqiptarëve në Malësi dhe në përgjithësi në Mal të Zi. Nikaj sqaroi se qëllimi i këtij aksioni, është zgjerimi i bibliotekës së shkollës me tituj të rinj, raporton TV Boin.
“Të dhurosh një libër, do të thotë, të dhurosh dituri. Aksionet e tilla janë më së të mirëseardhura në çdo vend ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi, sepse shqiptarëve në Malësi dhe në përgjithësi në Mal të Zi, u mungojnë shumë libra e sidomos librat e rinj, ku mungesa e këtyre të fundit vihet re në shumë biblioteka, si të qytetit, ashtu dhe në bibliotekat shkollore. Dashtë zoti që aksionet e tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, në mënyrë që ta pasurojmë kulturën dhe gjuhën tonë të bukur, gjuhën shqipe, dhe kështu ta ruajmë identitetin tonë kombëtar shqiptarë”, tha Nikaj. /MALESIA.ORG/