Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit “është i qartë për çdo njeri dhe i pranuar nga unë dhe Partia Demokratike”.
Me pak kuti të panumëruara, shifrat kanë nxjerrë fitues koalicionin socialist, të udhëhequr nga Edi Rama.
“I humbëm zgjedhjet. Për këtë humbje përgjegjësia bie vetëm mbi një njeri, vetëm mbi mua – Sali Berishën”, ka thënë kryeministri shqiptar, duke njoftuar se jep dorëheqje nga të gjitha funksionet në Partinë Demokratike.
Berisha i ka bërë komentet gjatë fjalimit të parë, pas zgjedhjeve të së dielës. Para selisë së Partisë Demokratike, nga ku edhe i është drejtuar publikut, janë mbledhur dhjetëra simpatizues të tij dhe PD-së.
Berisha ka shprehur “mirënjohje të pakufishme” ndaj “qindra-mijëra qytetarëve shqiptarë” për mbështetjen që i kanë ofruar Partisë Demokratike.
Berisha ka uruar Edi Ramën, duke thënë se uron kundërshtarin të bëjë një punë të mirë. /REL/ /MALESIA.ORG/