Antishqiptari Bollano, deputet në Kuvendin e ri të Shqipërisë

Vasil Bollano ish-kreu i bashkisë së Himarës dhe aktualisht kryetari i shoqatës OMONIA, pritet të jetë deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Një hapësirë e tillë për Bollanon në Kuvend krijohet për shkak se marrëveshja bashkëqeverisëse përfshin dhe ndarjen e mandatit të deputetit me atë të ministrit. Për këtë shkak, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, do ta lë mandatin e deputetit, duke hapur vendin për Bollanon i cili në listën shumemërore rajonale të qarkut të Vlorës gjendet i dyti pas kreut të PBDNJ-së.

PBDNJ njihet si partia greke në Shqipëri, ne krye me Vangjel Dule, por dhe minoriteteve tjera si atij serbo-malazez, ku kandidat për deputet në Qarkun e Shkodrës kishte Eugen Bajovic.

Burimet brenda mazhorancës së majtë thonë për gazetën Shqiptarja se në marrëveshjen tip mes partive politike të firmosura nga të gjitha subjektet, e majta është përcaktuar qartë se nëse një parti merr një mandat deputeti atëherë ajo është pjesë e qeverisjes me një post ministri. Në këtë rast PBDNJ nuk ka një mandat deputeti, por dy: një të marrë nga gara më 23 qershor në listën e partisë në qarkun e Vlorës nga vetë kreu i saj Vangjel Dule, dhe një mandat të marrë nga listat e qarkut të Vlorës – por e PS-së – nga Adrea Marto.

Në këtë mënyrë, burimet thonë se Dule pritet të marrë postin e Ministrit të Punës dhe Emigracionit, një ministri që gjithnjë ka qenë në dorën e përfaqësuesve të minoritetit. Pas kësaj lirohet vendi për Bollanon që hyn në Kuvend në vend të Dules.

Kryetari aktual i organizatës OMONIA, njëherësh ish-kreu i bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, është i njohur për profilin e tij pro-grek dhe antishqiptar. Sa ishte në krye të bashkisë së Himarës, jo vetëm që deklaroi se Himara është greke dhe zemra e Vorio-Epirit, por e gjithë faqja e internetit e kësaj bashkie ishte e shkruar greqisht, ndërsa emrat e banorëve të bashkisë kishin nga një “s” pas, duke i cilësuar grekë. Madje, ai arriti deri atje sa të deklaronte se heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte grek e quhet Jorgjis Kastriotis.

Ai ka shkaktuar gjithnjë probleme, teksa ka deklaruar se Himara është greke dhe duhet të bashkohet me Greqinë, Himara është si Kosova duhet të shpallet e pavarur.

Bollano nuk është vetëm kryetar i OMONIA-s. Ai mban disa poste në organizatat ndërkombëtare greke që punojnë dhe luftojnë për Autonominë e Vorio Epirit. Më 13 dhjetor 2009 është zgjedhur anëtarë i Bordit drejtues të Federatës Mbarë Epiriotase të Evropës, dhe është shefi për “Vorio Epirin”. Zyrat e kontaktit të shefit Bollano për “Vorio Epirit” janë në Sarandë.

Disa nga deklaratat antishqiptare të tij janë.

“Pavarësia e Vorio Epirit nuk është aspak më shumë se ajo që duan shqiptarët për Kosovën. Kjo është në të mirë të Ballkanit dhe të pakicave greke në Shqipëri”.

“Ju mirëpresim në Bashkinë e Himarës. Ju mirëpresim këtu, ku ngjyra jeshile e ullishteve të pafund bashkohet në harmoni të plotë me ngjyrën blu transparente të detit Jon dhe qiellin e kaltër. Këtu ku mikpritja dhe krenaria është e njohur për banorët vendas tre mijë vjet më parë, siç kanë shkruar shumë historianë të vjetër si Homeri, Plini, Straboni, Thuqidhidhi. Vendin që kanë vizituar shumë studiues të huaj nga kureshtja që u ka ngjallur si Bajroni, Liku, Celebi etj. Bashkia e Himarës ka 11.037 banorë, një popullsi kompakte ku mbi 85% e saj ka si gjuhë amtare greqishten”.

“Me 1403 mbreti i Napolit, Karli, zbarkon në brigjet e Himarës dhe shtyn shqipfolësit në drejtim të veriut. Disa vite më vonë, himarjotët, të udhëhequr nga Jorgji Stresi, mik personal i Jorgji Kastriotit, përpiqen të ndalojnë zaptimin e Epirit nga Otomanët”.

“Kjo që po bëjmë sot është një detyrim ndaj atdheut, ndaj Vorio-Epirit. Ne jemi krenarë për ju, sepse jeni ambasadoret e atdheut këtu në Amerikë jeni njerëzit që me fuqinë tuaj, me zërin tuaj, me djersën tuaj po përpiqeni të ecni përpara. Ne jemi njerëzit që do mundohemi të gjithë së bashku të mbështesim progresin e vendit dhe të atdheut”. /Telegrafi/ – /MALESIA.ORG/

Bollano, 6 muaj burg për tabelat në greqisht (dhejtor 2010)

Gjashtë muaj burg, një gjobë prej 500 mijë lekësh të reja dhe heqjen e së drejtës për ushtrimin e funksioneve publike për tre vjet. Ky ka qenë vendimi i dhënë rreth një vitë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Vlorës në ngarkim të kryetarit të bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Ai u shpall fajtor me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi urdhëroi në mënyrë të kundraligjshme heqjen e tabelave orientuese në gjuhën shqipe përgjatë aksit rrugor Qeparo-Qafë Llogara duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik prej 21 milion lekësh. Tabelat në gjuhën shqipe u zëvendësuan me të tjera në gjuhën greke me pretendimin se zona i përket minoritetit etnik grek. Nga ana e tij, kryebashkiaku i Himarës, Vasil Bollano e apeloi vendimin e Gjykatës së Vlorës.