“Greek Reporter”: 6 deputetë grekë, në Parlamentin shqiptar

Dhe ja ku janë sot fituesit e Ramës dhe Metës: “Të ecim më shpejt për një Rilindje Greke”, ishte reagimi i Aleancës Kuq e Zi në faqen e tyre në FB. 

Minoriteti grek pritet të përfaqësohet në parlamentin e ri të Shqipërisë nga kreu i Partisë BDNJ, Vangjel Dule, por mediat greke thonë se janë 6 deputetë me origjinë greke, që do të jenë pjesë e parlamentit të ri në Shqipëri.

Sipas “Greek Reporter”, ata iu përkasin partive të ndryshme politike, që bashkëpunojnë si partnerë në kuadër të qeverisë së re shqiptare.

“Deputetët me origjinë greke janë: Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ, që është zgjedhur në zonën e Vlorës, Vangjel Tavo, ish-nënkryetar i Kuvendit dhe ish-ministër i Shëndetësisë, që është zgjedhur në Gjirokastër për LSI-në.

Andrea Marto, kryetar i organizatës së minoritetit grek në Shqipëri, OMONIA, edhe pse është zgjedhur për PS në Vlorë, e ka lënë të hapur mundësinë për të hyrë në PBDNJ.

Anastas Angjeli, ish-ministri i Financave, është zgjedhur në Gjirokastër për Partinë Socialiste, juristja Vasilika Hysi është zgjedhur në Tiranë për Partinë Socialiste dhe aktorja e njohur, Luiza Xhuvani është zgjedhur për Partinë Socialiste në qarkun e Vlorës”, thuhet në shkrim. /BW/