OJQ “LABEATËT“ zbulojnë bukuri të shumta të Malësisë, për të cilat ndoshta nuk dinim (Foto+Video)

EKSPEDITA : LUQ TË KORITËS – RADEQ I MADH – KOSHTICË E KOJËS – QAFË E KOSHTICËS – AKULL I LEDINËS – PËRRETH KRISITORIT – KOSHTICË E TRIESHIT – RADEQ I VOGËL – RADEQ I MADH – LUQ TË KORITËS ME DISTANCË 27.3 KM.

Duke iu përmbajtur planit OJQ “ LABEATËT “ më 13.07.2013 ndërmori ekspeditën njëditore me relacion: Luq të Koritës – Radeq i Madh – Koshticë e Kojës – Qafë e Vogël e Koshticës – Akull i Ledinës , rreth e për qark Krisitorit – Koshticë e Trieshit – Radeq i Vogël – Radeq i Madh – Luq të Koritës. Kjo rutë është e gjatë 27.3 km. Udhëtimi me intensitet mesatarë ka zgjatur nga ora 08.40 e mëngjesit deri në ora 20.10 e mbrëmjes.
Në ekspeditë muarën pjesë: Luigj Camaj, Mark Junçaj, Anton Pllumaj, Bernard Hasanaj, Gjergj Juncaj, Nosh, Shtjefën, Kristjan dhe Lindon Lucaj, Amina dhe Emin Nikaj, Nrekë ( maratonist ) dhe Agron Lulgjuraj, Robert Vulaj, Mark Kalaj, Toni Dukaj, Albert Camaj nga stafi i Portalit Malësia .ORG, dhe maratonisti Irfan Domnori nga Shkodra. Ekspeditës i prin Nosh Lucaj, njohës i gjeografisë kombëtare të këtyre anëve.
Rruga çon nga Luqt e Koritës drejt veriut, në të majtë të Gropës së Zezë, nëpër Shkallë të Kunës, Shkallë të Bardhë drejt Gropës së Radeqit dhe Radeqit të Madh, burimit karstik që gjendet në lartësinë 1505 ( në disa harta hasen të dhënat: 1540 m. ) metra mbi nivelin e detit. Distanca Luqt e Koritës – Radeq i Madh është 4.15 km e gjatë. Distanca Radeqi i Madh – Koshticë e Kojës është e gjatë 3.73 km ( gjithsei nga Luqt e Koritës deri në Koshticë të Kojës rreth 7880 metra, me drejtim të lëvizjet jug – veri ).
Përmbajtja gjeografike e Koshticës duket si në vazhdim: Lugu i Turqet, Qafa e Ashtit, Lugu i Tabakve, Kuji i Lugu Tabakve. Kah veriperëndimi i t’banave të Kojës gjenden Maja e Prehtë, Maja e Velenicës, në vazhdim gjendet Kodra e Strins, e kah veriu Vzhgjënishta apo Kurorat. Përmbi t’banishta gjendet Mali Samotori. Në vazhdim kah veriu shtrihet Qafa e Zallit e përmbi të Smojanat, kreshta të zhveshura shkëmbore. Në vazhdim kah veriu shtrihet Qafa e Madhe e Koshticës e cila e ndanë Koshticën nga zona e liqenit të Rikaveci. Rrethi i madh, Qafa e Vogël e Koshticës ( 1852 m e lartë ) e cila shtrihet mes Koshticës dhe Akullit të Ledinës. Një vend me t’bana quhet edhe Roqajt. Një pamje shkallëzuese quhet Podet, me një pamje natyrore vërtetë pot – pot apo shkallë – shkallë.
Mes Roqajve dhe Smojanë shtrihet Qafa e Glladishs. Përmbi t’bana , drejt lindjes shtrihet shpella e Madhe, ku gjenden edhe shpella të tjera të vogla që bjeshkatarët i quajnë edhe “shpella bore” pasi që në to ka bore përherë, nga të cilat gjatë periudhave të thatësisë bjeshkatarët furnizoheshin me ujë nga shkrirja e trupave të bores të cilët i nxirrnin më vështirësi nga to. Koshtica është një rrafshlartë e valëzuar e vrimosur me numër të madh të humnerave nëpër të cilat humben ujërat e të reshurave atmosferike dhe uji nga bora e shkrirë. Në aspektin gjeologjik Koshtica si dhe i tërë territori malori i Malësisë ndërtohet nga strukturat e gëlqerorëve. Këta shkëmbinj i nënshtrohen erozionit kimik – karstik, nga veprimi i të cilit zhvillohet shpërbërja kimike e cila krijon forma relievore erozive karstike sipërfaqësore dhe nëntokësorë. Në krejt trevën e Malësisë ashtu edhe në zonën e Koshticës dominojnë format e shumta sipërfaqësore dhe nëntokësore karstike, siç janë skribat, shkrepishtet, vorbullat, lugjet, luginat, humnerat dhe shpellat e shumta. Dolët dhe shumë të tjera janë vorbulla karstike në fundin e të cilave gjenden humnerat në të cilat humben ujërat atmosferike. Për shkak të lartësisë së madhe mbi nivelin e detit të reshurat atmosferike gjatë dimrit më së tepërmi bie në formë bore e cila di të jetë edhe disa metra trashësi, madje edhe t’banat plotësisht i mbulon Bora është e qëndrueshme edhe tërë korrikun nëpër “osojna” apo vende në të cilat Dielli nuk bie, ose këndi i rënies së rrezeve të Diellit është i vogël. Nga fotot e shumta mund të shihet prania e borsë në këto zona. Nëpër shpatet, luginat dhe kreshtat malore shihet qartë veprimi i akullnajave të dikurshme të cilat kanë lënë gjurmë në çdo hap. Vetë lugjet dhe luginat anë e kënd Koshticës dhe viseve tjera janë forma erozive akullnajore ( glaciale ) numri i të cilave nuk është i vogël. Me erozionin mekanik akullnajat në të kaluarën kanë krijuar sasi të madhe të materialit të quajtur “ morenë “ i cili është grumbulluar në pjesët e ulëta, në vendin ku akullnajat kane përfunduar rrugën e vet ( materiali morenë krijon forma akumuluese akullnajore ) zakonisht në fundin e luginave të akullit dhe rrënxat e maleve. Gjithkund rreth e përqark t’banave të Kojës gjenden depozitime konike të materialit të shpërbërë nga kreshtat malore.
Në vazhdim takuam tetëdhjetë vjeçarin Nosh Prëkën Kolçaj që është[ë anëtari më i vjetër i OJQ “LABEATËT”, i cili na pat pri në ekspeditën e Kojës më 17.02.2013. drejt Shpellës së Zezë. Nuk mundëm të kalojmë pa hyrë në ‘banin e tij ku gjetëm edhe të shoqen e tij Katrinën, të binë Hanën dhe dy djemtë e tij Sokolin dhe Martinin. Na priti me të gjitha të mirat e bjeshkës por edhe të qytetit, nuk munguan pitja me djathë dhënësh, tambli i dhënëve, kosi, djathi, maza, por as rakia e rrushit, birra dhe shumë lloje të lëngjeve. Gjithçka ishte me buellëk, sikur Noshi ta kishte shitoren para t’banit të vet. Kështu e ka malësori tryezën e pasur, pa marrë para sysh a gjendet larg apo afër qytetit, a gjendet në bjeshkë apo vrri. Kudo që shkel kama e malësorit nuk mungojnë burrnia, mikpritja, fisnikëria dhe të gjitha ato atribute që e karakterizonin dhe e karakterizojnë edhe sot malësorin.
Mbas gjysmë ore pushimi në t’banat e Koshticës së Kojës, të udhëhequr nga Sokoli u nisëm drejt Shpellave të Borës që gjenden kah lindja e t’banave. Sokoli na shoqëroi deri në Qafën e Vogël të Koshticës, e cila është larg nga t’banat e Koshticës rreth 5520 metra ( nga Luqt e Koritës e deri në Qafën e Vogël të Koshticë distance është përafërsisht 13.500 metra ). Në Qafë të Vogël bëmë një pushim gjysmë ore dhe u freskuam me borën e cila ende nuk ishte shkrirë.
Bierzat ( shpesh quhen Biezhzat ), Berovet ( t’banishtë ), rrethi i Berovs ( kreshta malore mbi t’banishtën e Berovs ), Kodra e Ratjehit, përsëri Lugu i Turqet. Nga e djathta e Qafës së vogël të Koshticës gjendet Krisitori ( 2024 m. të lartësisë mbi nivelin e detit ). Në të djathtë dhe të majtë të rrugës që kaluam gjenden edhe vendet: Gropa e Bierzë, Qafa e Buxës, Lugu i Buxës, Kodra e Buxës
Mbas pushimit në Qafën e Vogël, vazhduam drejt Akullit të Ledinës. Nga Qafa para nesh drejt lindjes paraqitet rrafshi i valëzuar i quajtur Akulli i Ledinës. Peizazh i egër i ndërtuar nga materiali i krijuar me shpërbërjen fizike të shkëmbinjve, nëpër rranxat e masivit të Krisitorit i cili gjendet në anën jugore të Akullit të Ledinës “ rriellin „ depozitimet konike të blloqeve të gurëve dhe materialit të bartur dikur nga akullnajat e sot nga bora e cila ende nuk është shkrirë trashësia e së cilës vende vende kalon edhe disa metra. Shpatet veriore të Krisitorit janë të pjerrtë e shkëmborë, në të cilat nuk bijnë as rrezet e Diellit. Akulli i Ledinës nuk disponon me pyje, madje as kullota bjeshkore nuk ka. Në Akullin e Ledinës aktualisht ishin tre t’bana të banuar. Qafën e Vogël me t’banat e Ledinës i ndan distanca rreth 1600 metra. Bota bimore në Akullin e Ledinës mungon fare, nuk ka pyje, por edhe kullotat malore janë të varfra, ato shtrihen në shpatet lindore të Krisitorit. Masivi i Krisitorit përbëhet nga Krisitori i Vogël që shtrihet në anën veriore të masivit dhe Krisitori Madh, që përbën pjesën lindore të masivit.
Në lindje të Akullit të Ledinës gjenden malet Vila, që është maja më e lartë në Malësi ( 2093 metra të lartësisë absolute ), Shtrungëza ( 2053 m ), e në verilindje të tyre gjendet t’banishta e Studenicës ( 1645 metra të lartrësisë mbidetare ). Vende tjera janë Priuni e Nerthi ndërsa në veri të Akullit gjendet mali Prasica e Ledins. Në vazhdim të rrugës s’onë drejt lindjes nëpër shpatin lindor të Krisitorit shtrihen Gryka e Akullit, Shkalla e Akullit. Në vazhdim shtrihen Sllapi i Sirm, Sllapi i Poshtëm, Shkujka e Sllapit ( shkëmbi i Sllapit ), gropa e S’llapit, Hoberi i Iballës, Bria e Iballës, Kodrat e Iballës, Kolati i Iballës, Kodrat e Shëjit, Potat e Krisitorit, Poti i Sirm, Poti i Poshtëm…..
Në shpatin lindor të Krisitorit në lartësinë rreth 1700 metrash mbi nivelin e detit, në distancën rreth 1100 metra nga t’banat e Akullit të Ledinës gjendet një pikshiqim fantastik drejt kanionit nga mund të shihet „ GRAND CANYON „ i Malësisë së Madhe, Kanioni madhështor i Cemit, nën ambis, në fundin e kanionit të Cemit shifet Selca, si dhe ana e majtë e luginës së kanionit të Cemit. Në vazhdim mbi kanion shtrihen malet kreshnike të Alpeve Shqiptare në shpatet e të cilave ende qëndron bora e pa shkrirë. Pamje mallështore që për momentin na bëjnë ta harrojmë lodhjen, urinë dhe etjen. Nga ky pikshiqim njeriu mbetet pa tekst, sikur jemi më afër perëndisë. Nga 1700 metra të lartësisë mbi nivelin e detit njeriu nën vehte shef çdo gjë sikur në shuplakën e dorës. Për të lëvizur në këto anë duhet patur kujdes dhe shkathtësi të veçantë.
Me kalimin në shpatet jugore të Krisitorit shtrihet Koshtica e Trieshjanëve. Vlen të përmenden disa nga emërtimet të cilat shtrihen nga buzët e kanionit ( në lindje , drejt jugut dhe perëndimit të Krisitorit ): Ashti i Gjolleve, Lugu i Bëkajve, Shtruga e Gjo Markut, Kunora, T’banat e Kunors, qafa e Shllasit, Kodra e Bjellushit, Gropa e Bizhë e në jug të shpatit jugor gjendet Maja e Kujit, e cila e ndan Krisitorin dhe Koshticën e Trieshit nga Greça. Kah lindja, drejt ambisit të Kanionit, në afërsi të Cemit shpërthen gurra e quajtur Peruqica uji i së cilës ka origjinën nga liqeni i Rikavecit.
Rruga çon përmesë T’banave të Kunorës ( 1702 m. të lartrësisë mbidetare ), që gjenden në shpatin jug-perendimor të Krisitorit. Pran gjenden edhe Kodra e Kunors, Brraka, Kodra e Brrakës etj.Toponime tjera në vazhdim janë edhe Gropa e Muzheçkut, t’banishta e Muzheçkut, Qafa e Vorre, Lugu i Vorre, Gropa e Fërliqe, Lugu i Vrrinit, t’banishta e Bëkajve, Gropa e Kodrës së Sjenics, Kodra e Vgjenjve, Brraka e Moçime, Lugu i Lajthis, Qafa e Kunors etj.
Mbas kalimit përmes t’banishtës së Bëkajve, rruga çon drejt Radeqit të Vogël ( burim karstik i rregulluar për shfrytëzimin e ujit për pije dhe për ujitjen e bagëtive ) aty gjenden luq të gdhendur nga trupat e ahave shekullorë ).
Më pas rruga lidhet me rrugën e cila shkon drejt Koshticës së Kojës dhe ashtu përfundoi një gjiro rreth e për qark masivit të Krisitorit. Tani mbetet edhe kalimi i distancës drejt Koritës nga edhe jemi nisur në mëngjes. Rruga vazhdon kah jugu duke arritur tek Luqt e Koritës kah ora 20.10 e darkës. Kështu përfundoi edhe një ekspeditë e susksesëshme e “ LABEATËVE “
Informacionet mbi emërtimet janë marrur drejtpërdrejt në terren nga Nosh Gjergj Lucaj i cili edhe i prin ekspeditës, Nosh Prëkë Kolçaj, Nikollë Lucë Gorvokaj, Gjekë Gjon Gorvokaj dhe Sokol Nosh Kolçaj të cilët i takuam në Koshticë.

Autor: Luigj Camaj

Foto & Video: Albert Camaj

FOTOGRAFITË

Pjesa 1

Pjesa 2