Memorial që përjetëson mbrojtësit e Plavë-Gucisë – Nesër manifestimi

Plavë, 31 korrik – Shqiptarët e Plavë-Gucisë, jo vetëm me banim këtu, por edhe nga Shqipëria e Kosova, si dhe vende të tjera ku kanë emigruar – SHBA e Europë,  kanë përkujtuar të hënën dhe në ditët në vazhdim ngjarje historike me peshë gjithëkombëtare, të ndodhura një shekull më parë dhe në dekadat më vonë.

Përveç tubimit shkencor kushtuar njëqindvjetorit të Masakrës së Previsë, që u mbajt në Plavë, një tjetër veprimtari u zhvillua në fshatin Vuthaj të kësaj komune, ku u inaugurua një memorial kushtuar Isuf Kamer Çelajt, njërit nga komandantët e vullnetarëve, i cili ra gjatë mbrojtjes së Plavë-Gucisë, në fshatin Krushevë, ndërmjet Murinës e Andrijevicës, në moshën 35 vjeçare.

Për figurën e tij me rastin e zbulimit të bustit të tij foli Binak Ulaj, një intelektual nga ky fshat, i cili kaloi shumë vite në burgjet e ish-Jugosllavisë për aktivitetin e tij në përpjekjet për të çuar në vend idealet e të gjithë atyre që u flijuan për lirinë dhe bashkimin e trojeve kombëtare, ndërsa në akademinë kushtuar kësaj figure, që u mbajt në Plavë, folën Marenglen Verli, Beqir Meta, Ali Demushi, deputeti i rizgjedhur nga Tropoja në Kuvendin e Shqipërisë, Besnik Dusha, si dhe shkrimtari Tasim Alijaj.

Memoriali rikujton të gjithë ata trima nga Vuthajt e Plavë-Gucia, që dhanë jetën për këtë këtë krahinë, të shkëputur padrejtësisht nga trungu shqiptar.

Bustin e Isuf Kamber Çelat, vepër e skulptorit nga Tirana, Sadik Spahia, e zbuluan djali i tij Elez Çelaj, dhe albanologu nga Prishtina, Zymer Neziri. Memoriali qëndron në një ambient atraktiv të ideuar e disenjuar nga artistët Ilir e Veli Blakçori nga Prishtina.

Në kuadër të shënimit të këtij përvjetori u ekzekutuan edhe pika artistike me këngë e balet.
Ndërkaq për të përkujtuar një datë tjetër me rëndësi historike kombëtare,   Masakrën e Previsë, në njëqindvjetorin e ndodhjes, në Plavë u mblodhën historianë nga Shqipëria e Kosova, të cilët me kumtesat e tyre argumentuan padrejtësitë që fuqitë e mëdha ua bënë shqiptarëve dhe heroizmin e këtyre të fundit për t’i ndrequr ato.

Në qafëmalin e Previsë, që ndan Luginën e Plavë-Gucisë, të populluar kryesisht me shqiptarë e boshnjakë, me atë të Limit, ku banojnë malazezë, më 1913, pas rënies përfundimtare të kësaj krahine nën Malin e Zi, ndodhi një ndër masakrat më të mëdha të kohës mbi shqiptarët. Malazezët vranë aty mbi 700 shqiptarë, ndër ta edhe fëmijë, të cilët refuzuan konvertimin kombëtar e fetar në malazezë ortodoksë.

Shqiptarët e kësaj krahine nesër, më 1 gusht, mbajnë tubimin tradicional, që mbledh në këtë ditë për çdo vit ata, kudo që janë. /Koha Net/