Sipas elaboratit pa Podgoricë do të vdisnim

Sipas studimit të arsyetshmerisë ekonomike për formimin e Komunës së Tuzit/Malësisë, i cili është dorëzuar dje Këshilltarëve të Kuvendit të Komunës urbane të Tuzit, parashihet se Komuna e ardhshme do të kishte 639 mijë euro të ardhura, kundrejt 1 milion shpenzime.

Diskutimi në Kuvendin e KU Tuz, rreth versionit final të studimit, u shty për të martën, pasi që Komisioni të hënën do të bien fjalën përfundimtare rreth këtij studimi.

Kryetari i Kuvendit të KU Tuz, njëkohësisht dhe funksionari i lartë i UDSH-së, Fadil Kajoshaj, u shpreh se ishte në pritje të versionit final të elaboratit, pasi që ai që u prezantua në fazën e parë, ngjante në një punim i cili tregon të kundërtën dhe jo arsyetshmerinë për formimin e Komunës.

Kajoshaj u shpreh se është e pakuptimtë kjo që po bëhet, dhe se faktikisht nuk është përpunuar asgjë. Përsëri në elaborat nuk janë përpunuar firma Plantazhe, tha Kajoshaj.

Ai tha se qëllimi i studimit është që të tregojnë se Tuzi nuk mund të mbijetoj si Komunë e pavarur dhe se “do të vdesim për 10-15 ditë në qoftë se ndahemi nga Podgorica”, raporton RTV Vijesti.

Versioni i parë i studimit tregonte se të ardhurat për Komunën e ardhshme do të ishin 473 mijë euro në vit. Për këtë shkak patën reaguar edhe këshilltarët e DPS-së dhe UDSH-së duke kërkuar që studimi të rishikohet.

Këshilltari i Iniciativës Qytetare, Vasel Sinishtaj, pati kërkuar që të anulohet marrëveshja me firmën e cila punoi elaboratin  dhe të përdoret elaborati të cilin vitin e kaluar patën dorëzuar në Parlamentin malazez, ai dhe deputeti Nimanbegu.  Sipas atij elaborati, të ardhurat vjetori për Komunën e ardhshme të Malësisë do të ishin rreth 2 milion euro.

Punimi i elaboratit është një ndër kushtet për shpalljen e referendumit i cili, sipas marrëveshjes në mes të partive shqiptare dhe DPS-së, ishte planifikuar të mbahet në muajin shtator të këtij viti.

Vasel Sinishtaj (IQ) tha se ky elaborat do të jetë pengesa e re për mbajtjen e referendumit. Ai është i bindur se pas kësaj situatate, referendumi nuk do të zhvillohet në shtator.

Sinishtaj për RTV Vijesti tha se, qëllimi është blerja e kohës, që në zgjedhjet e ardhshme lokale, Tuzi të jetë pjesë Podgoricës, me ç’rast do të legjitimohet edhe katër vite tjera statusi i Komunës urbane.

Ai për këtë akuzoj funksionarët lokal të DPS-it, Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) dhe Partisë Boshnjake, të cilët pranuan këtë lojë të parapërgatitur nga Podgorica.

Naser Krkanoviq, funksionar i DPS-së, demantoi akuzat e drejtuara partisë së tij.

Ai tha se do të punojnë gjithçka është në interesin e qytetarëve. Ata çka lideri i partisë së tij ka premtuar, do të realizohet, pa marrë para sysh datat e caktuara, tha Krkanoviq. /MALESIA.ORG/