FDI dorëzon elaboratet

Disa ditë më parë, kryetari i Forumit Demokratik për Integrim (FDI), Anton Lulgjuraj, në një takim me kryetarin e Komunës urbane të Tuzit, Fran Lulgjuraj, dorëzoi Elaboratet për qëndrueshmërinë e Komunës së Malësisë. 

Në deklaratën për medie të FDI-së, shkruan se nuk janë mirëprit nga kryetari i KU Tuz, Fran Lulgjuraj.

Lexoni deklaratën e plotë: 

Të nderuar qytetar, vendosmëria jonë për të çuar deri në fund betejën për themelimin e Komunës së Malësisë, është jetike dhe e pazavendësueshme. Debatet e kohëve të fundit, i kanë vënë “politikushtruesit” tanë që të shtrojnë pyetjen më turpëruese që tregon papjekuri politike: “A ka qëndrueshmëri ekonomike Komuna e Malësisë / Tuz apo jo?”! FDI – ja, duke u bazuar në fakte, konkludon që Komuna e Malësisë jo vetëm që ka qëndrueshmëri ekonomike, por do të ishte në gjëndje ekonomike më të mirë se shtatë komuna aktuale në Mal të Zi.

Para pak ditësh, në një takim të zhvilluar në Komunën Urbane të Tuzit, në cilësinë e kryetarit të FDI – së, z. Anton Lulgjuraj, i ka dorëzuar kryetarit të Komunës Urbane z. Fran Lulgjuraj Elaboratet për “Fizibilitetin e Komunës së Malësisë” të punuara në vitin 2009 nga “Lëvizja Atdheu na Bashkon” dhe në vitin 2012 nga FDI – ja. Kryetari i FDI – së nuk është pritur mirë nga Kryetari i Komunës Urbane! Megjithatë, për hirë të qytetarëve FDI ka vendosur mos të bëjë publike biseden e cila ishte teper në nivel të ulët nga ana e Kryetarit të Komunës Urbane. Ne nuk duam të merremi me thashetheme të të tjerëve. Ne kërkojmë punë konkrete.

Pavarësisht kësaj, FDI deklaron, bazuar në faktet e paraqitura në elaboratin e vitit 2009 se  të ardhurat e buxhetit të Komunës së Malësisë do të ishin 3.507.113,74 euro. Pasi që ky elaborat nuk u përkrah nga pjesa më e madhe e politikushtruesëve shqiptar në Mal të Zi, ne u detyruam që të punojmë edhe elaboratin tjetër dhe të fundit, në fund të vitit 2012. Sipas këtij elaborati buxheti i Komunës së Malësisë do ishte 2.298.540 euro. Për më shumë informacion rreth kësaj shifre, mund të shikoni në: http://fdi.al/Rreth%20Nesh/Elaborati.html. Elaborati i ri dëshmon një buxhet më të vogël, për hirë të krizës ekonomike globale, megjithatë elaborati vërteton qëndrueshmërinë ekonomike të Komunës së Malësisë. Të nderuar qytetar, tani është më se e qartë se problemi i Komunës së Malësisë ka karakter vetëm politik sepse të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët (e sidomos për shqiptarët) në Mal të Zi u pengojnë atyre që po e mbajnë pushtetin për 24 vite me radhë.

Megjithatë, pavarësisht kësaj çështje, FDI – ja, fton të gjithë shqiptarët në Mal të Zi që të bashkohemi për të drejtat tona kolektive dhe qytetare. Ne jemi të mendimit se lufta institucionale e cila po zgjat për një çerek shekulli nuk dha asnjë lloj rezultati. Në mënyrë serioze jemi duke planifikuar se të drejtat tona t’i realizojmë edhe me forma të tjera siç janë: protestat, njoftimi i të gjitha institucioneve diplomatike të huaja në Mal të Zi etj. Me këtë rast ftojmë të gjithë qytetarët e Malësisë që mos të biejnë prehë e propagandave të sigurimit të këtij pushteti dhe shërbëtorëve të tij.

Me punen tonë, sado të vogël e modeste, ne u treguam të gjithë vëzhguesëve ndërkombëtar se duam të jetojmë të lirë. Ne e respektojmë dhe e kërkojmë sundimin e LIGJIT në shtetin e Malit të Zi. Ne duam vetëm atë që na takon dhe është e jona. Nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa ata që takon me Kushtetutë dhe instrumenta juridik ndërkombëtar. Por, fatëkeqësisht ndodhi e kundërta, ashtu edhe siç pritej. Pushteti nuk ndryshoi qëndrim ndaj nesh. Ne po kërkojmë çdo gjë legjitime, ndërsa në të njëjtën kohë ballafaqohemi me humbje të pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi. Garantojmë qytetarët e Malësisë që nuk do e lëmë vendin tonë të shkojë në drejtimin e zgjedhur nga politikushtruesit tanë, drejtim i cili na dërgon drejt e në humnerë duke e shuar përgjithmonë trevën e Malësisë. Sa më shumë që do vazhdojmë të ndarë, aq më shumë kohë do na duhet që të ripërtërijmë humbjet që po pësojmë! Por, detyra jonë është që të mundohemi t’a nxjerrim të vërtetën në dritë.

Forumi Demokratik për Integrim