Kombëtarja shqiptare pas humbjes në Slloveni lëshoi pozitën e dytë në Grupin E në kualifikimet e Botërorit 2014, duke ia mundësuar Norvegjisë të ngjitet aty me kuotën e 11 pikëve. Situata pas ndeshjeve të sotme është komplikuar shumë në këtë grup, ku diferenca mes vendit të dytë dhe të pestë (ku ndodhet Sllovenia) është vetëm dy pikë.
Përzgjedhësi i kuqezinjve, Xhani De Biasi, është i vetëdijshëm se skuadra e tij e lëshoi një mundësi të madhe në Lubjanë për t’iu afruar kualifikimit në Brazil. Zhgënjimi i tij është i madh, pasi është i bindur se Sllovenia nuk i meritojë tri pikët e kësaj sfide.
“Kam pritur një rezultat më të mirë për skuadrën time. Nëse kishte një skuadër që e meritonte sonte fitoren në fushën e lojës ajo ishte patjetër Shqipëria. Sllovenia shënoi praktikisht nga gjuajtja e vetme në portën tonë, Kevin Kampl u përkujdes për një kryevepër, e cila ua solli fitoren. Po ashtu, Samir Handanoviq me disa reagime të shkëlqyeshme në kuadratin e portës bëri që sllovenët t’i gëzohen tri pikëve. Ne ishim më të mirë, por ky është futbolli. Skuadra që krijon më shumë raste nuk fiton gjithmonë”, ka theksuar De Biasi pas ndeshjes para gazetarëve sllovenë.