Komuna e Malësisë varet nga vullneti i politikës dhe jo i popullit

Kompania “Investment and Consulting” e cila ka punuar studimin mbi fizibilitetin e Komunës së ardhshme të Malësisë, tregon se kjo njësi territoriale nuk do të ishte ekonomikisht e qëndrueshme.
Ky lloj vlerësimi është dënuar nga opozita në KU Tuz, e cila këtë studim e vlerëson se është i porositur nga autoritetet në Podgoricë dhe Tuz, shkruan gazeta “Dnevne Novine”.
Të pyetur nëse ky studim është i porositur nga kryebashkiaku i Podgoricës, Miomir Mugosa, ata u përgjigjen se nga deklaratat e tyre, lexuesit do të vlerësojnë vet, se nga kush është i porositur ky lloj studimi.

Vasel Sinishtaj nga Iniciativa Qytetare, tha se ky studim nga fillimi është veshur me term të gabuar, duke sqaruar se nuk mund të quhet studim ajo që është e urdhëruar (porositur), prandaj është krejtësisht e parëndësishme se çka thuhet në të.
Sipas Sinishtajt, qëllimi i vetëm i këtij studimi ishte që të njolloset Malësia.

Genci Nimanbegu nga Forca e Re Demokratike tha se pas Petnices e cila fitoj Komunën, “kush në Mal të Zi mund të thotë se Tuzi nuk mund të ketë të njëjtin status?” Ai e vlerësoj se arsyet nuk janë të natyrës ekonomike por të asaj politike.
Sipas tij, zvarritja rreth referendumit në Tuz tregon se nuk ka gatishmëri politike nga ana e Podgoricës që Malësia të bëhet Komunë.

Funksionari i larte i DPS-së në Tuz, Nikollë Gegaj, tha se kompania “Investment and Consulting” është kompani serioze dhe posedon të gjitha referencat e nevojshme për punë.
Ai sqaroi se do të respektohet gjithçka është premtuar qytetareve të Malësisë.

Nikollë Sinishtaj, në një koment të tij në portalin CDM, tha se kompania “Investment and Consulting” nuk kishte referencat për punimin e studimit të fizibilitetit, dhe si anëtare i komisionit për përpunimin e elaboratit, këtë e ka shprehë edhe në mënyrë të shkruar pranë KU Tuz. Ai sqaroi se përpunuesit kanë shfrytëzuar të dhënat e marra vetëm nga organet dhe institucionet shtetërore, të cilat, për fat të keq, janë shpesh të pasakta apo jo të plota, dhe në këtë mënyrë studimi doli si i tillë.
Sinishtaj përmendi vetëm disa nga mangësitë e këtij studimi, siç është mospërfshirja e të ardhurave nga tregu në Tuz, të cilat arrijnë deri në 300 mijë euro në vit, të ardhurat e mundshme nga vendet e parkimit në afërsi të tregut dhe të fondeve tjera të buxhetit të shtetit, të cilat aktualisht përdoren nga 14 komunat ekzistuese në Mal të Zi, donacione etj. Studimi gjithashtu ka shumë të meta dhe parregullsi të tjera që e bëjnë atë joreal dhe të papranueshëm, shkruan Sinishtaj.
Ai gjithashtu fton lexuesit të shikojnë studimin e fizibilitetit për Komunën e Petnices, e cila ka marrë përgjigje pozitive nga ana e Qeverisë, dhe do ta kenë të qartë se kjo më së shumti varet nga vullneti politik i koalicionit qeveritarë, sepse potenciali ekonomik për qëndrueshmërinë e Komunës së Malësisë është i padiskutueshëm.
Nikollë Sinishtaj është përpilues i elaboratit i cili vitin e kaluar është dorëzuar Parlamentit malazez nga Vasel Sinishtaj dhe Genci Nimanbegu.

Se formimi i një komune të re varet nga gatishmëria politike dhe jo nga ajo ekonomike dhe para së gjithash nga vullneti i qytetareve, tregues i mirë është edhe Ligji mbi Organizimin Territorial i Malit të Zi, i cili përpos studimit të qëndrueshmërisë ekonomike dhe shprehjes së vullnetit të qytetareve në referendum, me ligj parasheh, që edhe në rast se dy hapat e parë rezultojnë pozitiv, duhet marrë pëlqimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Qeverisë dhe Parlamentit, të cilat përfundimisht vendosin për fatin e një komune të re.

“Studimi i qëndrueshmërisë ekonomike, nuk mund të merret për bazë, duke u nisur nga fakti se edhe ekonomia botërore gjatë një viti mund të pësojnë rritje apo ulje. Një kompani vitin e kaluar mund të kishte grumbulluar 1 milion euro të ardhura, por që nuk garanton se ajo këtë vit apo vitin e ardhshëm (s’)mund të ketë rritje, zbritje apo ndoshta edhe shuarjen e sajë. Prandaj, studimi ekonomik në teori nuk duhet të ishte fare faktor i cili përcakton fatin e një njësie territoriale, por është vullneti i qytetareve të atij territori i cili do duhej të jete faktori kryesor dhe përfundimtarë”, për Malesia.org, sqaron një student i vitit të 3-të të Fakultetit Ekonomik, i cili kërkon të mbesë anonim. /MALESIA.ORG/