Me rastin e ftesës drejtuar Kryeministrit të Malit të Zi, Milo Djukanovic, për pjesëmarrjen e tij në një mbrëmje “Gala” me 27 shtator në New York, e cila organizohet nga Këshilli Nacional Shqiptaro-Amerikan (NAAC), Forumi Demokratik për Integrim kërkon sqarim nga NAAC-u në lidhje me ftesën drejtuar Kryeministrit malazez.
Deklarata e plotë:
Deklaratë publike drejtuar Këshillit Nacional Shqiptaro Amerikan – NAAC – ut
Para pak ditësh, FDI është njoftuar për një organizim Tuajin në një mbrëmje gala për ndarjen e çmimeve për “njerëz të shquar” që mbahet në Nju Jork. Ndër të ftuarit është edhe Kryeministri i Malit të Zi z. Millo Gjukanoviq. Në parim jemi dakord për ftesën sepse “largimi nga ballafaqimi krijon indiferencën. Indiferenca krijon përshtypjen e frikës, kurse frika arsyeton mungesën e ballafaqimit të mundësisë së zgjidhjes së problemeve”. Por, edhe ftesa duhet të ketë një agjendë me të cilën ne nuk jemi të njoftuar!
Është e kuptueshme se këto takime, që organizohen në forma të ndryshme, në mes të cilëve ka të ftuar personalitete të larta të politikës dhe udhëheqës të ndryshëm, krijojnë mundësinë e dialogut më të lehtë në mes të njëri – tjetrit dhe mund të jenë pikënisje për zgjidhjen e ndonjë problemi në mes palëve të ndryshme.
FDI kërkon bërjen publike të agjendës së takimeve të organizuar nga NAAC – u.
Nëse përfaqësuesit e NAAC – ut, në takimin me Kryeministrin Gjukanoviq, do shtrojnë për diskutim këto çështje:
1. A do vazhdoni edhe më tutje politikën asimiluese ndaj shqiptarëve në Mal të Zi duke mos zhvilluar asnjë sektor të zhvillimit ekonomik, por përkundrazi duke krijuar kushtet për “dëbim kolektiv”?
2. Kur do i jepet statusi i vetëqeverisjes lokale Malësisë së Madhe me qendër Tuzin?
3. Kur do kërkoni falje për 18 shqiptarët e arrestuar nën aksionin policor “Fluturimi i shqiponjës”, si dhe kur do të dëmshpërblehen për shkak të ushtrimit të torturës ndaj tyre?
4. Kur do ti ktheni pronat kolektive në Malësi (prona në Vuksanlekaj, Dinoshë, Milesh etj) dhe Ulqin (siç është Valdanosi e cila është toka më e madhe e mbjellur me ullinj në të gjithë Malin e Zi)?
5. A do ta shpallni antikushtetues Ligjin për rendin publik dhe qetësinë i cili ndalon përdorimin e lirë të simboleve kombëtare për popullin autokton dhe për popujt e tjerë pakicë?
6. Kur do i ktheni të mirat detare Komunës së Ulqinit?
7. Si mund të vijmë tek realizimi i sjelljes së abetares së unifikuar për nxënësat shqiptar në Mal të Zi?
8. Shumë herë keni premtuar për realizimin e Komunës së Malësisë. A keni gënjyer atëherë apo gënjeni sot? Apo atëherë, sot e gjithmonë???!!!
9. A do e mundësoni që diaspora të votojë për përfaqësuesit e saj në Mal të Zi?
Si këto pyetje dhe shumë të tjera, do duhej të ishin pjesë e agjendës. Pra, nëse këto pyetje i bëhen z. Gjukanoviq, atëherë ne inkurajojmë takimin dhe kërkojmë që të firmoset një marrëveshje pas përgjigjeve që z. Kryeminister mund ti japë. Nëse këto pyetje nuk ekzistojnë në agjendë, atëherë NAAC – u nuk ka asnjë arsye që ta ftojë z. Gjukanoviq. Përkundrazi, duhet që të ndalojë pjesëmarrjen e gjithë atyre përfaqësuesëve të Malit të Zi të akredituar në SHBA.
Ne e kuptojmë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe mardhënieve të fqinjësisë së mirë, por këto mardhënie dhe ky bashkëpunim, nuk mund të bëhet më në kurriz të shqiptarëve jashtë kufirit administrativ të Republikës së Shqipërisë. Ne duam të jemi mirëbesues që agjenda do të publikohet dhe NAAC – u do marrë përgjegjësi, në të kundërt ardhja e Kryeministrit Gjukanoviq mund të përballet me protesta të cilat besojmë se Diaspora do t’i organizojë në mënyrë masovike dhe ku përfaqësuesi i FDI – së do të marrë pjesë.
Presim reagimin nga NAAC – u në lidhje me ngritjen e këtij problemi!
Anton Lulgjuraj
Kryetar i Forumit Demokratik për Integrim