00:55 – Drejtuesja femër e mjetit, që detyroi policinë ta ndiqte në zemër të Uashingtonit u godit për vdekje nga të shtënat e policisë dhe është shpallur e vdekur, bëri të ditur shefja e policisë së Uashington DC, Cathy Lanier.
Ndjekja e egër e së enjtes, e cila nisi pranë Shtëpisë së Bardhë dhe që përfundoi vetëm pak minuta më pas me shkëmbim zjarri në “Capitol Hill”, duke krijuar skena kaotike dhe sirena të shumta policie e mjetesh të tjera, zjarrëfikëse dhe autoambulancash, mbylli ligjvënësit brenda Parlamentit, ndërsa kalimtarët u prekën nga pasojat dhe papastërtitë e ngjarjes.
Dy persona u dërguan në spital, gruaja që ngiste një makinë të zezë me dy dyer dhe që përshpejtoi përpara ambienteve të ligjvënësve amerikanë, duke mos respektuar as semaforët për shkak të ndjekjes nga policia, si dhe një oficer që gjendej në një nga makinat e policisë, që u përplas nga shoferja në përpjekje për t’ia mbathur.
Një fëmijë i vogël, që ishte në makinë së bashku me gruan, duket se ka shpëtuar pa u plagosur. Ngjarja dramatike solli një sërë mjetesh të emergjencës në kompleksin e “Capitol Hill” dhe shkaktoi mbylljen e përkohshme të Kongresit dhe zyrave përreth.
_____________________
11:48 – Selia e Kongresit amerikan, Kapitoli, u vu përkohësisht nën masa të shtuara sigurie të enjten pasdite pas njoftimeve se jashtë ndërtesës ishin dëgjuar të shtëna me armë.
Policia që ruan Kapitolin, njoftoi për të paktën një të plagosur. Viktima u identifikua më vonë si oficer policie.
Ende nuk është e qartë se çfarë i shkaktoi të shtënat por sipas disa njoftimeve, policia ishte duke ndjekur një makinë nga një vend pranë Shtëpisë së Bardhë deri në rrugët afër Kapitolit.
Njoftimet vijnë ndërkohë që qeveria është pjesërisht e mbyllur, për shkak të mosmarrëveshjeve mes ligjvënësve të Kongresit rreth shpenzimeve buxhetore.
Në një njoftim të shpërndarë me e-mail, policia e Kapitolit i këshillonte njerëzit të mos qëndronin pranë dyerve ose dritareve të jashtme të ndërtesës.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine tha se disa anëtarë të Kongresit u mbyllën përkohësisht brenda sallës së Dhomës së Përfaqësuesve gjatë incidentit.
Edhe Senati ndërpreu punimet ndërkohë që shërbimi i fshehtë mori masa për heqjen e njerëzve nga Bulevardi Pensilvania përpara Shtëpisë së Bardhë. /VOA/