Ngritja e flamurit tonë kombëtar në Ulqin në vitin 1968

Po, Ulqinin  atë ditë e buzëqeshi fati. Ai  kishte festë. Ishte më i bukur se kurrë. Dukej si nuse bukuroshe.Tundej e hidhej nga gëzimi.  Sepse  kudo në qytet valonin flamujt kuqezi.Ngjyra që flasin shumë. Sa bukur!  Sa mrrekulli” Sa krenari! Sa madhështi!

Gjekë Gjonaj, Ulqin

Ulqinakët guximtarë  që në zemër kishin dashurinë  ndaj simboleve  tona kombëtare   në vitin 1968 ngritën  maisivisht Flamurin tonë kombëtar.- Flamurin e Skënderbeut. Ideali  i lartë i  tyre për Flamurin kuq e zi, me shqiponjën dykrerëshe, simbolin më të shtrejtëruar të kombit shqiptar  ngadhënjeu mbi frikën  e deriatëhershme deri në palcën kurizore të çdo shqiptari në ish-Jugosllavi.  Ngritja e  flamurit  tonë kombëtar, sipas   pjesëmarrësve të drejtpërdrejtë  dhe  dëshmitarëve okularë    në dyqanet dhe lokalet private  në Ulqin  ndodhi   në vigjilje të  1  majit të vitit 1968.

Ngjarjet paraprake

Dihet mirëfilli se Kosova ishte  frymëzuesja kryesore për  barazi  dhe të drejta  të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, nën ombrellën e kryetarit  të shtetit dhe  kryetarit të  Partisë Komuniste të Jugosllavisë  ( më pas Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë)  Josip Broz Tito ). Periudha më e errët  për shqiptarët ishin vitet 1948-1966 ( e njohur në popull  si periudha e Aleksandër Rankoviqit, sekretar i Komitetit Qendror të LKJ-së, ministër i Punëve të Brendshme dhe nënkryetar i Republikës Socialiste  Federative të Jugosllavisë). Gjatë këtyre viteteve  shqiptarët   në Kosovë përballeshin me një fushatë të egër shkombëtarizimi e shpërnguljeje masive nga trojet e tyre stërgjyshore. Ata kontrolloheshin plotësisht  nga UDB-a ( Drejtoria e sigurimit të shtetit)  dhe statusi i tyre ishte mjaft i palakmueshëm.
Me kushtetutën e  vitit 1963  Republika Federative Popullore e Jugosllavisë shndërrohet në Republikë Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ndërkaq Kosova  shpallet Krahinë Autonome, kurse shqiptarët nga nocioni “pakicë kombëtare“  me këtë Kushtetutë u definuan si “ kombësi”. Kjo kushtetutë   edhe pse nuk kishte sjellur ndonjë ndryshim esencial sa i përket trajtimit dhe pozitës së shqiptarëve, ajo megjithatë  paralajmëroi ditë më të mira dhe ndryshime  në të ardhmen.  Në atë kohë  veç kishin filluar  edhe konfliktet e para në mes të forcave burokratike  decentralizuese në krye me Titon  dhe atyre unitariste  serbe, të drejtuara nga   Rankoviqi.
Në tetor të vitit 1966 Komiteti Qendror i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë në Plenumin e Brionit e përjashtoi Aleksandër Rankoviqin nga LKJ-ja.  Tito-ja   fitoren e tij  ndaj  krahut shovinist serb  të Rankoviqit   në diskutimet publike u përpoq ta arsyetojë  si fitore e të gjitha  kombësive, duke u munduar  që ta thejë kompleksin e inferioritetit që u ishte imponuar shqiptarëve.

Në këto rrethana edhe për shqiptarët në Malin e Zi  u krijua një klimë paksa më e relaksuar politike dhe duke e shfrytëzuar këtë krizë të krijuar dhe  një pjesë e intelegjencës shqiptare  filluan të flasin hapur për padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptarë në arsim, kulturë dhe në fusha tjera të jetës politike e shoqërore.
Këto hapësira lirije  filluan të jetësohen  edhe në komunën e Ulqinit të nxitura   dhe të motivuara nga  disa tubime publike dhe ngjarje  të rëndësishme në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilat tek shqiptarët  në përgjithësi ringjallën dinjitetin dhe krenarinë   kombëtare:
1)    Konferenca Albanologjike e mbajtur në Tiranë (17 janar 1968).
2)     Simpoziumi shkencor i mbajtur    në Prishtinë (9-12 maj 1968), me rastin e 500 vjetorit   të vdekjes se kryetrimit Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ku morën pjesë studjues shqiptarë e të huaj të fushave të historisë, të letërsisë, të gjuhësisë, të folklorit dhe të etnografisë, dhe
3)     Konsulta e njësimit të gjuhës shqipe e mbajtur më 22 – 23 prill 1968 në Prishtinë, në të cilën u konstatua se si “gjuhë letrare e shqiptarëve në Jugosllavi njihej njëzëri   gjuha letrare e shtetit amë (Shqipërisë)”.

Kushtrimi  për mbrojtjen e flamurit

Ditët e fundit të prillit të vitit 1968  për Ulqinin mbeten të shënuara si ngjarje madhore të këtij qyteti. Pikërisht ato ditë u ngritë flamuri kuq e zi për të cilin ishin burgosur shumë  njerëz patriotë të kësaj   komunë dhe të gjitha trevave tjera shqiptare në  Malin e Zi.
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare , patrioti,  ish i burgosuri politik, prof.doktor Bahri Brisku, i cili kaloi disa vite në burgjet famkeqe të sistemit barbar serbosllav,  në rrëfimin e tij sqaron    se çfarë ndodhi me këtë rast.
“ Natën e 30 prillit të vitit 1968  një grup qytetarësh patriotë organizuan në Ulqin një tubim   ( kushtrim) për mbrojtjen e flamujve shqiptarë, të cilët  i kishim vendosur  atë ditë, në  disa objekte e dyqane private në  qytet.   Të gjithë ishim të bindur se heqjen e flamujve e kishte organizuar policia e asaj kohë, e  bindur se ne nuk do t’i rivendosim.  Të pakënaqur me këtë veprim të policisë ne  vëndosëm që  flamujt kombëtarë t’i   ngrisim  përsëri   në të gjitha pjesët e qytetit. Flamurin në Kala ( Qytetin e  Vjetër)  e ngritën  pa rënë terri Jakup Nimanbegu dhe Zyhti Misheri,kurse në Kullën e sahatit e vëndosën Hasan Bojku dhe Qemal Dervishi. Duke qenë të bindur se  pushtetarët e asaj kohë do të bëjnë   gjithçka të munden  që flamujt t’i hjekin përësri   ne vëndosëm që t’i ruajmë flamujt çdo natë.Për këtë qëllim u ftuan persona të zgjedhur nga rrethi i Ulqinit,  të gjithë të armatosur”,thotë Brisku.

Taktika e policisë

Policia, siç rrëfen Brisku,   për t’ia  arritur qëllimit  të  vet – heqjen e flamujve shqiptarë nga   objektet  ku ishin vendosur, përdori një  taktikë të re, të papritshme  dhe befasuese.  “ Ajo  msheftazi kishte ftuar Komandën e ushtrisë së Tivarit, që të  marrë masa ndaj popullatës shqiptare  të Ulqinit e cila “ po  kryente  disa veprime kundër pushtetit”. Rreth orës dy pasmesnate erdhi  në Ulqin një major ( për të cilin vonë mësova nga një tivaras se  quhej Beqir Husenbegoviq,i kombësisë boshnjake)  me dy ushtarë.  Unë  bashkë me  anëtarët e grupit mbikqyrës  të këtij tubimi protestues Elez Nikeziqi, Hasan Bojku, Esat Shkodra dhe  Selatin Bajraktari ishim vendosur në katin e dytë të një dyqani te  Rrethi i sotshëm.

Biseda me majorin e Ushtrisë Jugosllave

Pas një bisede të shkurtër majori më drejtohet me këto fjalë:
–     Të lutem më tregoni shkakun e kësaj  proteste popullore   në Ulqin ?
–    Qytetarët e Ulqinit  janë të shqetësuar  shumë për  arsye se policia në mënyrë të padrejtë,  kishte  hequr dhe vjedhur flamujt tonë kombëtarë –  u përgjigja.
Dhe, për të argumentuar fjalën time nxora nga  xhepi   gazetën e përditshme “ Politika” të Beogradit, ku thuhej qartë se përdorimi i flamurit të pakicave ishte i lirë në krejt Jugosllavi.  Protestuesit e tjerë shqiptarë   pranuan para majorit se   atë natë janë grumbulluar një numër i madh qytetarësh  të armatosur nga Ulqini me rrethinë   në mbrojte të flamujve shqiptarë . Ata u betuan para majorit se  për së gjalli nuk do të lejojnë  heqjen e flamujve shqiptarë nga vendet ku i kishin ngritur.
–     Majori me zë të zbutur  më tha:
–    A ekziston mundësia reale që flamujt t’i kenë hequr dikush tjetër, e jo policia ?
–    Është e mundur edhe kjo, që thoni. Por opinioni publik  i këtushëm është i bindur se këtë veprim makabër , e ka bërë dikush  i lidhur ngushtë me policinë – u përgjigja.
Pas  pak majori  kërkoi nga unë që  të shkoj me të.  Megjithëqë e dija se nuk duhet besuar personit në uniformë ,   pranova.
–    Po vijë me ju,por  me vete po i marrë edhe dy shokë!- i thashë
–    Mirë, mirë.Ti merr me vete  cilindo që dëshiron – mu përgjigj majori.
Me vete mora Elez Nikeziqin dhe Selatin Bajraktarin. Majori hypi në xhipin e ushtrisë, ndërsa unë dhe shokët e mi vazhduam pas tyre me autoveturën time.   Kur mbërritëm në një rerafshinë aty  gjetëm të parkuar dy kamionë plot me ushtarë.    Natyrsiht se u shqetësuam. Selatini fshehu  revolen dhe një  bombë dore  në autoveturën time. Dolëm jashtë.

Pafajësia

–    O, burra!  Na falni shumë që ju kemi shqetësuar sonte. Mirëpo ne kishim informacion nga eprorët e policisë  se  situata poltike  në Ulqin është shumë e rëndë. Ne, tani u bindëm se nuk është ashtu. Ju nuk jeni fajtor. Fajtor është dikush tjetër.  Ju  vazhdoni të ruani qetësinë në qytet. Mos bini fli e provokimeve të mundshme. Ruani gjakftohtësinë! Sa për flamujt që i keni ngritur, ata janë të lirë, por mos i keqpërdorni. Vazhdoni të luftoni për të drejtat  e juaja  – na tha me dashamirësi   majori, duke na lutur  që mos të tregojmë se çfarë folëm.

Ngazëllimi

“ Të befasuar këndshëm nga kjo sjellje  njerëzore, korrekte dhe dashamirëse e   majorit të ushtrisë jugosllave e siguruam  atë  me bindje të plotë se po qe se është nevoja do t’i mbrojmë të gjithë ushtarët  e tij nga çdo e keqe e mundshme që munnd të ndodhte atë natë  në Ulqin.   Ushtarët dhe majori  na falënderuan për dashamirësinë që treguam ndaj tyre. Diku pak para  se të zbardhë dita  u ndamë. Ata shkuan për Tivar, ndërsa ne u kthyem në qytet. Aty gjetëm protestuesit, respektivisht  rojtarët e flamujve, të cilët u kënaqën kur ne kaluam pa pasoja.  Të nesërmen  flamujt  shqiptarë valviteshin lirshëm nëpër qytet. Madje shumë fëmijë  ulqinakë   vraponin të gëzuar me flamuj të vegjël në duar.Ishte ky një gëzim i madh për të gjithë shqiptarët  e kësaj komunë”, pohon Brisku.
Po, Ulqinin  atë ditë e buzëqeshi fati. Ai  kishte festë. Ishte më i bukur se kurrë. Dukej si nuse bukuroshe.Tundej e hidhej nga gëzimi.  Sepse  kudo në qytet valonin flamujt kuqezi.Ngjyra që flasin shumë. Sa bukur!  Sa mrrekulli” Sa krenari! Sa madhështi!

 “ Napredaku “ i Gjakovës, shitorja e vetme  ku shitej flamuri shqiptar

Objekti i vetëm ku  shqiptarët mund të blenin  simbolet  tona kombëtare në qytetin e Ulqinit asokohe ishte dyqani me mbishkrimin sllav“ Napredak” nga Gjakova,  në rrugën që të çon për  në Plazhin e Vogël, ku sot ndodhet  butiku “ Boos”.   Edhe pse flamuri shqiptar  asohere konsiderohej nga pushteti si    mall “ i rrezikshëm”  këtu shitej  haptazi. Shitësi i kësaj shitore, Hysein  Ceno  Kapllanbegu , tani burrë tetëdhjetë vjeç  në bisedën  që zhvilluam  para pak muajsh në një restorant në Pristan apo  Ranë, siç e quajnë vendasit, në shoqërimin e  Hajro  Nimanbegut,    evokoi  kohën kur në dyqanin  “ Napredak” ndër  mallrat e tjerë shitej edhe flamuri shqiptar.
“ Ishin  ato kohë të vështira. Popullata jonë kishte njëlloj frike nga pushteti. Kjo  ndikoi tek ata  që të mos shprehnin interesimin e vet publik  për blerjen e simbolit   tonë kombëtar, edhe pse shumica e tyre i kishin  në zemër. Në rrethanat e atëhershme shumë pak qytetarë të Ulqinit me rrethinë blenin flamuj shqiptarë. Por kishte edhe të atillë që i blenin haptazi, ndonëse numri i tyre ishte simbolik”, thotë Kapllanbegu. I pyetur se  a ka patur   presion nga policia apo pushteti vendor  i kohës  që t’i shesë flamujt shqiptarë ai  përgjigjet  prerë, jo. Kapllanbegu  pohon se kurrë nuk i ka mshehur  në dyqan flamujt shqiptarë nga askush. Sipas tij ata kanë qëndruar të ekspozuar  në vend të dukshëm, si të gjitha mallrat tjera të tekstilit.

Flaka e ndjenjës atdhetare

Me këtë akt patriotët  shqiptarë të komunës së Ulqinit  dëshmuan se në zemrat e tyre edhe në sistemin komunist  ka qenë e ndezur ndjenja atdhetare. Ata i treguan  pushtetit  dhe të gjithë të tjerëve se e duan simbolin e tyre kombëtar – Flamurin kuq e zi , duke respektuar të drejtën e të gjithë popujve të tjerë t’i duan e të nderojnë simbolet e veta kombëtare.  Ngritja  e Flamurit tonë kombëtar në   Ulqin ishte një  mesazh i qartë se ky qytet  ishte dhe do të mbetet  qytet shqiptar. E si mund të jetë ndryshe, kur në këtë  Flamur janë  përmbledhur  për mrrekulli mbi të gjitha burrëria dhe sakrifica  jonë shekullore për liri e pavarësi.