Këshilli i DPS-it lokal i Tuzit, njëzëri vendosi të mos pranojnë dorëheqjen e Kryetarit të Komunës urbane, Frano Lulgjuraj, i cili javën e kaluar (me 1 tetor) dha dorëheqje, sipas tij, për shkak se nuk u zhvillua referendumi konsultativ për Komunën e Tuzit/Malësisë deri në fund te shtatorit.
Këshilli i DPS-së në Tuz sqaron se, sipas tyre, nuk ka asnjë arsye objektive të specifikuar në dorëheqje e cila do të çojë në pranimin e dorëheqjes.
Sipas tyre, Lulgjuraj me shumë përgjegjësi dhe profesionalizëm kreu detyrat e tija.
Ata sqarojnë se edhe partnerët e koalicionit, UDSH dhe Partia Boshnjake ndajnë qëndrim të njëjtë në lidhje me këtë çështje, shkruan në deklaratën e tyre.
Në këtë mbledhje të Këshillit te DPS-së së Tuzit morën pjesë edhe udhëheqësit e DPS-së nga Podgorica.
Lulgjuraj me rastin e dorëheqjes kishte thënë “fjala e dhënë duhet të respektohet…”. /MALESIA.ORG/