Edi Rama po krijon “Diktaturën Rozë”

Opozita e djathtë në politikë mund e duhet ta ndalin Edi Ramën.
Atij, ndoshta, i duket vetja si një “Napoleon Bonapart”.  Mirëpo, as Napoleoni nuk vepronte si Edi Rama që i shkarkon brenda një dite kryepolicin  e shtetit dhe drejtorët e policisë në 12 qarqe të vendit, në krejt Shqipërinë. Jo. Napoleoni, me origjinë arbëreshe, ka humb edhe beteja të mëdha po nuk i ka shkarkuar “drejtorët e policisë” në të gjithë Francën Perandorake.

Përndryshe: Edi Rama nuk është as “Leka i Madh modern”, sepse, ky prijës legjendar me origjinë shqiptare nga fisi ilir i Paionëve, shpesh iu thoshte oborrtarëve të tij: edhe në mbetsha në betejë mbajeni Gardën.  Ky Edi Rama po e shkrin krejt Gardën e Republikës me vendim të një dite, në një afat njëqind ditor.

Ky, Edi Rama, nuk po dinë me zbrit nga kali i revanshit politik ndaj Opozitës. Po sillet si kryepushtues në Pushtet e ndaj Shtetit. Administratën e kohës së demokratëve e keqsheh si armike të tij. Shpata e tij politike lëviz gjithkund me “prerje kokash”, etj.  Edi Rama  kërcenoi që  në ditën e parë të zgjedhjes së tij kryeministër në Parlament me deklaratën: “Ju akoma nuk keni parë se çfarë është dhuna”. Pra, e thotë qartë e ballas: po e ndërton Shtetin Policor.

Edi Rama deklaronte në fushatë se do të vinte nga Vlora në Tiranë si Enveri nga Berati më  28 nëntor nëntor 1944. Të gjithë e pamë se si hyri në Kryeministri si Kryeministër i ri i të majtës në pushtet: nga data 21 janar 2010, pikërisht prej aty ku e la pa e përfunduar  të ashtuquajturin “Grusht  shteti”. Ai, me një regji politike provokative… ndali në sheshin e 21 janarit 2010 dhe foli aty, në  këtë shtatorin e vitit 2013….Kjo ishte simbolika e tij…

Oborrtarë e aleatë të Edi Ramës, fill  pas fitores së 23 qershorit 2013 bertitën: “U mbyll Tranzicioni”, ndërkohë që në fakt mbyllja e tij don ligje e ligjësi ekonomike, politike, etj.

Këto fakte e dukuri shprehin e dëshmojnë  në esencë e kryeudhëheqje se këta të Edi Ramës do të udhëheqin pa ia ditë për ligjet e shtetit, si ky rasti për Statusin e Nëpunësit Civil; duke shfuqizue ma shumë vendime të Qeverisë së Djathtë se sa ka ditë qeverisjeje si mazhorancë e majtë,  shkarkon të derisotmit dhe emëron rinj nga struktura e militantë të PS e mazhorancës, sipas oreksit politik  e pa rregullsi ligjore siç po vepron me emërimet në Policinë e Shtetit, etj.

Edi Rama,  kudo po e jep simboliken e “Diktaturës së Bardhë” (“Unë jam Shteti”, “Shumë zhurmë”, etj.). Njëherash e njejtësisht edhe simbbolikën e “Diktaturës së Kuqe” (Qeverisjes me anë të frikës në një vend demokratik dhe në tranzicion). Ky aliazh i bardhë me të kuqe mund të kombinohet me ngjyrën rozë, me ngjyrën simbol të Partisë Socialiste në mazhorancë. Kjo është simbolika e Edi Ramës kryeministër, kryetar i PS, kreu i mazhorancës së majtë në pushtet, që po krijon një diktaturë të re: “Diktatura Rozë” (!)

Ramiz LUSHAJ