Jehona e ngritjes së flamujve shqiptarë nga ana e patriotëve ulqinakë nëpër qytet në vitin 1968 përfshiu edhe popullatën më të re të këtij qyteti – fëmijët, të cilët natyrshëm nuk ishin të vetëdijshëm se po kryenin një akt kombëtar. Ata, asokohe, e madhështuan këtë ngjarje të madhe për Ulqinin, me defilimin e tyre nëpër qytet. Në mesin e atyre adoleshentëve të shumtë ulqinakë që defiluan nëpër Ulqin ishte edhe kryetari aktual i komunës, Nazif Cungu, i cili , ndryshe nga disa pjesëmarrës të tjerë të këtij defilimi të fëmijëve që nuk patën kurajon të prononcohen për këtë ngjarje, madje as t’u përmenden emrat, pranoi me kënaqësi të na rrëfejë për këtë ngjarje shumë vite të lënë në heshtje.
– Në vitin 1968, kur u ngrit flamuri shqiptar në Ulqin , unë isha adoleshent. Sapo i kisha mbushur 10 vjet. Asohere i jam bashkëngjitur grupit të fëmijëve të Mahallës ( Lagjes) së Re afër xhamisë së Lamit. Të gjithë së bashku filluam defilimin me flamuj në duar nëpër Lagjen e Re, prej nga jemi kthyer përsëri tek xhamia e Lamit, për të vijuar më pas në drejtim të pazarit. Nuk jemi ndalur me kaq. Kemi dalë te restoranti “ Bonita” dhe kemi vazhduar defilimin deri në maje të pazarit ( nën unazën e sotme). Vogëlushi Munib Abazi ( asokohe 7 vjeç) , kishte pru një vizatim në pëlhurë me kokën e Skënderbeut. Këtë vizatim ia kishte dhuruar babait të Munibit – Rexhepit piktori Gojko Gojniq. Vizatimi në pëlhurë me kokën e kreshnikut tonë legjendar Gjergj Kastriotit – kolosit të historisë shqiptare dhe evropiane ka qenë i vendosur në shkopinj. Dhe ne fëmijët e kemi bartur atë dy nga dy. Në rrugëtimin tonë nëpër këtë pjesë të qytetit me flamuj dhe vizatimin me kokën e Skenderbeut shtohej edhe numri i fëmijëve. Duhet përmendur faktin se gjatë gjithë defilimit ne fëmijët i kemi kënduar Skënderbeut:
–
“ … Dyzet trima si shqiponja.
Qielli bubullonte,
Nën Flamurin kuq e zi,
Skënderbeu luftonte…”
Por kënaqësia jonë zgjati deri sa paprtitmas në rrugë, në afërsi të unazës së sotme vërejtëm policin ( miliicin) , sa më kujtohet Mishon e gjatë. Nga frika të gjithë fëmijët u shpërndamë, thotë Cungu.
Gjobat
Çdo kënaqësi paguhet, thotë populli ynë. Nganjëherë shumë shtrenjtë. Për të qenë kështu ishte kujdesur pushteti i kohës. Policia fillon procesin kundër fëmijëve.
“ Një numër i konsiderueshëm i tyre ka paguar gjoba. Sa e kam mbajtur mend është përmendur shuma prej afro 15.000 dinarësh, të cilën e kanë paguar çdo njëri ndaj të cilit ka qenë i ngritur procesi.”, pohon Cungu.
Ai, duke iu referuar fjalëve të kushëririt Musa Cungut, shprehet:
“Kur i ka lindur kushëririt tim Musa Cungut djali i dytë Skenderi,i cili tani jeton në Shtete të Bashkuara të Amerikës, i pyetur nga të afërmit dhe farefisi i tij se si ia ka dhënë atij emrit, u është përgjigjur me mëllef:
– Djali im i dytë ( Skenderi) ka lindur me emër. Sepse për të veç i kam paguar shtetit gjobë në vlerë prej 15.000 dinarësh. Musaja në të vërtetë këtë shumë parash e kishte paguar për djalin e parë Myzaferin , i cili ka qenë pjesë e grupit të fëmijëve që kanë defiluar me flamuj shqiptarë dhe me pikturën e Skënderbeut.
Vlen të theksohet se raste të këtilla të venies së emrave të fëmijëve SKENDER ( në shenjë nderimi dhe respekti për Skenderbeun) në Ulqin dhe Anë të Malit në atë kohë kanë qenë jo të pakta, shprehen bashkëbiseduesit tanë.