Policia serbe ka organizuar një aksion të madh të konfiskimit të librave shqip në shkollën fillore të fshatit Raincë në komunën e Preshevës.
Aksionin e ka konfirmuar për KTV-në, kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa. “Kanë ardhur forca të shumta policore dhe kanë hyrë nëpër klasë për të konfiskuar librat shqip, duke përfshirë Abetaren mbarëkombëtare. Kjo është e palejueshme, skajshmërisht e kundërshtueshme, që ky tmerr të ndodhë për ne. Ne nuk mësojmë dot cirilikë, më parë do të mësonim anglisht ose gjermanisht”, ka thënë në një deklaratë për KTV-në, Ragmi Mustafa.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi që të flasë me Daçiqin dhe të ndalojë aksione të tilla, sepse ne nuk mund të paguajmë dhe të ndalojmë aksione të tilla, sepse ne nuk mund të paguajmë çmimin për pavarësinë e Kosovës.
****************************************************************************************************************************
Ka përfunduar aksioni i Inspektoriatit serb në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Rainc të Preshevës duke konfiskuar të gjitha librat, rreth pesë mijë copa, që ishin të vendosur aty.
Të gjithë pesë mijë librat kanë qenë të vendosur fillimisht në shkollën “Zenel Hajdini” që më pas prej aty të shpërndahen nëpër shkolla të tjera shqipe, ndërsa librat të hartuar sipas plan programeve të Kosovës dhe të shtypur nga botuesit kosovarë kanë qenë për nxënësit e klasës së parë, të dytë, të tretë dhe të katërt.
Librat e konfiskuar kanë qenë dhuratë e Ministrit të Arsimit të Kosovës, Ramë Buja për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës.
Të gjithë librat sipas kryetarit të komunës së Preshevës, Ragmi Mustafës janë dërguar në stacionin policor të qytetit të Preshevës.
Përpos kësaj Drejtori i shkollës, Shukri Ymeri dhe sekretari i shkollës, Begzad Iljazi janë shoqëruar për në stacionin policor të Preshevës për tu intervistuar. Këtë lajm e ka konfirmuar për “Zërin” kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa.
Gjatë këtij operacioni, ekipi i Radio Televizionit të Preshevës është kërcënuar nga inspektorët serbë.
Ndërkohë prindërit e nxënësve kanë thënë se do t’i ndalin fëmijët nga shkolla pas provokimeve të vazhdueshme të forcave serbe. /INFOKOSOVA/