Në seancën e djeshme të Kuvendit të Komunës urbane të Tuzit, pika e parë e ditës për të cilën u diskutua ishte Plani hapësinore – urbanistik të kryeqytetit Podgoricë.
Këshilltari i IQ-së Vasel Sinishtaj në fillim të seancës propozoi që në rënd të ditës të shtohen edhe dy pika tjera, çështja e dorëheqjes së Kryetarit të KU Tuz Frano Lulgjuraj dhe sqarimi në lidhje me hartimin e elaboratit për Komunën e plotë, çështje të cilat u pranuan dhe u futen në rënd të ditës.
Këshilltari i LDnëMZ Nikollë Camaj pyeti Kryetarin e Komunës se sa mjete nga buxheti janë ndarë për familjet në nevojë dhe kujt i janë ndarë këto ndihma. Camaj kërkoi që përgjigja ti kthehet në formë të shkruar dhe shtoi se nga këto mjete kanë marrë të holla zyrtarët e kësaj komune.
Smail Çumulaj vlerësoi si shumë të rëndësishme për Malësinë dokumentin për planin hapësinore dhe bëri thirrje të Kuvendit të KU Tuz të ofroj informacione për rrjedhat që kanë të bëjnë për Malësinë.
Kryetari i KU Tuz Frano Lulgjuraj tha se dokumenti në fjalë ka për qellim të përfshijnë pikat më dominonte që qytetaret e Malësisë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre gjate debatit publik të zhvilluar me 31 tetor. Ai tha se nuk do të aprovohet asgjë që nuk shkon në të mirën e qytetarëve të Malësisë.
Muhamed Gjokaj, këshilltari i Listës për Tuz, tha se duke qenë se ky plan hapësinore nuk është punuar në mënyrë profesionale, nuk mund të pranohet . Gjokaj tha se hartuesit të cilët ishin prezent në këtë seancë, do duhet të kishin ardhur me një plan të mirëfilltë.
Nikollë Camaj (LDnëMZ) ashtu si dhe në debatin publik edhe dje bëri thirrje që ky plan të refuzohet dhe të bëhet ri-hartimi i tij.
Gjergj Camaj nga ASH tha se ishte koha që të hartohet një plan urbanistik, por që ai plan të plotësonte nevojat e qytetarëve të Malësisë. Camaj theksoi se në hartimin e këtij plani për Malësinë, mungojnë ekspertë të fushave përkatëse.
Ai propozoi që kufijtë e Malësisë të përcaktohen ashtu si janë e jo të bëhen ndryshime.
Edhe këshilltari i DPS-së Halil Dukoviq shprehi se ky plan nuk kënaq interesat e qytetareve të Malësisë dhe si i tillë nuk është i pranueshëm.
Smail Çunmulaj vlerësoi se hartuesit e këtij plani nuk janë bazuar në kufijtë e vërtet të Malësisë dhe u beri thirrje të bazohen në kufijtë e vërtetë. Ai po ashtu kritikoi kryetarin Lulgjuraj për mungesën e tij në këtë debat publik.
Kryetari Frano Lulgjuraj tha se ky dokument mbetet i hapur për publikun për vërejtje dhe sugjerime sepse dokumenti nuk është final.
Vasel Sinishtaj nga IQ shprehi pakënaqësi se në administratën e KU Tuz nuk ka asnjë jurist të diplomuar dhe me përvojë, gjë që sipas tij ka sjellë në këtë gjendje. Ai tha se janë juristet të cilët duhet të merren me ligje përkatëse dhe bëri thirrje në formimin e një komisioni nga të gjitha subjektet politike e të cilët do të merren me shqyrtimin dhe do të jepnin opinionet e tyre në lidhje me këtë plan.
Propozimi për formimin e një komisioni të tillë u pranua nga të gjithë këshilltarët.
Enis Gjokaj nga UDSH tha se kufijt administrativ duhet të bëhen në bazë kadastrale. Gjokaj tha se vërejtjet e qytetareve ndaj këtij plani janë të pranueshme për UDSH-në.
Mark Lucgjonaj nga ASH vlerësoi se ky plan i hartuar nga institucione të kryeqytetit është i papranueshëm për qytetaret e Malësisë. Sipas Lucgjonajt, ky është një plan me prapavijë politike.
Ne pikën tjetër të ditës, e propozuar nga këshilltari Vasel Sinishtaj, ku kërkohej informacion mbi dorëheqjen e Kryetarit Frano Lulgjuraj, u zhvillua një debat i nxehtë.
Sinishtaj në fillim tha se ky Kuvend dhe Kryetari i KU Tuz Lulgjuraj i kanë borxh qytetarëve të Malësisë të u japin shpjegim në lidhje me këtë çështje. Ai tha se dorëheqja e Kryetarit në aspektin juridik as që ishte dorëheqje, por ishte një lojë.
Sinishtaj ju drejtua Kryetarit duke i thëne “fjala e dhëne, besa e dhëne nga ana juaj meriton shpjegim ndaj qytetareve të Malësisë, dhe konstatoj se ju nuk keni dhëne dorëheqje në aspektin juridik, së pakut jo sipas ligjit”.
Ai tha se deklarata e Kryetarit neper medie rreth dorëheqjes, gjoja se po mban fjalën, ishte një lojë politike, ose ndoshta mund të jetë një keqinterpretim i medieve ndaj kryetarit, kur shkruan se për shkak të mos mbajtjes së referendumit deri në fund të shtatorit, ai mbajti fjalën e dhëne, dhe dha dorëheqje. Sinishtaj shtoi se Kryetari shpesh arsyetohet se gjoja mediet e keqinterpretojnë.
Ai pyeti Kryetarin të sqarohet a në të vërtet ka dhënë dorëheqje e ndërkohë është tërhequr apo dorëheqja nuk është dorëzuar kurrë, por është ofruar subjektit politik i cili u ka propozuar.
Kryetari i KU Tuz Frano Lulgjuraj së pari tha se mediet nuk e kanë keqinterpretua dhe sqaroi se nuk kishte thëne, as se ka ofruar dorëheqje, as dorëheqje të parevokueshme, por se kishte thënë se jep dorëheqje.
Ai sqaron se ka thënë se do të japin dorëheqje dhe atë e ka bërë duke ia drejtuar atyre që e kanë propozuar për Kryetarë, saktësisht Halil Dukoviqit i cili në konsultim me Nexhat Dresheviq nuk kanë pranuar dorëheqjen e tij.
Lulgjuraj tha se nuk ka vepruar si njerëzit me përvojë të madhe politike. “Jam kap për datet”, dhe i kanë ikur fjalët, tha Lulgjuraj.
Smail Çunmulaj iu drejtua Kryetarit duke e pyetur ku është morali e dinjitet politik dhe e përkujtoi se kjo nuk është hera e parë ku ai premtoi diçka e që nuk e bëri. Ishte koha kur Lulgjuraj ishte nënkryetari i Komunës së Podgoricës i cili deklaronte se, ose do të bëhët Malësia komunë ose ai nuk do të jetë më nënkryetar i Podgoricës, tha Çunmulaj, dhe shtoi se Kryetarit shpesh po i ikin fjalët.
Ai vazhdoi duke thëne se ishin ata, opozita e sotme, e cila ishte në pushtet për katër vite, të cilët dëshmuan se një formë e tillë e vetëqeverisjes lokale nuk mund të funksionojnë e që mund të ishte dëshmi edhe dorëheqja e Kryetarit aktual i cili edhe pse nga radhët e DPS-së kjo formë e vetëqeverisjes prapë se prapë nuk funksionon. Por Kryetari në të vërtet atë nuk e bëri, ato janë vetëm gënjeshtra, tha Çunmulaj.
Nikollë Camaj nga LDnëMZ, tha se Kryetari e kishte për detyrë që dorëheqjen ti dorëzonte Kuvendit, por ai atë nuk e bëri, që tregon se kjo vetëm ishte një spekulim për medie.
Camaj kërkoi nga Kryetari që të njoftojë qytetarët në lidhje me dorëheqjen e tij, e jo që ky njoftim të mbesin vetëm përmes gazetave. Dorëheqja e Kryetarit do të dëshmonte edhe një herë se këtu vërtet diçka nuk funksionon, tha Camaj.
Vasel Sinishtaj sqaroi se dorëheqja nuk i jepet subjektit politik, por Kuvendit dhe ajo nuk diskutohet as nuk votohet por veç konstatohet. Ai rikujtoi Kryetarin se vetë ai kishte thënë se fjala e dhënë ka peshë më të madhe se çdo post.
Sinishtaj foli edhe për statusin e Komunës së Malësisë i cili theksoi se kjo formë e vetëqeverisjes pa kompetenca, pa buxhet dhe mundësi për të vendosur për interesin e qytetareve të Malësisë është e papranueshme dhe tha se në rast që referendumi nuk do të zhvillohet para zgjedhjeve lokale, ai dhe subjekti i tij politik do të ftojnë në bojkot të zgjedhjeve.
Në lidhje me ecurinë e Elaboratit të përpunuar për Komunën e Malësisë, i cili është dorëzuar nga KU Tuz drejt organeve kompetente në Podgoricë, Kryetari i Kuvendit, Fadil Kajoshaj tha se ende nuk është fituar asnjë përgjigje me shkrim nga Podgorica.
Kryetari Frano Lulgjuraj kishte thënë se, poqë referendumi konsultativ nuk zhvillohet deri në fund të shtatorit, ai do të mbajnë fjalën dhe do të japin dorëheqje nga posti i Kryetarit.
Pasi kaloi afati i shtatorit, ai në medie duel me deklaratë se për shkak të fjalës së dhënë, ai jep dorëheqje.
Nga kjo del qartë se Lulgjuraj nuk dha dorëheqje, nuk mbajti fjalën e dhënë. /MALESIA.ORG/