Gjatë orës së Kryeministrit në Parlamentin malazez ndodhi një incident i rëndë verbal ku Milo Djukanovic e quajti vagabond (bitango) deputetin e partisë “Pozitivna” Dritan Abazovic nga Ulqini.
Incidenti filloi kur kryeministri Djukanovic tha se partia “Pozitivna” shërben për mbrojtjen e interesave të mafisë mediatike.
“Partia e juaj është përfaqësuese e mafisë mediatike në Mal të Zi, të cilët e kanë themeluar partinë që të mbrojnë krimin e vet”, tha Djukanovic.
Gjatë intervenimit procedural, Abazovic paralajmëroi Djukanovic-in që kjo është hera e fundit që dikush nga Parlamenti e quan partinë “Pozitivna” mbrojtës i interesave të mafisë.
Pas këtij reagimi të shkurtë të deputetit Abazovic erdhi deri te polemika ku Djukanovic e quajti Abazovic-in vagabond (njeri i pa vlerë) kurse deputetët e partisë “Pozitivna” e lëshuan mbledhjen. /MALESIA.ORG/