105-vjetori i Kongresit të Manastirit

Sot në Manastir (Maqedoni) shënohet 105-vjetori i Kongresit të Alfabetit Shqip.

Autoritetet kanë organizuar një manifestim me akademi solemne në Manastir. Zëvendëskryeministri Musa Xhaferri pasdite do të vizitojë Muzeun e Kongresit të Alfabetit, i shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro.

Në Shkup, Instituti për Trashëgimi Kulturore të Shqiptarëve ka organizuar aktivitete me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit.

Ky përvjetor i Alfabetit e ka gjetur Shkupin gjithashtu në një atmosferë festive, në prag të 101-vjetorit të Flamurit dhe Pavarësisë së shtetit shqiptar.

Me rastin e festës së alfabetit, mesazhe urimi kanë dërguar presidenti maqedonas, kryeministri dhe personalitete të tjera të jetës politike e shoqërore.

Edhe komuna e Strugës është përkujdesur për të shënuar me disa aktivitete 22 Nëntorin – Ditës së Alfabetit Shqip.

Me rastin e 105-vjetorit “Kongresit të Alfabetit” sonte mbahet mbrëmje festive në Pallatin e Kulturës, ku mes të tjerash do të performojnë edhe Orkestra e Qytetit të Tetovës dhe Sh.K.A “Xheladin Zeqiri’’.

Programi i hartuar dhe përgatitur nga komuna e Strugës, me rastin e festave të nëntorit, ka parashikuar një program të ngjeshur me aktivitete kulturore artistike. Këto aktivitetet fillimisht do të zhvillohen nëpër shkollat fillore dhe të mesme, por, për herë të parë mbase Struga do të shndërrohet gjatë tërë javës në qendër kulturore në saje të ngjarjeve kulturore.

Festime edhe në Tetovë. Mbrëmë u mbajt një akademi solemne kushtuar 22 Nëntorit. Kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi mori pjesë në manifestimin e organizuar nga shoqata e pedagogëve shqiptar në nder të 22 Nëntorit- Ditës së alfabetit shqip.

Pak histori

Gjatë zhvillimit te letërsisë shqipe ishin hartuar disa alfabete të ndryshme. Një nga më të fundit ishte ai i krijuar në Stamboll dhe quhej Alfabeti i Stambollit. Mendimi zotërues ishte se shkronjat jolatine nuk ishin të përshtatshme për mbarësinë e shqipes dhe bashkimin gjuhësor kombëtar. Për këtë arsye, shoqëria më aktive dhe e mirënjohur “Bashkimi” në Manastir, thirri Kongresin e Parë të Përgjithshëm për diskutimin e një alfabeti të njësuar. Një alfabet i njësuar do të ishte fillimi i letërsisë mbarë shqiptare. Prandaj më 14-22 nëntor 1908 në Manastir u mblodh Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit.

Në kongres merrnin pjesë 160 delegatë nga mbarë trojet shqiptare dhe jashtë tyre. Kongresin vendosi me votë unanime të lërë mënjanë alfabetin e Stambollit, dhe ta shkruanin gjuhën shqipe vetëm me alfabetin latin me 36 shkronja, i cili përdoret deri në ditët tona./INA/ /MALESIA.ORG/