28 Nëntori në Tuz – Malësi (foto+video)

U festua në Malësi 28 Nëntori, Dita e Shpalljes së Pavarësisë – Dita e Flamurit. Megjithatë, fatkeqësisht në Malësi nuk ka ndonjë organizim të nivelit që do duhet të ishte. Për dallim nga trojet tjera shqiptare, si zakonisht në Malësi festa e shenjtë e kombit tonë shënohet në një nivel mjaft të zbehtë.

Një koncert folklorik i organizuar nga SHKA Dedë Gjon Luli u zhvillua në Q.K.I. Malësia ku morën pjesë edhe SHKA Besa, Ansambli Shqiponja dhe këngëtari nga SHKA Liria, Jasmin Nikaj.

Programi i shfaqur nga këto shoqata kulturo-artistike ishte në nivel dhe u prit shumë mirë nga publiku i cili mbushi sallën deri në vendin e fundit. Ishin shumë nga ata që nuk patën mundësi të hyjnë në sallë si shkak i vendit të limituar në këtë sallë e cila nuk plotëson kushtet për organizime të mëdha.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të subjekteve politike shqiptare nga Malësia, Kryetari i Kuvendit të KU Tuz, Fadil Kajoshaj si dhe ish Nën-Prefekti i Malësisë së Madhe dhe tani Kryetari i Shoqatës “Malësia e Madhe – Nderi i Kombit” nga Kopliku, Sytki Ndrecaj.

Pas koncertit folklorik në Q.K.I. Malësia, festa vazhdoi në restorantin Troja ku ne ritmet e muzikës shqiptare patriotike u festua deri në orët e vona.

Festen e zbukuruan nxënësit 

Edhe pse pa përkrahje të drejtorisë së shkollës fillore dhe asaj të mesme ne Tuz, grupe nxënësish të vetorganizuar festuan 28 Nëntorin me flamuj, këngë e valle.

Sipas informatave tona jo-zyrtare, nxënësit e shkollës fillore “Mahmut Lekiq” nuk u lejuan që të festojnë në brendësi të shkollës por ata vazhduan festën jashtë objektit të shkollës dhe nëpër rrugën e Tuzit.
Nxënësit e shkollës së mesme “25 Maj” festuan edhe brenda objektit të shkollës.

Që festa sado pak të ndjehet edhe në Malësi, numër i konsiderueshëm i familjeve vendosën flamujt shqiptar para shtëpive të veta.

foto/video nga facebook dhe youtube