Ai është i njohur më së shumti për filmat e tij që luajti më yllin e filmave aksion në Hollywood, Jean Claude Van Damme në “Double Impact”, “The Quest” dhe “The Order”.
Mirëpo çfarë të tjerët nuk dinë për të përveç faktit që është një ndër shqiptarët e parë që ka thyer akullin për të luajtur në Hollywood, është se ai është edhe mjeshtër i arteve marciale, ka stërvitur jo më pak se djalin e ish presidentit, Ronald Reagan, dhe deri më tani ka qenë koordinator i më shumë se 26 filmave aksion.
Ai në një intervistë ekskluzive për “Zërin”, ka rrëfyer, për jetën e tij, si ka shkuar në SHBA? Si ka filluar hapat e parë në artet marciale? Kush ka qenë idoli i tij? Si ishte bashkëpunimi me Jean Claud Van Damme? A mbanë ende kontakte me të? Me çfarë është duke u marrë aktualisht? Çfarë planesh ka për të ardhmen si dhe shumë gjëra të tjera.
Zëri: Kush është Pjetër Malota, si arriti deri në SHBA dhe si e ndërtoi karrierën që ai e ka sot?
Malota: Unë kam lindur në vitin 1959 në Malësi, në veri të Shkodrës. Kur kam emigruar në SHBA respektivisht në Detroit në vitin 1973 kam qenë vetëm 13 vjeçar.
Si çdo i ri edhe unë kisha plotë ëndrra dhe shpresa për të ardhmen. Mirëpo së shpejti kur u futa në shkollën e Arteve Marciale që u hap aty afër nesh unë e gjeta pasionin tim në jetë.
Që atëherë kam punuar shumë dhe kamë mësuar shumë për artet marciale, në vitet e 70-ta kur Bruce Lee atë botë ishte i njohur anë e mbarë botës si ylli i arteve marciale.
Kështu që çka do që kam arritur në artet marciale dhe më vonë në filma ishte e tëra si rezultat i pasionit dhe punës së madhe. Në epokën e Bruce Lee, në vitet 70-të unë e morra edhe rripin e zi në Karate. Unë isha një fans i madh i tij.
Ai ishte idoli im dhe ka pasur ndikim të madh në karrierën time. Ai më ka bërë të besoj që një ditë edhe unë do të mund të isha pjesë e filmave aksion.
Zëri: Kur u larguat nga Detroiti për në Hollywood?
Malota: Jam larguar nga Detroiti për në Hollywood në tetor të vitit 1979 si 20 vjeçar për të ndjekur ëndrrën time që të futem në film. Me vetëm një ëndërr, besimin dhe punën e madhe shpresoja që të arrija qëllimin tim.
Sikur thotë fjala e urtë, “Ju duhet të ngjiteni malit për në maje”, në rastin tim ishte që unë duhet ta krijoja malin e pastaj të ngjitesha në të.
Zëri: Keni bashkëpunuar me yllin e asaj kohe Jean Claude Van Damme.Si ishte bashkëpunimi me të ?
Malota: Të punosh me Jean Claude Van Damme për më shumë se 15 vite në 8 filma më duhet të ju them se ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme.
Në vitet 90-të ai ishte ylli numër një në filmat aksion dhe të isha në gjendje të punoja dhe ta ndihmoja në realizimin e filmave të tij, ishte e mahnitshme.
Ai status që unë e fitova nga bashkëpunimi me të ishte një shpërblim i madh. Ndihesha shumë krenar. Kështu që puna me të ishte sikur të punoja me vëllanë tim. Dhe po, ai ishte personi i cili më futi mua në Hollywood dhe edhe sot i them faleminderit.
Zëri: A mbani ende kontakte me Van Damme?
Malota: Jemi në kontakt edhe këto ditë mirëpo aktualisht jetojmë në dy kontinente të ndryshme pasi që ai është duke jetuar në Hong Kong për 7 vitet e fundit.
Zëri: Cilët janë tre filmat më të veçantë që ju keni realizuar me Van Damme?
Malota: “Double Impact”, “The Quest” dhe filmi “The Order”. Ndërsa kam qenë koordinator i skenave të tij edhe në 8 filma të tjerë.
Zëri: Cila është gjëja më e rëndësishme për ju ?
Malota: Më duhet të them familja ime. Ata janë motivimi dhe gjëja më e rëndësishme që kam në këtë jetë.
Zëri: Na trego një sekretë tuajin?
Malota: Kohëve të fundit kam nisur të zhvilloj një hobi të ri. Ai është Golfi.
Zëri: Çfarë të ka mbetur pa realizuar në jetë?
Malota: Nuk e di realisht. Kam qenë shumë i bekuar. E kam shëtitur botën, kam arritur nivelet më të larta në Artet Marciale, kam punuar në më shumë se 26 filma Hollywoodian. Jam shumë i kënaqur.
Çfarë dua të bëjë tani e tutje është ta dua familjen time vazhdimisht dhe ta dua dhe gjithmonë ta bëjë krenare Shqipërinë time.
Zëri: Kush janë aktorët tuaj të preferuar?
Malota: Janë Robert de Niro, Al Pacino si dhe vëllai im belg, Jean Claude Van Damme.
Zëri: Si ishte të ushtrosh djalin e presidentit të SHBA-ve, Ron ( Ronald) Reagan ?
Malota: Kjo kishte ndodhur gjatë viteve 1984 – 1987. Isha si instruktorë në Los Angeles dhe Ron Reagan Junior, ishte një ndër studentët e mi për tri vite me radhë.
Isha shumë krenarë që isha bërë instruktorë i arteve marciale pasi që mu ofrua mundësia të ushtroj djalin e presidentit të SHBA-ve. Atë botë isha shumë krenarë.
Ka pasur raste kur kemi folur edhe për Kosovën me të, pasi që atë kohë Kosova ishte problem në Ballkan.
Zëri: A ke qenë në Kosovë, kur herën e fundit, dhe si po të duket Kosova tani që është bërë e pavarur?
Malota: Kam qenë në Kosovë në vitin 1999 për herë të parë në muajin nëntor. Ishte një udhëtim i shkurtër mirëpo kam kaluar një kohë të mrekullueshme atje.
Jam shumë i lumtur që Kosova më në fund ka fituar pavarësinë e saj dhe ka nisur rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Zëri: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Malota: Jam duke shkruar një Libër për Artet Marciale në shqip. Mirëpo dua të qëndroj aktiv edhe në biznesin e filmave në të gjitha aspektet. Si producent dhe regjisorë.
Zëri: Një mesazh për të gjithë shqiptaret dhe fansat e juaj që janë rritur me filmat tuaj?
Malota: Për të gjithë njerëzit të cilët kanë qenë fansa të mi për shumë vite, dua të ju them që ne jemi shqiptarë që të gjithë. Të gjithë ne jemi ambasadorë të emrit “Shqiptar” për të mirë dhe për të keq. Secili nga ju duhet të kontribuoni me vepra dhe jo me fjalë për emrin “shqiptarë”.
Bëjeni këtë kontribut për të gjithë njerëzit dhe tokën nënë Shqipëri. Me vepra të mira do të nderonim të kaluarën tonë tragjike dhe heroike e kjo është detyra e jonë si shqiptarë.