Promovimi i Shoqatës Patriotike “Malësia e Madhe-Nderi i Kombit“

Me datën 27.11.2013 Shoqata Patriotike “Malësia e Madhe-Nderi i Kombit“ në mjediset e mrekullueshme të Bar-Restorant “ Kështjella Xhafaj “ në Koplik, Malësi e Madhe, organizoi aktivitetin me titull: “MALËSIA E MADHE-NDERI I KOMBIT“ me rastin e promovimit të kësaj Shoqate dhe të 1-vjetorit të Urdhrit “Nderi i Kombit “ për Malësinë e Madhe dhënë nga Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani me date 25.11.2012 në 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë si dhe në kuadër të Festës Kombëtare të 28 Nëntorit.

Vlen për tu theksuar pjesëmarrja e gjerë e të pranishmëve nga e gjithë Malësia e Madhe pa vijë ndarëse si dhe atoritete të Qarkut Shkodër, të NenPrefekturës Malësia e Madhe, përfaqësues të pushtetit vendorë, intelektualë të fushave të ndryshme, përfaqësues nga Shoqata “ Ded Gjon Luli “, SH.A. “ Dukagjini “,  SH.K. “ Treva “ etj.

Një vend të veçantë zë pjesëmarrja e klerikëve të Malësisë së Madhe, Myftia Edmir Smajlaj dhe Famullitari i Koplikut dhe zonave përreth Padër Artan Seli. Ashtu siç morën pjesë edhe kryetari i Shoqatë së Veteranëve të Luftës dhe ai i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve për Malësinë e Madhe zotërinjtë Veli Beqiri e Pashko Toma.

Vetë prezenca e shumtë e bashkëmalësorëve tanë nga Tuzi tregon për një fillim të mbarë për Shoqatën Patriotike “Malësia e Madhe-Nderi i Kombit “ e cila ka për mision të sajin kryesorë pikërisht bashkimin e zemrave të mbarë malësorëve në dy anët e kufirit e kudo ku ata jetojnë e punojnë nëpër botë e veçanërisht në SHBA.
I gjithë ky aktivitet kishte për qëllim ngjalljen e vlerave dhe traditës ma të mire malësore që përshkruan historiografia e shkruar dhe e kënduar për Malësinë e Madhe.
Aktiviteti në fjalë kishte një dekor shumë kuptimplotë dhe mjaft të bukur ku Flamuri Kombëtar Shqiptar zinte gjithë fasadën kryesore të aktivitetit ashtu siç duhet vlerësuar edhe gërshetimi i përshëndetjeve të të pranishmëve me këngët folklorike dhe atyre kushtuar trevës tone Malësi e Madhe.

Aktiviteti në fjalë u ndoq nga shumë media lokale, kombëtare e ndërkombëtare si TV-Kopliku, TV1-channal, TV-Rozafa, TVSH, Top-Channal, Zëri i Amerikës etj.
Punuan në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti: Skenari Gëzim Vuçaj, Drejtuesi Artistik Skender Xhafaj dhe Moderatore e Programit Emanuela Manaj.

Aktiviteti filloi me një këngë me lahutë që i kushtohet Malësisë trime kënduar nga lahutari i njohur i bjeshkëve të Kelmendit Jonuz Delaj, e më pas fjala e mirëseardhjes iu dha pikërisht atij që edhe e bëri të mundur jo vetëm ngritjen e kësaj Shoqate por punëtorit të palodhur të çështjes së Malësisë ish-Nenprefektit të Malësisë së Madhe tashmë President i Shoqatës Patriotike “Malësia e Madhe-Nderi i Kombit “ z. Sytki Ndrecaj i cili mes të tjerash paraqiti edhe pikësynimet e Shoqatës që ai drejton.

Më pas kënduan këngën për Prek Calin dy këngëtarët e mirënjohur të trevës së Dukagjinit Fran Kodra e Ndue Shytani duke ardhur me përshëndetjet e Prefektit të Qarkut Shkodër z. Paulin Radovani, e më pas intelektualit nga Tuzi z. Anton Lulgjuraj i cili përcolli përshëndetjet e rastit për Shoqaten dhe Drejtuesin e saj z. Sytki Ndrecaj.

Atmosfera u emocionua së tepërmi nga këngëtari i mirënjohur Skender Xhafaj me këngën “ Moj e mira e Bregut Cemit “ këngë e këngëautorit mbarëkombëtar Artistit të Merituar të ndjerit Sali Mani si dhe nga kënga      “ Moj Shqipëri Kuq e Zi “ të këngëtarit të mirënjohur të trevës tone e më gjërë të mbarë kombit shqiptar Lindon Camaj i cili shembi “Murin e Berlinit “ për ti hapur rrugë bashkimit mbarëmalësorë e mbarëshqiptarë. Me vëmendje u dëgjua edhe përshëndetja e kryetarit të Shoqatës Atdhetare “ Dukagjini “ z. Ndue Sanaj i cili kërkoj bashkëpunimin e plotë me këtë shoqatë e drejtuesit e tij për të mirën e përbashkët të të gjithë malësorëve. Një gjetje e bukur ishte edhe përshëndetja në vargje e dy humoristeve të grupit “Gaz e Maraz “ përkatësisht Qazim Çela e Gac Kodrina si dhe kënga për Malësinë e Violeta Zefit tashmë një këngëtare e afirmuar e trevës tone.

Më pas në përshëndetjet e tyre intelektualët Vlash Linadi, Kadri Ujkaj dhe Gjok Luli falenderuan z. Ndrecaj për nismen e tij në ngritjen e kësaj Shoqate me një emër shumë sinjifikativ “Malësia e Madhe-Nderi i Kombit “. Këto përshëndetje u përcollën me këngën “Moj Malësi “ të këngëtarit të ri nga Hoti Elderin Dekaj. Dhe mbyllja nuk kishte si të mos i takonte dy zërave melodioz të folklorit malësor Turk Ropaj e Nikoll Buçi të cilët me këngën e naltë kushtuar Malësisë përcollën mesazhin e ecjes përpara drejt takimeve të tjera për një bashkim zemrash e mendjesh për të punuar së bashku për një Malësi pa kufinj.

Duhet theksuar edhe për hirë të transparencës se në këtë aktivitet ishin ftuar drejtuesit e partive politike shqiptare në Tuz-Malësi si dhe drejtues të pushtetit e kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve nën Mal të Zi por që nuk dihen arsyet e mos prezencës në këtë aktivitet.
I gjithë aktiviteti kaloj në mënyrë tepër festive dhe shumë miqësore. /TV Koplik/

FJALA E MIRËSEARDHJES MBAJTUR NË EMËR TË SHOQATËS

NGA Z. SYTKI NDRECAJ PRESIDENT I SHOQATËS   “ MALËSIA E MADHE-NDERI I KOMBIT “  NË AKTIVITETIN E ORGANIZUAR NË KOPLIK ME  DATË 27.11.2013 NË BAR-RESTORANT ” KËSHTJELLA XHAFAJ ”  KOPLIK, MALËSI E MADHE.

Të nderuar pjesmarrës! Zonja e zotërinj!

Që në herën e parë deshiroj t`ju falenderoj për pjesmarrjen tuaj në këtë aktivitet që po e zhvillojmë me rastin e Promovimit të Shoqatës Patriotike “ Malësia e Madhe-Nderi i Kombit “ e njëkohësisht edhe të 1-vjetorit të Urdhërit të Lartë “ Nderi i Kombit “ dhënë Malësisë së Madhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani me 25 Nëntor 2012 në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë si dhe në kuadër të festës së 28 Nëntorit 101-vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë.

Treva jonë me emrin aq të dashur Malësi e Madhe ka qënë është e do të jetë kurdoherë dashuri e pashuar, simbol i besës, i bujarisë e i mikpritjes së madhe, trevë trimërie e paqëdashëse, patriotizmit e atdhetarie të pashoq, aty ku bashkohet tradita me bashkëkohoren, fjala e dhënë me personalitetin, karakteristikat në veshje e në të folur me civilizimin qytetarë, fisnikëria me kulturën shpirtërore e demokratike.

Përjetë mirënjohje të parëve tanë që na e trashëguan këtë truall të begatë, që na bënë të ndihemi krenarë në jetë të jetëve për të qënë bij e bija të denjë të saj. E ne nuk na mbetët gjë tjetër veçse ta meritojmë emrin e malësorit e malësores duke pranuar se jemi gjithmonë pjesë e vyrtyteve më të mira të shqiptarisë.

Pikërisht këtu e ka zanafillen edhe piknisja e shoqatës tonë për të promovuar këto vlera brenda vetë trevës tone Malësi e Madhe, brenda Shqipërisë e viseve të saj e kudo nëpër botë ku jetojnë, punojnë e gëzojnë malësorë e malësore, shqiptarë e shqiptare.

Shoqata jonë do punojë për bashkimin e zemrave malësore larg ndarjeve që e kanë ndjekur këtë trevë e duke afruar gjithmonë një
Malësi të Madhe pa kufinj në rrugën e drejtë si komb i bashkuar në Europen e Bashkuar.

Zëri im e i Shoqatës tonë bashkohet me zërin e bashkëmalësorëve tanë nën Mal të Zi të cilët duan të drejtat e tyre më elementare si Komunën e Plotë të Malësisë, dhe mos cënimin  me vendime politike e jodemokratike nga qeveria malazeze e të  drejtës themelore të mbajtjes së Flamurit Kombëtarë Shqiptarë dhe festimin e festave kombëtare e lokale pa denigrime nacionale.

Ne do bashkëpunojmë ngushtë me strukturat tona qeveritare, me përfaqësitë diplomatike prezente në Shqipëri dhe me Organizmat Ndërkombëtare në mbrojtje dhe për të miren e çdo bashkëmalësori e bashkëmalësoreje e Malësisë së Madhe duke angazhuar për këtë tërë potencialet intelektuale të trevës tonë .

Ne do jemi zëri i arsyes së shëndoshë për bashkëpunim e bashkëjetesë, për mirëkuptim e tolerancë, për afrimitet vëllazëror e shpirtërorë, për stabilitet politik e ekonomik, social e shoqërorë ashtu siç do jemi kundër çdo akti që ka në thëmel prishjen e solidaritetit, paqës e harmonisë fetarë, gjinore, krahinore, racore etj. e që sjellin impakte tek jeta e çdo malësori e malësoreje të trevës tonë Malësia e Madhe në veçanti e për gjithë Kombin Shqiptarë në përgjithësi.

Të jesh malësorë i mirë nuk do thotë të kesh lindur, të jesh banorë apo me prejardhje nga kjo trevë, por sa e don apo bën për trevën Malësi e Madhe, ndaj u bëj thirrje të gjithëve nga Malësia e Madhe e deri në Amerikë kontribuoni për Malësinë e Madhe pasi ajo është zemra e shqiptarisë, vlerë e patjetërsueshme e kombit shqiptarë.

Rroftë treva jonë Malësi e Madhe tashmë prej një viti “ Nderi i Kombit “.
Rrofshin malësorë e malësoret kudo që janë.

Edhe njëherë deshiroj t.ju falenderoj për pjesmarrjen tuaj në këtë aktivitet promovues por dhe festues, ndaj Gëzuar 28 Nëntorin.
Ju faleminderit.