Në këto vite të demokracisë ajo që i ka dalluar krerët e politikës shqiptare në Mal të Zi nga komuniteti shqiptar është amoraliteti politik.
Se është kështu jemi dëshmitarë të gjithë, këtë secili nga ne po e përjetojmë , secili nga ne e shohim , këtu nuk takon parime, nuk shikon realizime të premtuara , gjë që pushteti malazez lirshëm vazhdon të veprojë me kute sipas llogarisë së tij, dhe për këtë nuk bën kompromise që do të çonin në zgjidhje të problemeve të komutetit shqiptar. Si për habi politikanët tonë rrinë larg këtyre dukurive , ata janë vetëm shikues pasiv, nuk duan ta thonë të vërtetën për çështjen e statusit për Tuzin komunë e plotë si të gjitha të tjerat në Mal të Zi. E gjitha ajo që thuhet nga përfaqësuesit e politikës shqiptare bëhet vetëm gjatë fushatave politike, ku pas kësaj çdo gjë mbetet, ndalon dhe nuk lëvizë gjatë gjithë mandatit që ata kanë! Veprimet e tyre të bëjnë të qash dhe të qeshësh, me ngjyrën e dalë boje, pa qenë të zotët t’u dalin përpara problemeve të shumta me të cilët ballafaqohen shqiptarët e këtushëm. Ndonjëri prej tyre edhe mund të dalë me ndonjë deklaratë sa për sy e faqe, siç bëri njëri ditë më parë, por çdo gjë mbetet aty , të tjerët nuk bëzëjnë fare të kënaqur me kolltuqet që kanë zënë, dhe kështu në pafundësi vazhdon kalvari i mosrealizimit të të drejtave të qytetarëve shqiptarë në trojet e veta etnike. Këta me mosveprimet e tyre në kohë të duhur, sigurisht se gjenerojnë vetëm kriza, dhe çuditërisht nuk zbatojnë parimet demokratike, por i deformojnë ato sipas interesave personale. Sa janë të angazhuar përfaqësuesit shqiptarë dhe sa kanë ndikim në politikën e përgjithshme në Mal të Zi tregon edhe miratimi i “Ligjit për zgjedhje dhe përdorim të simboleve kombëtare”. Aty, siç njohtojnë mediet në Podgoricë , sipas ligjit nuk do të lejohet përdorimi i Flamurit Kombëtar në gëzimet familjare, ndryshe parashikohen dënime nga 2 deri në 20 mijë euro! Me këto ligje absurde sigurisht se janë të kënaqur vetëm përfaqësuesit e komunitetit të cilët janë aty sa për të mbajtur një fotele dhe për të aminuar ligjet e vendimet që sillen nga qeveria aktuale, ndryshe…
Pse zvarritet çështja e komunës së Tuzit ? Shqiptarët në Malësi , me qendër Tuzin përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë së atjeshme. Duket se kjo e pengon kryeqendrën e Malit të Zi , ndaj flitet për një status të një komune të veçantë. Sigurisht se e gjitha kjo bëhet për interesa politike dhe ata që e pësojnë më së shumti janë qytetarët e atjeshëm . Nuk ka referendum deklaroi ditë më parë i pari i Podgoricës, z. Miomir Mugosha. Arsyet e dhëna prej tyre gjoja se ai territor nuk ka resurse ekonomike të qëndrueshme nuk qëndrojnë . Të njëjtim mendim në ato vite kishin edhe disa nga përfaqësuesit shqiptar në parlamentin malazias, apo edhe ministri i atëhershëm në Ministrinë për të Drejtat dhe Liritë e Popujve Pakicë, z. Ferhat Dinosha, dhe për këtë vuan ai territor, vuan ajo pjesë e komunitetit që ka mbetur në trojet e veta etnike, vuan për mungesë të transparencës së plotë nga ata që kërkojnë votën e malësorëve, nga ata që vetëm në prag të zgjedhjeve u bie ndërmend se atje ka një komunitet, ka votues, sepse po të ishte ndryshe Podgorica kaherë i kishte “çuar duartë” nga ajo anë. Po të ishte vullneti i mirëfillt i kryeqendrës malazeze, pa intersa politike që në ato vite Tuzi do të ishte komunë e plotë. Kështu vazhdohet me premtime, fjalë e fraza boshe , me shpresë se një ditë kjo do të ndodhë, por tani me këtë deklratë të fundit mbetet pak për të besuar se do të shihet dritë në fund të tunelit. Pavarësisht premtimeve të dhëna nga qeveria aktuale para zgjedhjeve parlamentare se deri në fund të vitit do të organizohet referendumi për Tuzin komunë të plotë, duket se i ka bindur tashmë qytetarët e kësaj hapësire se jo çdoherë duhet besuar atyre që në të gjitha rastet nuk mbajtën premtimet e dhëna.
Tani për mosrealizim të referendumit , liderët e politikës shqiptare kërcënojnë zgjedhjet e ardhshme lokale në Podgoricë, dhe kjo të duket sikur duan të trembin “harushën me shoshë”, në një kohë kur janë bërë palë me qeverinë aktuale , dhe si për habi i shkojnë asaj në prehër pa kurrfarë kërkese dhe si paturp nuk skuqen të thonë “edhe para zgjedhjeve të përgjithshme kemi premtuar se do jemi pjesë e qeverisë”. Atëherë, ku mbeti morali, kur çdo gjë u bë amorale, ku mbetën premtimet e dhëna se nuk do të dalim në zgjedhje kur të gjithë dolën dhe morën aq sa u takoi?!Aty mbeti e gjitha, më gjatë nuk vazhdoi , asnjë pllëmbë nuk lëvizi në këtë drejtim , vetëm se zunë ca vende në parlamentin malazias, çka i konvenon politikës zyrtare të Malit të Zi.
Në anën tjetër u dha pëlqimi nga qeveria që të fillohet me procedurat për Gucinë komunë e plotë, me çka në vete paraqet habi si ka mundësi që kjo të bëhet aq shpejt duke e krahasuar atë me procedurat e ndjekura për formimin e komunës së Tuzit. Jo se kjo nuk duhet bërë, përkundrazi, por pse dhe si ka mundësi të vendoset aq shpejt, apo ndoshta se atje nuk kanë mbetur edhe aq shqiptarë ku pjesën më të madhe të popullsisë e përbëjnë myslimanët dhe malazezët, gjë që po të shikohet hollë- hollë janë një. Sot edhe në njërën edhe në tjetrën qender nuk ka kush tu prijnë shqiptarëve (bile jo kjo strukturë), pavarësisht defilimeve që bëjnë, pavarësisht deklaratave boshe që lëshojnë në medie.
Tani ka ardhur koha që mosserioziteti i tyre të penalizohet, dhe të mendojnë mirë se regjimi aktual i ka shfrytëzuar të gjitha mundësistë për të mos i dhënë Tuzit statusin e komunës së plotë, dhe këta nuk guxojnë të lejojnë të jenë bashkëndërtues të projektit për zbrazjen e trojeve etnike shqiptare në Mal të Zi.
Shaban Peraj