Genc Prelvukaj – Akterëve politik në Ulqin “Mos thoni nën dhëmbë që çuditë zgjasin pak”

genc-prelvukajTë ndëruar akterë politik të Ulqinit

Nuk e di nëse është tërbuar deti atje këto ditë , murrlani në është larg apo ua çon tarabat, a është breshëri e shiu afër, por një gjë është e qartë : marrja juaj më asnjë gjë nuk lahet më. Mos thoni nën dhëmbë që çuditë zgjasin pak, sepse kjo nuk është e bëmë që ikën me dimrin. Kur të godet dikush me thikë shenja mbetet, e ju jo thikë, por sopatë i ratë emrit tuaj, shqiptarëve tuaj dhe historisë që ju rri pas krahëve. Nuk ka faj bariu në Anamal, peshkatari në Shtoj e as bukëpjeksi nën kështjellë por ju që i morët fytyrën atyre para shqiptarëve tjerë përtej maleve.

Prej një grupi etnik që përbën vetëm 5% të popullatës së përgjithshme në rend shteti, krijuat më shumë parti politike se sa ndoshta edhe Republika e Kosovës me afërsisht dy milionë banorë. Dallimet e parëndësishme që vetë investuat në to, për tu kthyer më pas egërsisht kundër njëri tjetrit, mbollën dhembje që ju shpërtheu në gjakderdhje për hunde e goje më pas. Është qartë se në cilin mulli çuat ujë more të “dashtun”.

Dikur Shqipëria e veriut kishte dymbëdhjetë fise, me dallime të mëdha, që kishin bashkëjetuar me probleme të shumta mes vete ndër kohë. Megjithatë edhe në bashkësitë primitive kur rrezikun e kishin në derë, krerët e tyre mblidheshin këmbëkryq pa dallim. Cilën marrëveshje politike mes vete e bëtë ju ? Asnjë, për këtë arsye ua morrën kështjellën nga mbrenda, gjithsesi me pak ushtarë e pa zhurmë.

Më lejoni të ua kujtoj rastin shembullor të Kërçovës në Maqedoni. Partitë politike shqiptare andej dallimet i kanë edhe më të mëdha se ju. Interesat e tyre përplasën në një rrafsh më të gjërë si territorialisht si dhe në numër të banorëve në përgjithësi. Megjithatë në zgjedhje lokale kthyen një Shqiptar në krye të qytetit pas afërsisht njëqind vitesh. Si e bënë ? Sigurisht jo me logjikën tuaj por lanë çdo dallim anash dhe investuan në të mirën e përbashkët. Poashtu edhe në Strugë është i njejti rast. Si nuk i morët shembull ?

Mungesa e bashkëpunimit politik për të vënë në jetë interesat politiko-ekonomike të bashkqytetarëve tuaj, ka bërë që edhe një pjesë e shtresës së re politike shqiptare të aderojë në partitë malazeze, veprim që derivon nga pakënaqësia që kanë ndaj jush. Edhe ata nuk janë të pafajshëm mos keni merak, por fillimisht faji rëndon te ju e pastaj ulet poshtë. Atje kemi individë derisa ju përbëni mekanizmin që do të duhej ta bashkërëndonte interesin e qytetarëve shqiptarë drejt realizimit.

Ditëve në vazhdim partia malazeze DPS mund të kandidojë një shqiptar për kryetar të qytetit nga radhët e saj. Një koalicion me ndonjërin nga ju kjo punë realizohet dhe kjo është goditja e dytë. Ndaj jush do të rendojë faji qe e provuat thëniën e gatuar plot urrejtje, që shqiptarët e duan të huajin për zot dhe janë të lindur për ti shërbyer dikujt. Ndoshta jo publikisht por në tryezat gjithandej ballkanit kjo do shpërthejë.

Sfera juaj e mendimit politik ka reflektuar ngushtësi sepse humbja e forcave tuaja në Ulqin ka irrituar edhe shqiptarët tjerë që jetojnë pak më larg se ju, përbrenda të njejtit shtet. Për dallim nga vendi ku ju humbët, vendet tjera me prezencë shqiptare në Republikën e Malit të zi janë në tehun e ekzistencës duke u përplasur me probleme prej shpërnguljës e deri te çështjet e tjera politiko-ekonomike. Ky “motiv” nuk ju duhej.

Në aspektin e mirëqeniës tërheqja e investitorëve, nuk është parë të bëhët në Ulqin ndonjëherë derisa ju e rrotullonit pushtetin. Si vend bregdetar e turistik do të duhej të ishte ndryshe. Çdo gjë është njejtë për dallim nga çdo vend tjetër përbrenda shtetit malazez që ka shënuar rritje dhe zhvillim ekonomik. Nëse ka pasur politika shtypëse dhe kufizuese nga qeveria e Podgoricës, atëherë kur e këni ngritur popullin në protestë për të sensibiluzuar opinionin e brendshëm dhe ndërkombëtar?

Në tjetër rrafsh, detyrë e juaja nuk është vetëm administrimi dhe qeverisja por edhe udhëzimi i njerëzisë në të mbarë. Pa e banalizuar temën, sa prej jush kanë rekomanduar publikisht heqjën e llagapeve sllave nga mbiemrat që ndeshën jo rrallë ndër shqiptarë atje? Një i lindur para 20 viteve në Shqipëri e Kosovë as nuk e ka më të voglën ide që Andrea Ivanovic mund të jetë Ivanaj, apo Nikola Ivezic të jetë Ivezaj. Në rrafshin nacional sa prej jush kanë provuar të punojnë me boshnjakë të origjinës shqiptare të asimiluar vonë drejt kthimit në identitet ? Njerezia duhet të orientohet sepse shpeshherë nga nevoja ekonomike jetësore disa devijacione që i ka para hundës nuk i sheh vetë pa ndihmën e dikujt tjetër. E shumë e shumë tjera…..

Unë uroj në ditët që vijnë të bëhët një kthesë, që dëshpërimisht e presim nga ju, përndryshe i kemi punët shumë keq ndër vete.

Genc Prelvukaj
Keshilltar politik i Ministrit të Kulturës, Rinise dhe Sportit në Republikën e Kosovës