Kristale & Përparim Rama: Çifti shqiptar që tërheq vëmendjen e botës

Krishtale dhe Perparim RamaKristale & Përparim Rama

Çifti shqiptar që tërheq vëmendjen e botës

Intervistoi: Mirela Sula
 
Kristalja ka lindur në Amerikë dhe vjen nga një familje malësore shqiptare. Ndërsa Përparimi ka lindur në Kosovë por prej vitesh jeton në Londër. Duket se jeta i ka hedhur, jo pa qëllim, komplet në anë të tjera të globit: Secili me një dëshirë dhe energji të pashtershme për të provuar realitetin e përditshëm në botën ku jetojmë, për të investuar dhe për të kapërcyer kufijtë. Secili me shumë ëndrra për jetën dhe dashurinë derisa një ditë fati i ka takuar sëbashku. Historia e tyre na tregon se asgjë nuk është e rastësishme në këtë botë, pavarësisht se ku të hedh fati, gjithmonë e ka një mënyrë për t’u takuar me shpirtin tënd binjak. Ndryshe thuhet, çdo gjë ndodh për një arsye dhe çdo kënd e takojmë për një qëllim. Kristale dhe Përparim janë njohur përmes një komunikimi profesional me e-mail, dhe kur janë takuar kanë kuptuar se janë lindur për njëri-tjetrin. Ndaj Kristalja nuk ka hezituar aspak të lërë jetën e saj në Amerikë dhe të nisë nga e para një udhëtim të ri me dashurinë e jetës së saj. Pas çmimit ndërkombëtar që Përparimi ka marrë si arkitekti më i mirë i vitit, gëzim që e përjetuan sëbashku, tani ata po shijojnë kohën e pritjes së një fëmije i cili do të vijë në jetën e tyre në Qershor. Kanë kaq shumë energji pozitive për të ndare me ne, ndaj ju ftoj t’i përcillni në këtë intervistë ekskluzive, në kulmin e suksesit të tyre. 

Kristale Ivezaj
Lashë Amerikën për Përparimin
 
Jeni një grua e re, e bukur dhe keni investuar për shumë ëndrra në jete. Cilat janë ëndrrat që keni realizuar deri tani?
Kam mbërritur deri ne kulmin e profesionit tim në moshe mjaft të re, në të njëjtën kohë kam ruajtur integritetin dhe sinqeritetin tim. Kam punuar shumë dhe gjithmonë i kam qëndruar pranë besimit tim gjatë tërë jetës, kjo është e skalitur në karakterin tim. Më ka ndihmuar të realizoj ëndrrat e mia në aspekte të ndryshme, si edukim, profesion, aspektin shpirtëror, romancë, aspektin sportiv fizik. Gjithmonë krijoj caqe për veten time, dhe transformoj vizionet e të ardhmes në realitet.

Jeni përkrah njeriut që doni dhe bashkë po përjetoni shumë suksese – a mendoni se kjo është edhe force e dashurisë?
Dashuria është pjesë e çdo gjëje që bëjmë. Që të dy punojmë shumë dhe kënaqemi me shijen e frutave që lulëzojnë nga puna jonë, mirëpo aspekti përbërës i fuqisë së dashurisë tonë është organik dhe spiritual. Që të dy e kuptojmë dhe ndërlidhemi me njeri tjetrin në mënyrë të thelle shpirtërore. Pasi që të dy e kuptojmë vetveten dhe njëri tjetrin kemi mundësi që të çmojmë njëri tjetrin dhe të ndajmë dashurinë e pastër dhe të vërtetë. Suksesi është vetëm një nga frutat e lulëzuara nga dashuria që kemi për njëri tjetrin.

Si do ta përshkruanit marrëdhënien tuaj me Përparimin në këtë stad ku është tani?
Jemi të dashuruar me njëri tjetrin, dhe jemi duke pritur lumturinë më të madhe, bekimin më të lartë që mund ta përjetojë ndonjë person, na vjen fëmija ynë i parë, një jetë e re në Qershor. Jemi duke krijuar familje. Vizionet e të ardhmes dhe ndjenja e rrahjes se dy zemrave janë ngazëlluese. Na ka afruar më shumë se kurrë. Relacioni ynë është multidimensional, e ndihmojmë dhe e përkrahim njëri tjetrin. Ai me të vërtetë është gjysma tjetër e imja.

Lidhje të tilla janë shpesh frymëzuese dhe fuqizuese për çiftin – çfarë ju ka dhenë kjo marrëdhënie dhe si e mbani të frymëzuar atë?
Një perspektivë plotësisht të re. Nuk kam pritur që mund ta dua dikë jashtë familjes time pa kushte. Jam ndjerë e pambrojtur, për shkak se për të dashuruar totalisht, duhet të hapësh edhe zemrën tënde totalisht. Jam shpërngulur prej Amerike në Londër, dhe kam kryer studimet e Master deri sa isha e dashuruar. Për dashuri kam lënë punën, familjen, jetën time në Amerike. Kam rrezikuar çdo gjë – ka qene një vetëbesim i jashtëzakonshëm. Kam ndjekur intuitën time që më ka shtyrë të ndiej se ai ia vlen, dhe për këtë gjë tash jam më e fortë dhe më e ditur se kurrë më parë. Ndihem fatlume se kam arritur të vërej se ky është mashkull i vërtetë, pa njolla, dikush që me të vërtetë më dashuron. Këto ndjenja nuk më kanë ardhur gjithmonë nga mënyra kreative e paraqitjes se tij, mirëpo nga sinqeriteti që e kam ndjerë nga paraqitja e dashurisë së tij ndaj meje.
Që të dy jemi duke e formuar relacionin tonë çdo dite. Për shkak të kohës që kemi kaluar pran njeri tjetrit dhe te gjitha eksperiencave që kemi kaluar së bashku, me kane mësuar shume për kapacitetin qe ka njeriu për te dashuruar. I kemi bashku stilet e jetës, dhe i kuptojmë ndryshimet si fuqi pozitive, dhe dashuria jonë ndërlidhet me çdo gjë që bëjmë. I përqafojmë gjërat e ndryshme të njeri tjetrit. Unë dhe Përparimi debatojmë shumë, bëjmë shumë biseda nga më të ndryshmet si për besimet tona, deri tek ngjarjet e ditës nëpër botë. E mbajmë ngazëllimin e marrëdhënies tonë duke qenë të përfshirë në jetën e njëri tjetrit, duke vërejtur çfarë është me rëndësi dhe duke qeshur shumë. Kjo lidhje më ka dhënë gjithçka, është frymëzuese dhe duke evoluar.

Në fakt si ka lindur historia juaj e dashurisë (aq sa ju mund të ndani me publikun)?
Prej fatit. Jemi takuar aksidentalisht, me e-mail të punës. Kam qenë duke punuar për një kompani në Lindjen e Mesme, duke organizuar konferencë për lideret botëror, familjet mbretërore të Galfit. Perparimi ka qenë i ftuar të prezantojë rreth planeve urbanistike në ‘Future Capitals – Kryeqytetet e të Ardhmes’, në Abu Dhabi në të cilën ai nuk mbërriti për shkaqe personale. Ky komunikim u bë katalist i një numer te madh e-mailash në mes meje dhe Përparimit. Pas disa muajsh, ai po vraponte Maratonen e Londrës për të ngritur fonde për një organizate humanitare Shqiptare në Londër, për të cilën edhe unë bëra një donacion. Perparimi ma ktheu të miren duke më dhuruar një dhuratë për ditëlindjen time nëpërmes organizatës ‘ World Vision’. Ai mbolli 27 pemë në Senegal pas vërshimeve atje të vitit 2009. Kjo ishte absolutisht dhurata më inspiruese që kisha pranuar ndonjëherë. Vazhduam t’i shkruajmë njeri-tjetrit, u dashuruam me njeri tjetrin nëpërmjet shkrimeve. Fjalët e para që i shkruam njëri tjetrit na lanë mbresa të mëdha për njeri tjetrin. Kur më në fund u takuam një vit më pas – ishte dashuri me shikimin e parë. Tash festojmë katër vjetorin dhe jemi të pandashëm.

Para disa ditësh bashkëshorti juaj është vlerësuar me një çmim shumë presticioz në Londër. Si e përjetuat këtë ngjarje?
Me shumë lumturi. Mburrem me Përparimin. Ai është heroi i dizajnit, shpirti i tij kreativ dhe sipërmarrës do të vazhdojë të vlerësohet edhe më shumë. Ky është një çmim shumë i rëndësishëm. Jam e lumtur dhe mburrem që kam qenë pjesë e procesit dhe kam dhënë kontributin për të ndihmuar projektin e 4M GROUP të vlerësohet si një ndër dizajnet më të mira në botë.

Si është një ditë e juaja e zakonshme sëbashku?
Dita jonë e zakonshme nuk është aq e zakonshme. Gjithmonë ka udhëtime të shumta, orë të gjata, mbrëmje sociale dhe befasi të ndryshme me të cilat merremi. Është pyetje e vështirë sepse çdo ditë sjell diçka të ndryshme.

Ju tashmë jeni kthyer në një çift model për shumë shqiptarë – cili do të ishte mesazhi që do t’u dërgonit grave shqiptare që e lexojnë këtë interviste?
Qëndro Femër shqiptare, me këtë dua të them – behu njeriu më i mirë që mund të jesh, versioni më i mirë i vetvetes. Të jesh femër do të thotë të kesh fuqi dhe mundësi të pafund. Do të thotë të kalosh stereotipeve tradicionale dhe atë çka pritet prej teje si femër, dhe të pranosh mundësitë dhe fuqinë tënde se mundesh të mbërrish potencialin tënd përtej këtyre stereotipeve apo barrierave. Baza e jetës shqiptare është shumë fisnike, dhe shume prej nesh jemi rritur ngjashëm, familjet tona na kanë mësuar vlerat, moralet, principet, modestinë. Është shume me rëndësi që ne t’i mbrojmë vlerat tona dhe të besojmë në vete.

Përparim Rama
Kristalja më furnizon me energji pozitive

Sapo jeni vlerësuar me një çmim shumë presticioz si Arkitekti më i mirë, dhe emri juaj është lancuar në një nga ceremonitë më të mëdha në Londër. Çfarë do të thotë për ju ky çmim?
Ndjehem shumë i respektuar që kam marrë një çmim kaq prestigjioz nga profesionistet e industrisë në të cilën punoj. Vlerësimi i lartë, pra vendi i parë në botë, aq sa më jep ndjenjë fantastike, po aq më bën të ndiej edhe më shumë përgjegjësi. Është një katalist që ka thyer një barrierë monumentale. Tash më bën më të fokusuar në gjërat të cilat mund të kenë ndikim më madhor në botën e arkitekturës dhe dizajnit. Më ka dhënë vetëbesim të hatashëm. Ky çmim është solidimi fitues i idesë me të cilën edhe kam filluar këtë projekt: të krijoj diçka me materiale dhe vlera të kulturës dhe të traditës tonë në trojet Shqiptare. Të krijoj themele unike e inovative për një identitet të pjekur në aspektin e dizajnit arkitektonik me gjene nga trojet tona, pra të kulturës, traditës dhe historisë tonë. Mirëpo në të njëjtën kohë të jetë edhe kreative dhe inovative dhe që sjell diçka të re edhe për opinionin ndërkombëtar. Këtë tash e kemi arritur, kemi një vend për të cilin e dimë që është 100% vendor, dhe me këtë tregojmë se nëse shikojmë thellë në shpirtin tonë, në besimin tonë dhe fillojmë prej asaj pike të hulumtojmë, eksperimentojmë, pra marrim guximin që të bëjmë diçka të re që të prezantojmë atë çka është e jona atëherë me siguri se rezultati ka gjasa të jetë shumë më origjinal, interesant, dhe diçka i ri e ndryshe besoj që secili njeri është unik, dhe ka diçka të re unike dhe interesante të ndajë me botën. Nëse fitojmë vetëbesimin dhe kemi guximin që këtë ta nxjerrim jashtë dhe ta prezantojmë tek bota atëherë kreativiteti rritet, dhe ngrihet shume lart. Shpresoj që fitorja ime së bashku me të gjithë ekipin tim në 4M GROUP ka krijuar një platformë të re të vetëbesimit në trojet tona. Ne mundemi!!!!

A e prisnit këtë vlerësim apo ju erdhi si surprizë?
Kur garon në një garë ndërkombëtare në të cilën marrin pjesë kompanitë më të mëdha në botë me reputacion ndërkombëtar dhe prezantojnë dizajne arkitektonike me buxhete marramendëse nuk mbet shumë vend për një vlerësim të tillë. Mirëpo vetë fakti që kemi vendosur të hyjmë në garë ka ardhur prej vetëbesimit se atë që kemi krijuar është me të vërtetë diçka e veçantë, unike dhe inovative. Edhe ndenja ime personale kur gjendem brenda Hamam Jazz Bar është e lartësuar nga aspekti shpirtëror. Hapësira e krijuar vazhdon të më ushqejë me ide të reja. Inspirimi është konstant. Ashtu kam marrë edhe feedback nga vizitorë tjerë për ndjenjat e tyre kur gjenden brenda këtyre hapësirave. Ky feedback më ka dhënë vetëbesim. Fillimisht, në garë me më se 1300 projekte te ndryshme nga bota, nuk kam pritur aq shumë mirëpo menjëherë pasi u përzgjodhëm nga Lista, e më pastaj në shortlist, kam pritur fitoren sepse kam kuptuar që kemi mbërritur ta transferojmë atë ndjenjën magjike të projektit tonë tek vlerësuesit ndërkombëtar. Pra po, kam prit të fitojmë.

Ndërkohë duket pak e pazakontë që një shqiptar të vlerësohet në një metropol kaq të madh siç është Londra – si ia keni dalë të identifikoheni në këtë konkurrencë kaq të madhe?
Duhet te kesh pasion për atë çka e bën. Nuk mundesh të shikosh projekte të ndryshme që kanë bëre të tjerët dhe të mundohesh të besh diçka më mirë, duhet të besh diçka krejt ndryshe që të jesh më i mirë! Sot, në kohën e globalizimit, në kohen kur teknologjia bën të mundur të kesh qasje në informata të pakufishme rreth çfarëdo teme që interesohemi, gjërat gjithnjë e më shume duken më të ngjashme me njëra tjetrën. Kultura e “copy paste” ka bërë që të krijohen hapësira të cilat janë kolazh i veprave të ndryshme të cilat kur bashkohen në këtë mënyrë artificiale humbin kuptimin holistik. Kosova e pasluftës është duke kaluar në një proces të transformimit të shpejtë, mirëpo mungesa e një baze të vetëbesimit dhe të edukimit ka krijuar zhvillimin e disa montruoziteteve urbanistike e arkitektonike në qytetet tona. Është një sens i ngutjes, mirëpo i pa kanalizuar pozitivisht dhe i pa kontrolluar nga parametrat themelor te zhvillimit urbanistiko arkitektonik. Është formuar një “Copy paste”, kulturë e cila ka krijuar punë të pakumptimta të cilat kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një impakt negativ në zhvillimin e jetës tonë nëpër këto vende/qytete. Jam gjithmonë në një hulumtim të një dimensioni i cili mbërrin që të lidhet me të kaluarën dhe ta sjellë të ardhmen në kohën e tashme, në sot, këtu dhe tani, aty ku gjendemi fizikisht konstant. Interesi im dhe stimulimi kryesor ka qene fillimi i një mendimi ndryshe, tjetër, të thjeshtë autokton me materiale bazike mirëpo të përdorura në një mënyrë tjetër, ndryshe, eksperimentale, inovative. Po ashtu të lidhura me kontekstin tonë, që tregojnë dhe prezantojnë shpirtin dhe gjendjen tonë sot. Në projektin e Hamam Jazz Barit loja fillon me baltën dhe kashtën si dy materiale bazike me te cilat kemi krijuar forma arkitektonike te interiorit, dhe te cilat kryejnë një numër të madh funksionesh si nga aspekti funksional i mbytjes se ekos së zërit deri te ai estetik i krijimit të një vazhdimësie hapësinore. Të njëjtat veprojnë edhe si element i fshehjes së strukturave horizontale të cilat për shkaqe të nevojës nga mbrojtja sizmike nuk mund të eliminohen. Pra edhe gjendja ekzistuese e mjerë e asaj hapësire ka qene ndoshta elementi kryesor stimulues për gjetjen e formave inovative të krijuara nga materialet bazike me të cilat është punuar me mijëra vite, mirëpo te cilat ne Hamam Jazz janë të interpretuara në mënyrë kontemperante. Po ashtu eksperimentet me zërin dhe identifikimi i potencialit të këtyre paneleve në aspektin e korrigjimit të ekos ka qenë një element bërthamë i të arriturave nëpërmes këtij projekti.
Energjia e punëtorëve e përdorur gjatë transformimit të një hapësire është një element i cili zakonisht nuk shihet, dhe mbetet i paidentifikuar. Në projektin tonë kemi konservuar dhe ekspozuar këtë energji e cila shihet qartë nëpër muret e Hamam Jazz Barit dhe krijon edhe një dimension të fuqishëm të karakterit dhe suksesit të këtij projekti. Energjia në aspektin e rrjedhshmërisë të hapësirave po ashtu ka rendësi të madhe. Mënyra e organizimit të hapësirave ka impakt të drejtpërdrejte se krijimin natyral të zonave ku mysafiret gravitojnë apo janë në lëvizje. Pastaj hulumtimit me materiale si ndryshkja e hekurit për të fituar patinat e arta dhe zjarrta nga toka, etj, mendoj se koreografia e përbashkët e të gjitha këtyre elementeve ka krijuar dizajnin i cili është vlerësuar si më i miri në botë, dhe ka sjellë fitoren për herë të parë në Prishtinë. Kulmimi ka qene patjetër shkrimi gjenial i Kristales, me të cilin sikurse në mënyrë magjike janë përkthyer karakteristikat shumë dimensionale të projektit në një shkrim gjenial. Shkrimet e saj gjithmonë prekin emocionet. Ashtu edhe ka filluar dashuria ime ndaj Kristales. Hulumtimi im ka qene i fokusuar në besimin se profesioni me të cilin merrem, pra arkitektura, është në shërbim të njeriut. Dhe njeriu është parametri kryesor me të cilin unë merrem. Arkitektura na rrethon, me të jetojmë prej momentit kur zgjohemi deri në momentin kur bëjmë të flemë. Prej momentit kur lindim deri në momentin e transformimit në një energji tjetër. Faktikisht është hapësira me të cilën merrem, dhe ndjenja që ajo krijon në nëndijen tonë, pra në nëndijen e njeriut. Nëse arrin të krijosh ndërlidhjen ne mes nëndijes dhe kontekstit nëpërmjet koreografisë së hapësirave dhe materialeve arkitekturale atëherë shanset janë që projekti do të zgjojë interes më të madh.

Keni arritur shumë në jetë, a jeni i kënaqur me arritjet tuaja dhe kujt ia dedikoni këtë sukses?
Besoj se jeta është përplot mrekulli, ato ndodhin çdo ditë dhe jemi të rrethuar nga to. Mirëpo duhet mësuar t’i shohim, t’i përjetojmë dhe të punojmë me to. Kam lindur në një familje e cila ka çmuar dhe çmon lart vlerat morale të njeriut dhe edukimin. Vlerat morale dhe edukimi janë dy bazat kyçe me te cilat familja ime, babai, Kadrush Rama piktor dhe profesor në Akademinë e Arteve, nëna Nazmije Rama – mësuese, gjyshi Feriz Hoxha arsimtar/profesor i gjeografisë dhe astronomisë kanë pasur ndikimin e vet special në krijimin e karakterit tim. Më dhanë bazën e fortë. Nëse baza është e fortë, atëherë mund të ndërtosh çdo gjë mbi të. Besimi i pamohueshëm dhe konstant që më ka dhënë babai, dashuria e pandalur që më ka dhënë dhe vazhdon të më japë nëna e që fuqia dhe vrulli i pashtershëm i dashurisë se saj ndaj meje nuk krahasohet me asgjë. Dituria e vjelur nga gjenerata të tëra shekullore e të treguara në formë të përrallave të gjyshit Feriz, pra këto janë themele, struktura të pamohueshme mbi të cilat është ngritur suksesi im.

Kush është mësuesi juaj më i mirë në jetë?
Kam pasur fat të kaloj shumë kohë me Gjyshin tim Ferizin prej moshës 3 deri 10 vjeçare. Më kujtohen kohët kur ai më ulte në prehër dhe më tregonte tregime, përralla të cilat ishin të pasura me dituri të mbledhur me qindra e mijëra vjet, që kanë kaluar nga oda në ode, nga një mendje në një tjetër dhe janë shpërndarë si koleksion i diturisë jo vetëm nga trojet tona mirëpo nga mbarë bota. Këto tregime, përralla, kanë pas gjithmonë në to mësimet e urta të dijetarëve të kohërave të ndryshme, dhe këto kanë krijuar një bazë të fortë në identitetin dhe karakterin tim si njeri. Gjyshi Feriz më pyeste çka mendon ti, a ka vepruar drejt apo jo? A mundet edhe ndryshe? Pyetjet kanë qenë pjese e shtjellimit të dialogut mes meje dhe gjyshit tim. Nëse pyetja ime ka qenë a bën kështu apo ashtu, përgjigjja nga gjyshi ka qene edhe një tregim i ri pas të cilit vetë e kam kuptuar se cila është përgjigja korrekte. Gjyshi ka qene një stimulim i pashtershëm i mendimeve te mia. Gjyshi Feriz, apo Babi Li si e kam thirr unë, ka qenë mësuesi im i parë dhe më i miri në jetë.

Shpesh njerëzit e suksesshëm e dinë se ku duan të arrijnë dhe ndjekin me hap të sigurt rrugën e tyre – çfarë ka të veçantë në mënyrën se si ju i ndiqni sukseset tuaja?
Mendoj se shëndeti është numër një, si ai fizik po ashtu edhe mental. Pa to asgjë tjetër nuk ka sens. Jeta është përplot sfida. Fitoret i gëzoj dhe i ndaj me shoqërinë, ndërsa humbjet i marr si edukim. Ndonjëherë edukim është i lirë e ndonjëherë shumë i shtrenjtë, mirëpo gjithmonë mundohem të mësoj prej çfarëdo qe më bie jeta, dhe ta shoh pozitiven dhe të mirën, të mësoj në çdo situatë. Jam i hapur dhe mirëpres jetën, ashtu si vjen. Kam shumë plane, ëndrra, vizione, mirëpo nuk do të thotë që mundohem t’i mbërrij të gjitha patjetër. Planet më caktojnë kahjen ndërsa gjatë procesit tek vizioni jam i hapur për mundësi të reja që më parë nuk i kam parë. Besoj në mendimin pozitiv dhe energji pozitive, ky besim më sjell njerëz pozitiv me energji pozitive dhe kështu mundësitë shumëfishohen. Mundohem të ndihmoj dhe të jap aq sa kam mundësi. Është e mrekullueshme se si energjia pozitive shumëfishohet dhe jeta shndërrohet në një vale dëfryese vetëm duke menduar mirë dhe duke qenë pozitiv. Jam optimist i përjetshëm dhe besoj në mirësi.

Nëse ju pyesin “Cila është historia e jetës tuaj” – si do të ishte përgjigja juaj me një paragraf?
I biri i një nene dhe babai fantastik. Jam shpërngulur në Londër në moshën 16 vjeçare në vitin 1992. Kam mbaruar studimet e Arkitekturës dhe magjistraturën me Distinction. Kam formuar studion arkitektonike në Londër në vitin 2003. Kam vizituar të gjitha kontinentet dhe një numër të madh shtetesh. Jam martuar në vitin 2012 me dashurinë e jetës time, Kristalen. Në Qershor na vjen mrekullia jonë më e madhe deri më tash, vajza, fëmija i parë.

Keni përkrah një grua të bukur dhe të mençur – sa ndikim ka ajo në jetën tuaj?
Falemnderit! Kristalja ka ndikim fondamental në jetën time! Ajo është dashuria e jetës time. Ia kam dhënë zemrën time, e unë e kam të saj, pra në varemi prej njëri tjetrit! Kam nevojë të madhe për dashurinë, lumturinë dhe buzëqeshjet e saj, sepse ato më bëjnë të lumtur dhe më furnizojnë me energji çdo ditë e natë. Ndjehem më i fuqishëm dhe kreativ, vetëbesimi mbërrin në nivel maksimal. Po ashtu nga aspekti profesional. Kristalja ka aftësi të shumta, e posaçërisht aftësi të shprehjes nëpërmes shkrimit. Kristalja është pjesë e pandashme e arritjeve të mia të fundit. Puna e saj e palodhshme, ndihma dhe besimi në mua është rezultati të cilin sot e gëzojmë se bashku. Tash presim edhe gëzimin e mrekullinë me të madhe të jetës, vajzën tonë e cila presim të lindë në Qershor.

Ndërkohë jeni në moshë të re dhe plot ëndrra ju presin për të ardhmen, mund të na zbuloni disa prej tyre
Është shumë e vërtetë, kam shumë ëndrra! Ja disa nga to: Ëndërroj që të kem një familje të lumtur, të shëndoshë dhe të mbushur me përplot dashuri. Ëndërroj që fëmijët tanë të jetojnë në një botë të shëndoshë nga pasiguritë. Ëndërroj që ëndrra e John Lenonit ne këngën ‘Imagine’ të behet realitet dhe Energjia pozitive, paqja, dashuria dhe shëndeti të sundojnë mbi botën. /Albanian Woman/