Me rastin e njëvjetorit të themelimit, më 01.02.2014, OJQ “ LABEATËT “ organizoi një ekspeditë të tipit të hapur njëditore në të cilën kanë patur mundësi të marrë pjesë kushdo.
Hapsira gjeografike për të cilën “ LABEATËT “ janë përcaktuar këtë herë gjendet mes Qafës së Kishës dhe Qafës së Uglës. Ekspedita kishte qëllim edukativ, pasi që hapësira në fjalë ka një përmbajtje arkeologjike dhe historike shumë komplekse.
Eshtë fjala për mbetjet arkeologjike me vjetërsi disa mijëra vjet.
Gjatësia e rrugës të cilën e kaloi ekspedita ishte rreth 10 km. Për ndryshe ishte e paraparë që rruga të jetë e gjatë mbi 12 km, mirëpo kushtet atmosferike ndikuan që ekspedita të përfundojë disa orë më parë.
Rruga të cilën e kaloi ekspedita kishte këtë përmbajtje: Rrënxë e Qafës, Shpellë e Marash Papës ( në Dolec ), Qafë e Kishës, Gropë e Derrit, Kalturk, Lazina, Qafë Ugël, Vuksanlekaj ( kulla ), varrezat munumentale në Vuksanlekaj dhe Muzeu Etnografik i Malësisë në fshatin Lekaj. Hapsira në fjalë disponon me një numër të madh të varreve tumulave ( muranave ) ilire ( mbi 30 ).
Në Vuksanlekajt e sotshëm në shekujt e parë të mijëvjeçarit të parë pas Krishtit gjendej stacioni rromak i quajtur Birziminium ( Birzumena ). Për kët flasin gjurmat e shumëta të objekteve dhe mbetjeve tjera arkeologjike siç janë: Gurët Temela, guri milarë ( milëtreguesi ), fragmente të rrugës së kalldrëmueme, objekte qeramike, pjesë të shtyllave nga mermeri, armë, vegla pune etj. E veçantë është kisha e Shën Andresë me vjetërsi mbi pesë shekuj në Qafën e Kishës, shpella e Marash Papës në të cilën gjatë sundimit turk shërbente për mbajtjen e meshëve shejte, pasi që pushtuesi kishte rrënua kishën në Qafë të Kishës.
Karakteristikë e fshatit Vuksanlekaj është Kulla shekullore familjare e Vuksan Lekës dhe varret monumentale ende të pastudiuara të Vuksanlekajve. Së fundi, ekspedita përfundoi me vizitën e Muzeut Etnografik të Malësisë në fshatin Lekaj të pronarit Shtjefën Ivezaj.
Ekspedita kishte karakter ndërkombëtarë, përveç 22 vendasve “ LABEATËVE “ iu bashkangjit AST ( Alpinizëm- Ski – Turizëm ) nga Elbasani me 32 anëtarë.
Për këtë “ LABEATËT “ veçanarisht falenderojmë Shoqatën në fjalë me në krye Artur Gunin. Gjithashtu falenderojmë Don Gabriel Grabanicën, famullitarin e Braticës ( Ulqin ) i cili poashtu mori pjesë me stafin e vet. Falenderim të veçantë meriton Shtjefën Ivezaj, i cili përkundrejt 79 vjetëve e përfundoi ekspeditën me sukses. “ LABEATËT “ për nder të vizitës që bëri AST nga Elbasani shtroi një koktej modest.
Autor: Luigj Camaj