KU Tuz dorëzon kërkesën për Komunë të Kryeqytetit

Tuzi - MalësiaNë fund të këtij muaji apo në fillim të muajit të ardhshëm do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Parlamentit malazez, ku do të shqyrtohet miratimi i ndryshimit të ligjit për ndërrimin e statusit të Komunës urbane të Tuzit në Komunë të Kryeqytetit.

Udhëheqësia e KU Tuz ka dorëzuar Parlamentit ndryshimet e katër ligjeve përmes të cilave do të definohet statusi i ardhshëm i Malësisë, raporton Analitika.

Ndryshimi i Ligjit për Kryeqytetin, Ligji për Vetëqeverisje Lokale, Ligji për Organizimin Territorial dhe Ligji për Financimin e Vetëqeverisjes Lokale është përkrahur prej 16 nga 21 këshilltarët e Kuvendit të Komunës urbane të Tuzit, çka dhe u jep fund negociatave disa mujore të DPS-së me subjektet politike shqiptare rreth statusit të ardhshëm të Malësisë, raporton po i njëjti burim.

Kundër këtij propozimi kanë votuar këshilltarët e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, SNP-së dhe Alternativës Shqiptare e cila gjatë bisedimeve ishte subjekti më aktiv në drejtimin e promovimit të Komunës së Kryeqytetit.

Bisedimet e DPS-së me subjektet shqiptare dhe marrëveshja që kjo ofertë të kalohet, është edhe një tradhti ndaj qytetarëve të Malësisë. DPS me dhjetëra herë ka premtuar Komunën, gjithashtu dhe subjektet shqiptare deklaronin se për ta vetëm Komuna, ashtu si të gjitha komunat tjera në Mal të Zi është e pranueshme. Si njëra, ashtu dhe tjetra palë shkelën premtimet dhe të drejtën themelore të qytetarëve të Malësisë për një vetëqeverisje të plotë.

Edhe pse deklaronin se vullneti i qytetarëve të Malësisë do të respektohet, ata asnjëherë në asnjë mënyrë nuk pyetën për vullnetin e tyre.
Përderisa subjektet politike shqiptare ishin në negociata me DPS-në, ato asnjëherë nuk njoftuan qytetarët hollësisht në lidhje me çështjet për të cilat po bisedohej, në përjashtim të LdnëMZ-së e cila disa ditë më parë braktisi negociatat.

Sido që të përfundojnë ky propozim ligji, qytetarët e Malësisë janë të tradhtuar edhe një herë. /MALESIA.ORG/