Pavetëdija dhe aftësia manipuluese që çuan në tradhëti ndaj Malësisë

FDI_logo

Pas 24 viteve të demokracisë pluraliste dhe dështimit të partive politike nacionale, në çdo aspekt, del në dritë edhe paaftësia e tyre për të menaxhuar situata tepër serioze që kanë të bëjnë me fatin dhe të ardhmen e trevës së Malësisë.
Forumi Demokratik për Integrim, edhe pse i pa njoftuar, e ka ndjekur çdo hap të partive politike, në lidhje me “negociatat” ndërmjet partive politike nacionale dhe partisë në pushtet për formimin e “Komuës së Tuzit”.
Situata e krijuar disa ditë më parë në një debat televiziv, nxori dy skenar në pah: të paaftët dhe manipuluesit. Paaftësia ishte tepër e madhe e pothuajse të gjithëve, duke treguar që nuk kanë njohuri substanciale për problemin. Ndërsa, grupi manipulues tentonte që të mbushte opinionin me propagandë që gjoja “jemi duke bërë gjëra të mira”. Më shumë ngjanin me ato bisedat në lidhje me “kukullat dhe filmat vizatimorë”, ku njëri nga aktorët në debat fliste në emër të të gjithëve dhe pastaj të tjerët mohonin atë që thoshte.
Paketa e marrëveshjes në mes partive nacionale dhe partisë në pushtet, që çon në ndryshimin e ligjit për organizimin territorial dhe disa ligjeve tjera është tepër diskriminues dhe këtu poshtërimi dhe përbuzja e qytetarëve të Malësisë nga ana e partive nacionale dhe e pushtetit qëndror nuk njeh kufi. Që mos të zgjatemi shumë, do përmendim vetëm disa raste konkrete pse FDI – ja është kundër kësaj marrëveshje në substancë:

1. Emri: Në asnjë dispozitë të marrëveshjes, emri Malësi nuk pëmendet. Kush është ai person që guxon të negociojë me kundërshtarët zhdukjen e emrit të Malësisë së Madhe të Mbishkodrës???!!! Madje, as komuna, sipas marrëveshjes së tyre, nuk do quhet komuna e Malësisë me qendër Tuzin, por thjesht Komuna e Tuzit! Kjo është e papranueshme.

2. Territori: mospërfshirja e të gjithë territorit të Malësisë së Madhe në marrëveshje, do të thotë TRADHTI ndaj Atdheut. Mbeten jashtë territorit të Malësisë këto pjesë: Fundnat, Ledina, Korita, Koshtica, Liqeni i Rikavecit, Kakarriqi dhe Vrellaj. Kjo është arsyeja kryesore që FDI nuk do e nënshkruante këtë lloj marrëveshjeje sepse ata që firmosën, do gjykohen me dëmken e historisë.

3. Drejtësia: Marrëveshja anti Malësi, nuk parashikon as formimin e organeve të Drejtësisë (Prokurorinë as Gjykatën), kjo do të thotë që edhe më tej, për problemet shoqërore në Malësi do të shkohet në Podgoricë. Pra, juridiksioni dhe kompetenca territoriale do jenë të varura nga Podgorica. Pse duhet kështu? Kush negocioi kështu?

4. Varësia: Marrëveshja përsëri e lenë Malësinë nën sqetullën e palarë të Podgoricës. Si mund të formohet komuna e të quhet komunë sipas ligjit me të gjitha kompetenca, në kohën kur sipas marrëveshjes për ndryshimin e ligjeve përkatëse e quajnë “komunë e komunës së Podgoricës”? Kjo për FDI – në është e papranueshme sepse bjen ndesh me Konventën Evropiane për Vetëqeverisje lokale dhe me parimin e decentralizimit të pushtetit.

5. Plantacionet: Në marrëveshjen famëkeqe për ndryshimin e ligjeve përkatëse, nuk është parashikuar se çfarë do bëhet me Plantacionet? Në cilin territor duhet të bëjnë pjesë? Dhe sa përqind të fitimit të prodhimit bruto i takon Komunës?? Pse nuk u diskutuan fare plantacionet? A mos ky është pazari i bërë me partitë shqiptare që të shiten plantacionet dhe mos të guxojë askush të flasë për to???!!!

6. Buxheti: Gjithashtu, në marrëveshje nuk është e përcaktuar se sa % (përqind) do paguajë Shteti dhe Kryeqyteti nga buxheti i tyre për të derdhur në arkën e buxhetit të komunës së Malësisë? Është përmendur në dispozitë shteti dhe komuna e kryeqytetit do derdhin kontribute në buxhetin e Malësisë, por nuk është përmendur shifra në %. Kjo tregon paaftësi në negociata nga pala shqiptare. Megjithëse duket që në pamje të parë nuk ka patur delegacion serioz, sepse kryesisht kanë qenë njerëz që nuk janë njohës të këtyre fushave.

Apelojmë që në mënyrë kolektive, subjektet politike të tërheqen nga kjo lojë e ndyrë që e bën Malësinë siç është Plava dhe Gucia! Kjo që kanë bërë nuk është marrëveshje, por është marrëzhveshje! Nuk është fatbardhë, por është fatzezë! Nuk tregon pjekuri, por lakuriqësi! Nuk tregon njohuri, por tregon paaftësi! Nuk tregon dashuri ndaj Malësisë, por tradhti ndaj Malësisë!
E në fund, FDI – në e keni baltosur duke hedhur shpifje aq të rënda, sikur të ishte armiku më i madhë i Malësisë! Por, tani shihet se kush kanë qenë dhe kush janë armiqët e Malësisë. Ne nuk jemi zëri i shumicës, por as zëri i pakicës. Ne jemi dhe do mbetemi vetëm zëri i së vërtetës për qytetarët e Malësisë dhe shqiptarëve në Mal të Zi.

Kryesia e Forumit Demokratik për Integrim
06.02.2014