Komuna e Malësisë me shkues apo pa të?!

dr Palok CamajE lexova me kujdes artikullin e Ali Canaj ”Ulqini nuk ra, kanë rënë nuset”. Ulqini kurrë nuk ka ra. Eshte mbrojtur nga Ulqinakët. Ulqinit iu desht të dorëzohet pasi që demonstruan në Mediteran flotat e fuqive të mëdha. Perandoria Otomane ishte në shkatërrim e sipër. Shqiptarët ende nuk kishin shtet. “Provincat e Turqisë” kushtonin lirë. Historia po përsëritet. Në Mal të Zi DPS – ja ka shumë nuse, posaçërisht në Malësi. Shkues ishte kryetari i dikurshëm i Unionit Demokratik të Shqiptarëve. Nuset i përgatiten së bashku Sali Berisha dhe Miloja. 

Sot në Malësi, po diskutohet me të madhe për vetëqeverisjen lokale dhe për të drejtat që Malësia të organizohet në komunë. Deri sot, të gjithë subjektet shqiptare parimisht po pajtohen (me perjashtim të Lidhjes Demokratike – dega e Malësisë) që Malësia të organizohet si komunë e komunës së Podgoricës. Si gjithmonë! Eksperimente me Malësinë.

Nuk dinim cfarë të bënim! Udhëheqësit e dy shteteve na thonin: votoni “pavarësinë” e Malit të Zi. E votuam! Pa kushte, e votuam! Edhe Mali i Zi u pranua si shtet pa kushte. Maqedonia u pranua pa kushte. Na porosisnin: “mos u ndëgjoni se e kemi primare themelimin e shtetit të Kosovës”. U pajtuam!

Malësisë nuk iu dha e drejta e barabartë me qytetarët e Malit të Zi që të organizohet në një komunë si të gjitha komunat tjera të Malit të Zi.

Kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve në Mal të Zi i mashtronte malësorët. I binte çiftelisë me “tela amerikanë”. Ndërsa, kënga ishte e Gjukanoviq – it dhe e Salisë. Me Malësinë bënë eksperiment. I ofruan një vetëqeverisje lokale me emër “Komuna Urbane” që ishte eksperiment i vetëm në Europë. Në teori dhe në praktikë. Na premtuan që ky eksperiment do jetë i përkohshëm. Por, eksperimenti u bë i përhershëm. Më tepër se 1 / 3 e Malësisë u boshnjakizua. Për mos me i lënë pa shërbime shpirtërore, në fshatin Milesh, një fshat 100 % shqiptarë, u hap edhe Medresea ku 95 % e studentëve ndjekin mësimin në gjuhën boshnjake (jo shqipe). Ne përsëri kërkonim komunen si e drejtë e vetëqeverisjes lokale. Kërkonim të drejtën si të gjithë qytetarët tjerë të Malit të Zi. Partia Demokratike Socialiste e Malit të Zi pohonte se neve nuk kemi “kushte ekonomike për mbijetesë”. Këtë e deklaroi edhe Gjukanoviq në një intervistë për një televizion në Shqipëri.

Prej viteve 1990 e deri sot, punuam më tepër se pesë “Projekte mbi fizibilitetin ekonomik të Komunës së Malësisë me qendër Tuzin”. Të gjitha projektet dëshmonin qëndrueshmërinë ekonomike të Komunës së Malësisë. DPS kishte në koalicion të përhershëm UDSH – në (Unionin Demokratik Shqiptar). Ata, dhe vetëm ata, mund të ishin anëtarë të qeverisë. Ata, dhe vetem ata, përfaqësonin shqiptarët në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. “Shqiptarët i kanë të gjitha të drejtat”!. Partia shumicë gjithmonë ka mundësi të bëjë koalicion edhe me një parti me 50 anëtarë. Të drejtat e pakicave nuk i mbrojnë partitë politike. Këto të drejta i mbron shteti. Shteti është edhe përgjegjës. Partitë tjera shqiptare ngadalë u gjunjëzuan. Në këtë gjë u ndihmuan edhe disa nga liderët e dy shteteve. Si shembull i pa parë në diplomacion është edhe rasti i Sali Berishës. Në një komunikim në mes senatorit te Michiganit Karl Levin, dhe Ambasadës së SHBA – së në Podgoricë, kjo e fundit deklaron, në mes tjerash: “… Gjithashtu, nëse jeni të interesuar duhet ta dini që Kryeministri i Shqipërisë, i cili vizitoi Malin e Zi më 25 janar 2012, vuri në dukje që Shqipëria respekton progresin e dukshëm që Mali i Zi ka bërë në mbrojtjen e shqiptarëve etnik”. Po, para kësaj letre, brenda një dite, në vizitën një – ditore në Mal të Zi, Kryeministri Sali Berisha kishte deklarua katër herë (tek Gjukanoviq, Roqen, Krivokapiq dhe Llukshiq) se Mali i Zi është shembull në Evropë për respektimin e të drejtave të pakicave. Shqiptarët në Mal të Zi nuk kërkonin kurrfarë autonomie. As shkëputje nga shteti. Kërkonin të drejtat e barabarta. Ishin dhe janë kundër asimilimit të Malësisë.

Këto ditë përsëri pushteti i Malit të Zi, po i ofron Malësisë “komunën “e Malësisë në kuadër të Komunës së Podgoricës! Tani Gjukanoviq e ka edhe më lehtë. Të gjitha partitë shqiptare janë në koalicion me të. Me përjashtim të degës së Lidhjes Demokratike të Malësisë. Përndryshe edhe në Malësi, Gjukanoviq mund të zgjedhin nusen. Të gjithë së bashku, do fitojnë Degën e LD – së. Ngadalë, ky ishte nje proces.

Tani na thonë “duhet vota për Podgoricë”. U duhet faza e dytë që Malësinë ta asimilojnë plotësisht. Mali i Zi është anëtarë i OKB – së. Nuk mund të bëhemi viktimë e një partie. Përndryshe, edhe Nikoliq u thotë partive pro-serbe të bëhen në koalicion me Gjukanoviq – in. Ne nuk kemi për detyrë të jemi kundër as malazezëve dhe as serbëve në Mal të Zi. Nuk votuam as pro as kundra njërit apo tjetrit grup etnik.. Ajo as nuk ishte pyetja. Votuam për shtetin e Malit të Zi. Ajo është e drejta e çdo qytetari. Edhe në Austri shumica janë gjermanë. Por, dallohet shteti nga kombi. Përndryshe edhe në John Hopkins University, Ministri i punëve të jashtme të Kosovës Hoxhaj dhe Sllobodan Pertoviq, zëvendës / kryeministër dhe ministër i vetëqeverisjes lokale, deklaruan se marrëveshja në mes të Serbisë dhe Kosovës është marrëveshje historike. Të njëjtën gjë, në Këshillin e Sigurimit, Hashim Thaçi do deklarojë se marrëveshja me serbët është shembull për botën. Le të jenë.

Dëshirojmë mardhënje të shkëlqyera në mes të Shqipërisë dhe Malit të Zi (sikurse deklaroi Ministri Bushati). As nuk kemi pretendim të zgjedhim kush do udhëheqë Malin e Zi. Malësia ka votua 98 % për Malin e Zi. Ashtu na sygjeruan. Por, edhe ne deshtëm. Por, kësaj radhe presim që shkuesit të mos gjejnë nuse te reja në Shqipëri. Kemi mjaft në Malësi. Na i sollën Berisha e Miloja. Në bashkëpunim me UDSH.

Prof. Dr. Palokë CAMAJ, Esq.
New York.
Specialist i të drejtës ndërkombëtare
dhe mardhënieve ndërkombëtare