Të gjithë ne duhet t’jemi të vetëdishem që skeptikët parimisht i karakterizon vënja në pyetje e fakteve, opinioneve apo besimeve të deklaruara si fakte. Sa i perket skepticizmit politik, përvoja e subjekteve nacionale shqiptare në Mal të Zi më së miri na ka mësuar që ky fenomen (hezitim për të vepruar), pavarsisht nga ajo që në disa raste mund të jetë element konstruktiv, në shumicën e rasteve të deritanishme, e kemi parë që ka rezultuar si joproduktiv, për çka mes tjerash dëshmon edhe pakënaqësia e përgjithëshme politike ndër shqiptarë. Në skenën tonë lindin probleme në momentin kur skepticizimi ka burimin nga friga e ndryshimeve, gjegjesisht hezitimi për të vepruar, e që për fat të keq tonin, duhet pranuar se vështir që mund të jetë ndryshim në drejtim të diçkaje më e keqe sepse realiteti i tanishem i Malsisë nuk është aspak për tu lakmuar as për tu ruajtur. Përkundër kësaj, ata që e kanë kaluar jetën politike në ketë mënyrë, duke qëndruar “patriot” dhe “burrëror”, përdorin formulen e sigurt: derisa nuk vepron as ske nevojë të frigohesh se mund të gabosh sepse kur nuk vepron as nuk mund te gabosh.
Përdorimi i shprehjes “Tepër e mirë për të qenë e vërtet” është tipar identifikues i skeptikeve politik, të cilët krijojnë përshtypjen se ata kanë frig nga çfardo lloj ndryshimi i mundëshëm, duke e bazuar skepticizimin në atë që diçka mbase është tepër e mirë – prandaj gjasat e mira janë që është e rrezikshme. Si rrjelloj e kësaj logjike të çuditshme duhet ruajtur ata çka kemi, duke refuzuar marrien e përgjegjësis apo e veprimeve përkatëse. Të njëjtit nuk hezitojne që tjerët, të cilët marrin pergjegjësinë të veprojnë, e që janë në kërkim të mjeteve për ta përmirsuar situatën, t’i quajn joparimorë dhe njëkohsisht të fitojnë poena politike në kurriz të kësaj. Për një moment, kjo jep përshtypjen sikur ne vertet duhet të jemi të kënaqur me atë që kemi, prandaj duhet ruajtur status quon, sepse mund ti humbim të gjitha këto “të mira”. Simbas kësaj i bjen që ata të cilët nuk e ruajnë status quon ka gjasa të mira të jenë tradhetar të status qous, e i cili në fakt është degradues dhe nuk duhet ruajtur por ndryshuar. Pikërisht kjo strategji politikëbërse, këtyre skeptikeve ju ka mundësuar mbetjen në sken me vite të tëra, por sa i përket interesave të qytetarëve kjo strategji e tyre ka dhenë rezultate sikur mbajtja e ujit në grusht. Prandaj është normale që sot qytetarët kërkojnë ndryshime urgjente, të cilët nga ne kërkojne rezultate, që të kemi kompetenca, jo të ruajmë këtë status të shkret, i cili të çon në ecje mprapa.
Jetësimi i deshirës së përgjithshme të qytetareve për ndryshime në ketë drejtim, u procesua pikërisht me propozimin e Iniciativës qytetare, pastaj për fat të mirë hasi në mirëkuptim edhe nga subjektet e tjera nacionale, të cilët të vetëdishme për ketë domosdoshmëri pranuan që ndryshimet e një rëndësie të tillë, për hir të intereseve më madhore, duhet ti zhvillojmë sa më unik. Është shkuar drejt asaj që te evitohen “pazarlliqet” individuale partiake dhe ndryshimet ti mbështesim në bazë të një procesi negociatash të cilat do të jenë sa më transparente dhe vazhdimisht nën mbikqyrjen e faktorëve të jashtëm.
Negociatat, siç e kërkon natyra e tyre, nisen dhe fillimisht u bën vërejtje të ndryshme, pastaj ndryshime, përseri vërejtje pastaj verzione të reja me ndryshime, dhe në fund kur u afrua koha e përmbydhjes së bisedimeve, doli rezultati: Komunë me buxhet (të ardhurat vetiake me rembursimet vjetore për shkak të projekteve të parealizuara); Kompetenca si gjitha komunat tjera; Teritor që përfshin të gjitha bashkësit lokale dhe vendbanimet që ka Malsia (poashtu edhe mundësia që të themelohen bashkësi lokale të reja dhe mundësia që në të ardhmen të organizohet referendum për gjithë teritorin e Komunës apo një pjese të saj, qoftë për hir të emrit të Komunës apo shkëputjes në tërësi të saj nga kryeqyteti, por kuptohet me vullnetin e votuesve në atë referendum e jo me dëshirën tonë apo atyre që mëndojnë ndryshe nga ne.
Sigurisht se as pala tjetër nuk i ka lejuar vetes të lëshoj krejt litarin sa ju përket kërkesave të tyre, luks i cili rrjedh nga monopoli i sjedhjes (ndryshimit) të ligjeve. Prandaj ka insistuar fuqimisht që qytetarët e Malsisë të votojnë edhe për Podgoricën dhe në këtë pjesë kanë qën kategorik. Tek ne ka mbet të vendosim a dëshirojmë të vazhdojmë me komunë urbane apo me këtë komunë me kompteneca të plota por me të ashtuquejtën “vot e dyfisht”, në kuader të kryeqytetit.
Secili nga ne duhet ta kuptoj çka nenkupton fjala “negociata”. Për ata që e kanë të paqartë, ato paraqesin një dialog mes dy apo me shumë palëve, të cilat mbahen për të afruar pikat dalluese dhe që çdo palë të luftoj për zgjedhjen më optimale në interes të përfitimeve që përfaqson, lidhur më një çeshtje. Pra, gjatë procesit të negociatave secila palë mundohet të fitoj sa më shumë dhe të lëshoj sa më pak, por është rregull që asnjëra nuk fiton optimumin e dëshiruar.
Në këtë pikë duhet të rikthehemi që të kujtojmë se Iniciativa qytetare ishte e vetmja e cila nga viti 2006 e deri sot bëri çdo lloj përpjekje të mundur në mënyrë që të sjelli Komunën, ashtu siç janë komunat tjera në Mal të Zi, madje edhe më shumë. Bëmë Propozime ligjesh ne Parlament, Propozime për marrje vendimesh në Kuvënd të KU, iniciativa të ndryshme, Elaborat, kërkesa për referendum dhe çdo mënyrë tjetër të parapar me ligj. Prandaj i pyetesim skeptiket politik dhe “ruajtësit” e burrërisë malësore: Ku ishit ju gjithë këto vite? Çka bëtë deri sot? Ku janë përpjekjet tuaja pos fjalëve prozaike plot emocione? Çka u bë me projektin për regjionalizimin apo qëllimi ishte dhe mbeti të mos arrihet Komuna?
Nuk kemi qëllimin të akuzojmë askënd individualisht sepse siç u cek çdokush e ka stilin e vet të (mbi) jetuarit politik, por duhet ditur që për të çuar çështjen përpara në rrethana politike në të cilat ndodhemi duhet punë, dituri, vizion, sakrificë dhe marrje e përgjegjësisë së veprimeve të cilat tingellojnë “tepër mirë për të qenë të vërteta”. Të njëjtit që sot, të parët thyen unitetin, jo shumë kohë më parë kundërshtuan edhe kërkësen tonë për referendum. Ç’rastësi!
Me hyrjen në negociata, të gjithë ishim të vetdishem që si një ndër mjetet më të papëlqyera për të ardhur deri tek kumuna, asnjëra nga palët nuk do të fitoj optimumin e interesave. Pra, as partia në pushtet nuk do lejoj të humbi kryeqytetin, as ne të fitojmë atë që është ideale. Sa i përket kësaj duhet cekur inkorporimin e mundësisë që kuvëndi i ardhshëm mund të marr vëndim mbi organizimin e referendumit, por shtrohet pyetja se si ndryshe të kaloj referendumi përveç përmes unitetit shqiptar. Uniteti ishte i vetmi faktor që na ka munguar si grup, sepse kërkesat tona shpesh janë penguar nga vet ata që poashtu kanë të njëjtat kërkesa. Por realizimin e tyre, kinse nuk e duan përmes referendumit e në të njëjtën kohë nuk e kanë idenë se si dhe me kënë do ta sigurojnë shumicën në parlament. Në fakt as kan propozuar asgjë, kështu që as ju duhet shumica parlamentare, madje as se përmendin atë, por as ndonjë mjet tjetër të mundshëm për t’ja arritur asaj çka deklarohen se kërkojnë. Mënyra tjera, përveç këtyre që ne si grup kemi provuar, ndoshta mund të gjeni në teori, parime apo praktikën ndërkombëtare dhe në rast se ato egzistojnë, secilit i rrim të gatshëm që të na i hapin horizontet me diçka që nuk kemi provuar. Por përseri ju pyesim: Ku ishit deri tani?
Vlenë të përmendet thënja televizive e Kryetarit të LD ne Mal të Zi, dega e Malsisë, i cili në përpjekje për të arsyetuar shprehjen e entuziazmit por njëkohësisht duke shprehur ngurimin përdori shprehjen: “Tepër mirë për te qenë e vërtet” (angl. “Too good to be true”). Ky i fundit duke provuar të jap sqarime për daljen nga uniteti i premtuar, këto ditë po del me deklarata të ndryshme, por që në esencë “mbështetën” në një nen nga Propozim Ligji mbi kryeqytetin – neni 41. Mes tjerash deklaron se “ky ligj nuk do të sjelli ndonjë të mirë qytetarëve”. Me ketë rast duhet konstatuar që qëllimisht apo jo mbet borxh që opinionit së paku ti jap një sqarim në lidhje me këtë nen kaq të dëmshëm.
Qytetarët e Malsisë duhet të ishin kalitur duke ndëgjuar për më tepër se dy dekada prononcime të tilla politike, të cilat siç do shohim disa nuk duan ti braktisin as kësaj rradhe. Pse nuk flasin zotrinjët në lidhje me kërkesat (nismat) e tyre? Po si të flasin kur as ne as qytetarët nuk patëm rastin të shohin nga ata as projekte ligjore dhe as propozime për të marrur statusin e komunës. Nuk kemi parë nga ata iniciativa për komunë, as referendum (madje sipas tyre referendumi nuk ishte mënyrë as rrugë për të fituar komunën). Nuk u lodhën as me Elaborate për arsyetueshmërinë ekonomike, e as projekte Ligjore që Malsia të jetë komunë. Por gjithnjë pamë se ishin pjestarë të pushtetit dhe që dy dekada me përfaqësues në parlament. Pamë se edhe “dreqin e thirren daj” kur patën nevojen e tij veçse të jenë pushtet, gjithëherë ishin afer pushtetit sikurse edhe sot në Ulqin përmes koalicionit me Partinë demokratike. Nuk po na e thonë se ç’të mirë i sollën qytetarëve të Malsisë deri më tani, përveçse tendencave që edhe sot të prodhojnë përçarje, ndërsa të tjerët ti klasifikojnë në “patriot” apo “tradhëtarë”. Si mund të ndodhë që të gjithë ishin në njërën anë – unik e “tradhtar” ndërsa vetëm një degë e subjektit shqiptarë po na qënka personifikim i patriotizmin të pastër, e pastaj me vehte tërheq anëtarin e vëllaznisë së vet.
Ishim dhe tani jemi të vetdishem që ky nuk do të ishte optimumi, madje kjo vetëm paraqet edhe një përpjekje tonën të rradhës të cilën deshëm ta provojmë që në të ardhmën e shpejt përmes kësaj të kemi mundësin të krijohet ajo çka të gjithë e duam. Mbetet të shohim a do të kaloj në parlament apo edhe kësaj rradhe do të vërtetojnë padrejtësinë të cilës po i ekspozohemi me dekada të tëra dhe a do të mbijetoj parimi i fuksionimit të skeptikëve politikë: le të të dështoj edhe kjo ide – mbesim me komunë urbane, pa teritor, pa kompetenca dhe pa buxhet.
Për mos tu marrur me shkresa tepër të gjata, ne po ju përkthejmë nenin 41 të Propozim Ligjit për kryeqytetin nga i cili, sipas mendimit të tyre, nuk mund të dal asgjë e mirë për qytetarët e Malsisë!
Neni 41 i Propozim Ligjit për kryeqytetin
“Konfliktin e kompetencës në mes organeve të administratës lokale dhe shërbimeve publike të komunës i zgjedh kryeadministratori i komunës.
Konfliktin e kompetencës në mes organeve të administratës lokale të komunës dhe organeve të administratës të kryeqytetit i zgjedh kryeadministratori i kryeqytetit”.
Kaq sa i përket nenit të shumëpërfolur të këtij Ligji. Mirëpo për ata që se kanë drejtësinë si profesion e nuk dëshirojnë, së paku si njerëz të politikës të thellohen në këtë lëmi, ja se çka shkruan në Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, kur është në pyetje konflikti i kompetencës:
Neni 26
Qeveria e Republikës së Malit të Zi (në tekstin e mëtutjeshëm: Qeveria) zgjedh konfliktin e kompetencës në mes ministrive, organeve të administratës, ministrive dhe organeve të administratës, pastaj ministrive dhe organeve të administratës dhe organeve që kryejnë punë të administratës shtetrore.
Neni 27
(1) Kur dy organe deklarohen si kompetente ose si jokompetente për të njëjtën lëndë, propozimin për zgjedhjen e konfliktit të kompetencës e jep organi i cili i fundit ka vendosur për kompetencën e vet, e mund ta dorëzoi edhe pala.
(2) Organi që zgjedh konfliktin e kompetencës në të njëjtën kohë do ta anuloj vendimin të cilin e ka sjellur organi jo kompetent, rrespektivisht do të anuloj konkludimin me të cilin organi kompetent është shpallur jo kompetent dhe do ti dergoj lëndën organit kompetent.
(3) Kundër vendimit me të cilin vendoset për konfliktin e kompetencës pala nuk mund të ankohet as të ngre kontest administrativ.
(4) Normat e nenit 21 paragrafi 2 të këtij ligji zbatohen në të njëjtën mënyrë si në rastin e konfliktit të kompetencës.
Për ta bërë edhe më të qart pikën 4, ja çka përcakton norma e nenit 21 paragrafi 2 i Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative:
“Secili organ kompetent vendor do të kryej në trevën e vet ato veprime procedurale të cilat nuk durojnë zvarritje”.
Po publikojmë edhe vendimin e Gjykatës kushtetuese në lidhje me iniciativën për zgjidhjen e konfliktit të kompetencës. Të tjerëve ju referojmë që të merren me ligje për ti sqaruar vetës se kush dhe si formohen gjykatat themelore dhe se pronë e kujt janë vreshtat? Për ne është dhe mbet me rëndësi se e kujt është prona e patundshme – toka është e jona.
Të nderuar qytetarë, të nderuar vëllezër dhe motra nga diaspora, të nderuar dashamirë të Malsisë,
Se kush po “gabon” dhe kush po “tradhton” Malsinë do ta shohim shumë shpejt. Në zgjedhjet e para lokale do të shohim se kush do të garoj dhe kush do të kërkoj frytet e këtyre projekteve ligjore. Një është e sigurt: jemi duke punuar për të mirën e Malsisë dhe qytetarëve të saj me vepra e jo me deklarata pseudopatriotike apo emocione kombëtare dhe besojmë që secili nga ne, në votat e ardhshme, si edhe çdo herë deri më tani, do të marr notën e merituar përmes votes së qytetarëve.
Të gjitha hallet tjera siç janë emri i komunës dhe lidhja me kryeqytetin përmes të ashtuquejturës “votë e dyfisht” do të mund ti zgjedhnin vetë qytetarët në referendumin komunal i cili është përcaktuar përmes këtij ligji. Të vetmën që ne presim si shpëtim është ruajtja e unitetit në mes vetë subjekteve politike shqiptare, pa të cilin as Komuna ashtu siç e dëshirojmë të gjithë nuk do ta kishte kuptimin e plotë të fjalës.
Shërbimi informativ i Iniciatives qytetare – Tuz, 14.02.2014