Reagim i LDnëMZ, Dega e Malësisë

logo_lidhja-demokratike-ne-malin-e-zi2PËR CILIN UNITET ISHTE FJALA?

Të jesh skeptik e të mos i besosh atij që të mashtron disa herë, nuk është ndonjë mençuri e veçantë. Është vetëm ikje nga kurthi që të mos dalësh përsëri naiv në dëm të popullit tënd. E nëse kjo bëhet me qëllim, nuk quhet më naivitet, por manipulim ose tregëti.

Ne nuk deshtëm kurrë e as që duam të mashtrojmë apo të manipulojmë me njerëzit tonë. Asnjëherë nuk tentuam të prishim unitetin ndërshqiptar, përaq më tepër, çdo herë ishim të gatshëm për unitet, madje edhe në dëmin tonë. Këtë e kanë të njohur edhe zotërinjtë nga IQ! Por jo, nuk ishim dhe nuk jemi të gatshëm për unitet në dëm të Malësisë. Me qëndrimet tona ne çdoherë ishim vetëm kundër unitetit me PDS-në.
Këte tentuam edhe kësaj radhe, por si duket nuk ia dolëm. Se nuk ia dolëm, më së miri e dëshmon fakti se të njëjtën ditë, nga IQ dhe PDS (Nikollë Gegaj) dalin deklarata me të njëjtën përmbajtje dhe të njëjtin mesazh: “Lum Malësia me komunën e kryeqytetit”! Por pervoja jonë, e besoj se edhe e tërë Malësisë, me PDS-në, na mëson se këtu kemi edhe një hile të re, e që e dëshmon edhe brendia e akteve të propozuara.

Duhet ditur se ato akte i kanë zbërthyer e komentuar edhe specialistë të tjerë, krejt neutralë, e jo vetëm ata të IQ-së. Base IQ nuk e mban ekskluzivitetin në këtë lëmi?!
Kësaj radhe nuk duam t’i komentojmë nenet e ligjeve, sepse dëmi nga ato është më i vogël sesa forma e vetqeverisjes lokale që nënshkruasit e KËRKOJNË, por nuk mund të kapërcehen dy çështje: komuna e Kryeqytetit me ligjet e propozuara nuk ka territor të vetin, sepse ai është i tëri territor i Kryeqytetit (këtë e siguron mënyra e të shkruarit, e jo norma juridike), dhe neni 41, paragarfi 2 i Propozim ligjit mbi Kryeqytetin, të cilin IQ e paraqet si diçka irelevante, e në fakt është shpatë e Demakleut mbi çdo “lëshim” tjetër që ka bërë Podgorica.
Prandaj, mbrojtësit e këtij eksperimenti të ri rrezikojnë të merren për naivë, që nuk e besojmë të jenë. Sido që të jetë, ata i ranë mohit unitetit që kishim, për të mos pranuar gjë më pak se komunën e plotë. Megjithatë, ne nuk prisnim një reagim të këtillë të IQ-së, një reagim kaq denigrues, me të cilin u shpall luftë të gjithë kundërshtarëve të kvazikomunës së projektuar në laboratoritë e PDS-së. Ata, jo vetëm se u shpallën luftë subjekteve rivale në arenën politike, por edhe diasporës e ekspertëve të ndryshëm, të cilët ishin “pa mahan” kur e përkrahnin IQ-në.
Për më tepër, ne ishim në pritje që të na bashkëngjiten, sepse ashtu deklaruan tërë kohën, që nga themelimi! Këtë sallto mor(t)ale të IQ-së nuk e prisnin shqiptarët e këtushëm, e besojmë as anëtarët e saj. Nuk e dimë pse i tërë ky mllef e kjo panikë!

Duke mos dashur të shpallim patriotë e as tradhtarë, duhet publikuar fakti se derisa ato që i thonin në publik, e që dukeshin Bibël e Kuran, sepse ata u themeluan për t’i sjellë Malësisë komunën, me çka na siguronin se nuk do të përkrahet asgjë më pak se komuna e plotë, në anën tjetër ata kishin pranuar bisedimet me Maroviqin e Vuçeliqin për këtë surrogat komunë që sot po i servirin Malësisë.
Duhet theksuar fakti se në takime shkonin vetëm ata (ASH dhe IQ) e jo të gjitha subjektet, “për të evituar pazarlliqet” siç shprehen! Te tjerat i kyçen në finish, siç duket sa për të ndarë përgjegjësinë, e për tu dukur unik! Por, unik, rreth çkahit? Natyrisht se LD një gjë të till kurrë nuk do ta pranonte dhe kjo nuk kishte nevojë të hidhëronte askë. Ne provuam që edhe atyre tua tregojmë rrugën përmes deklaratave, pa i fyer as ofenduar, por ata si duket kishin zgjedhur rrugën e vet. Prandaj ne hoqëm dorë nga “uniteti” që na ofruan, duke mbrojtur kështu qendrimet e LD-së, por edhe zotimet e përbashkëta për t’i thënë JO ekpserimentit të Mugoshës (shih foton), të cilat ata i braktisën. Pse-në e dinë ata, dhe ne nuk po i gjykojmë, jo se nuk e meritojnë, por menduam se duhet lënë dyert hapur, ndërkohë që ata po provojnë t’i mbyllin ato, madje edhe duke “kërcënuar” me rezultatet e zgjedhjeve.
MUGI2Edhe pse deklarata e tyre më tepër flet për IQ-në se për ne të tjerët, kemi obligim ndaj lexuesve që të përgjegjimi se ku ishim ne e ku ishin të tjerët gjatë gjithë këtyre viteve. LD ishte në ballë të çështjes kombëtare atëherë kur nuk ishte fare e lehtë, kur një pjese e IQ-së së sotme ishte në birat e minit apo nëpër parti malazeze. Por falë manipulimeve me masat e gjera, të cilat, për fat të keq, shpeshherë japin rezultate, LD nuk fitoi mbështetjen e duhur që të ketë forcën për të realizuar programin e vet. Kjo sepse forcën për të vepruar e fituan ata që manipuluan me ndjenjat patriotike të malësorëve dhe pastaj i kthyen shpinën Malësisë. Njëherë fituan ata që “merrnin frymë me mushkëritë e Ded Gjo’ Lulit”, e të gjithë e dimë se sa i dolën zot çështjes. E pastaj fituan ata që premtuan komunë të plotë “sot e jo nesër”, dhe ne po shohim se çka na sollën.
Pra, ata jo vetëm se po e pranojnë që Malësia të mbetet pjesë e Podgoricës, çka do të mund të arsyetohej disesi, sepse forcat tona nuk janë të atilla që të mos e pranojmë, por po e promovojnë, bile më zëshëm se partia në pushtet, për të cilën, në deklaratën e vet IQ-ja nuk ka asnjë fjalë të keqe. Në anën tjetër nuk ngurrojnë të mbajnë ligjerata patriotike duke kontestuar kontributin e të tjerëve. Kontributi i LD-së mund të kontestohet vetëm nga dashakëqinjtë e së vërtetës, sepse, vetë fakti se ajo mbajti ndezur qiriun kombëtar në kohëra kur frynin erëra tejet të forta e të rrezikshme, është një kontribut që nuk meriton të heshtet. Zëri i saj u dëgjua në ditët më të vështira për kombin tonë! Edhe kundrejt barrierave, LD arriti t’i japë kontribut të dukshëm çështjes kombëtar shqiptare në Mal të Zi dhe jashtë tij. Po veçojmë me këtë rast vetëm faktin se kërkesën e parë për themelim të komunës e procesuoi mu kjo parti, së pari në gusht të vitit 1994, e pastaj në vitin 1997.

Ne, me siguri lamë shumëçka pa krye, sa për shkak të mungesës së forcës politike, apo të mosgjetunisë fillestare në politkë, poaq edhe për faktin se nuk donim që me kompromise të kalbura politike të sjellim gjysëmzgjidhje diskriminuese për popullin tonë. Sa i përket referendumit, që ata kurrë se patën ndër mend ta organizonin, e duan të hjellin përgjegjësinë diku tjeter, ne asokohe u thamë haptazi se referendumi i cili ndan mund të sjell vetëm dëm, gjë që e dinin edhe ata, por e promovonin për t’u pëlqyer nga masat (të cilave sot po u gjejnë “mahan”), e jo se vërtet donin ta mbanin. Gjatë vitit 2013, kur referndumi ishte i mundshëm dhe ne ishim unikë, dikush e minoi atë. E minuan ata që pranuan të shkonin në bisedime (“negociata”), inkognito, për zgjedhjen gjysmake që na ofrojnë sot, derisa në opinion deklaroheshin ndryshe! Pra, shtrohet pyetja; kush po e dëmton çështjen, kush po e prishë sofrën kombëtare, skepticizmi ynë, apo hapat e tyre “të guximshëm” e të koordinuar nga PDS-i.

Të nderuar, ne konsiderojmë se kjo ishte një kohë e humbur për Malësinë, kurse e shfrytëzuar mirë për PDS-në, e cila të vetmin preokupim ka se sa vota shqiptare do të fitojë në pranverë, e nuk e ka hallin te statusi i kësaj treve. Kaluan apo nuk kaluan ligjet, ato e bënë të veten. Derisa ne po vazhdojmë të merremi me njëri tjetrin, PDS po fërkon duart! Kurse Malësia po mbetet edhe tutje peng e hileve politike të Podgoricës, por kësaj radhe në unitet me disa liderë shqiptarë. E ne “mëkatnume” se nuk nuk pranuam të jemi pjesë e atij uniteti. A nuk flet kjo mjaft, për ta edhe për ne!

LDnëMZ, Dega e Malësisë