Kosova feston 6 vjetorin e Pavarësisë

kosove pavarsiPortali MALESIA.ORG uron gjithë shqiptarëve kudo ndodhen, Gëzuar 6 vjetorin e Pavarësisë dhe 15 vjetorin e çlirimit të Kosovës.

Qoftë ky një hap më pranë realizimit të idealeve për çka dhanë jetën luftëtarët e lirisë.

Betimi ushtarak i pjesëtarëve të UÇK-së:

“Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!” 

____________________________________________________________

prishtineKosova në ditëlindjen e 6 të pavarësisë

Këtë vit më 17 Shkurt festohet përvjetori i gjashtë i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Vendi ëhstë bërë gati për festë. Në kryeqytet, po edhe në qytetet të tjera, rrugët janë stolisur me flamuj shtetëror dhe kombëtar.

Në kryeqytet vërehen përgatitjet, si ngritja e podiumeve për koncertet dhe aktivitetet e parashikuara për 17 Shkurt. Ndërkohë, Obelisku i Pavarësisë së Kosovës NEWBORN është në përfundim e sipër të ngjyrosjes me ngjyrat ushtarake.

Në dallim nga herët e tjera, në këtë përvjetor ngjyrat e obeliskut janë ato të uniformave të ushtarëve të vendeve që kanë ndihmuar Kosovës për çlirim. Aktivitete dhe organizimet e tjera, në pjesë të ndryshme të Kosovës kanë nisur që të shtunën.

Mbrëmjen e së shtunës,në Muzeun e Kosovës, është hapur një ekspozitë ku u ekspozuan fotografi të shkatërrimit të trashëgimisë kulture të Kosovës nga viti 1998- 1999.

Kurse, të dielën në orët e mbrëmjes, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, organizoi pritje solemne për mysafirë të ftuar me rastin e përvjetorit të gjashtë të pavarësisë.

Presidenca ka bërë të ditur se me rastin e gjashtë-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja Jahjaga, ka marrë telegrame urimi nga shumë liderë botërorë.

Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës, të hënën, me rastin e 17 Shkurtit, do të mbajë një seancë solemne, ku pritet të flasin kryeparlamentari Jakup Krasniqi, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se “6 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, mund të them se janë arritur rezultate të prekshme në konsolidimin e shtetit tonë të ri dhe njëkohësisht janë tejkaluar sfida të vështira në kuptim të betonimit të sovranitetit tonë të brendshëm dhe ushtrimit të atij të jashtëm duke marrë 106 njohje të reja dhe anëtarësuar Kosovën në organizata e forume rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”.

Kurse, në mbledhjen e fundit të Qeverise së Kosovës në javën që po lëmë pas, kryeministri Hashim Thaçi falenderoi të gjithë miqtë dhe partnerët që e mbështetën Kosovën në momentet më të rënda.

Thaçi ka përmendur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, NATO-n, e të gjithë mbështetësit e tjerë që kanë ndihmuar në përpjekjet për liri dhe për pavarësinë e Kosovës.

Më 17 Shkurt, aktivitetet kryesore pritet të nisin rreth orës 11:00, me parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Sheshin “Nëna Terezë”, ndërsa qytetarëve do t’iu drejtohen udhëheqësit e vendit.

Me rastin e kësaj dite, do të bëhen homazhe edhe te Varrezat e Dëshmorëve.

Që prej datës 17 Shkurt të vitit 2008 kur Kosova shpalli Pavarësinë, shteti është njohur nga 106 shtete. /BW/