Dinosha : Më mirë se dje dhe më keq se nesër!

Ferhat DinoshaFerhat Dinosha, ambasador i Malit të Zi në Tiranë flet Albanian Daily News

Janë shumë elemente që ambasadorin e Malit të Zi në Tiranë, z. Ferhat Dinosha, e bëjnë diplomat të pazakonshëm. Në diplomaci hyn para dy vjetëve, pasi të ketë qenë gati 20 vjet i pranishëm në skenën politike pluraliste në Mal të Zi. Deputet, ministër e kryetar i partisë asokohe më të madhe shqiptare, Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH). Ka dhënë kontribut të çmuar në proceset e atjeshme demokratike. Shquhet sidomos roli i tij në faktorizimin e shqiptarëve në Mal të Zi, në fushatën e referendumit për pavarësinë e këtij shteti fqinj, në vitin 2006, dhe, pastaj, në përparimin e marrëdhënieve të Malit të Zi me Republikën e Shqipërisë. Është shqiptari i parë i cili nga posti i kryetarit të një partie shqiptare vjen të përfaqësojë Malin e Zi të pavarur në Republikën e Shqipërisë.

A është edhe kjo atipike, z. Dinosha?

Janë atipike, pozitivisht atipike edhe marrëdhëniet e Malit të Zi me Republikën e Shqipërisë. Këtë ma vërteton edhe një mendim i shkrimtarit e mendimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, që doli si përgjigje ne pyetjen time, me rastin e qëndrimit të tij të paradokohshmëm në Pogoricë ku po promovohej libri “Darka e Gabuar” i përkthyer ne gjuhën malazeze. Në pyetjen time: “Si i shihni sot marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve e sllavëve dhe, në këtë kuadër ndërmjet shqiptarëve e malazezëve?” Kadare u përgjigj: “Sllavët historikisht s’na kanë dashur, as ne ata. Por, kjo që po ngjan ndërmjet shqiptarëve e malazezëve viteve të fundit e hedh poshtë këtë tezë timen dhe unë dua të përgëzoj dhe të inkurajoj të gjithë ata që kanë ndikuar në këto marrëdhënie të reja ndërmjet dy popujve”. Rënia e komunizmit ka sjellë ndryshime në të dyja shtetet. Dhe, asnjëri nuk ka penguar rrugën e tjetrit. Përkundrazi. Veç kësaj, koha e ndryshimeve të mëdha në fund të shekullit të shkuar dhe në fillim të këtij shekulli nuk ka sjellë asnjë antagonizëm në interesat nacionale të malazezëve e të shqiptarëve. Sëkëndejmi, nuk ka patur asnjë tendosje mes tyre. As në situatat kur Ballkani prapë po i ngjante vetvetes. Natyrisht, për këtë është dashur kujdesi dhe mençuria e atyre që po u prinin ndryshimeve, në të dyja anët. Duke udhëhequr asokohe partinë më të madhe shqiptare ne Mal të Zi dhe duke bashkëpunuar me forcat antimillosheviçiane që po angazhoheshin për kthimin e pavarësisë së shtetit të Malit të Zi, shpresoj të kem dhënë edhe unë kontribut të caktuar në këtë drejtim. Duke më besuar postin e ambasadorit në Tiranë, Podgorica ka dëshmuar se e vlerëson këtë kontribut. Shpresoj se këtë do ta ketë hetuar edhe Tirana. Kjo më bën të besoj se s’do ta kam të rëndë punën e re.

Si i vlerësoni ju marrëdhëniet e sotme ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Shqipërisë; a ka hapësirë për zgjerimin dhe intensifikimin e tyre?

Marrëdhëniet politike janë të shkëlqyera. Ato bazohen në besimin e ndërsjellë dhe në objektivat e njëjta strategjike – integrimin europian dhe atë euroatlantik. Marrëdhëniet ekonomike nuk janë të tilla, do të thotë se ka hapësira të pashfrytëzuara.
Ne kemi liberalizuar plotësisht kufirin shtetëror shumë para liberalizimit të vizave me Evropën. Dy vendet tona janë, madje, shembulli i vetëm në rajon që të kenë pikë të përbashkët kufitare. Policët dhe doganierët e Malit të Zi dhe Shqipërisë janë nën një kulm në Muriqan. Tashmë flitet edhe për ndonjë vendkalim tjetër të përbashkët kufitar. Fill pas shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, në vitin 2006, bëhet këmbimi i ambasadorëve. Pasojnë vizitat e ndërsjella të zyrtarëve më të lartë. Presidentët dhe kryeparlamentarët e dy shteteve mikpresin njëri tjetrin, në Podgoricë dhe në Tiranë ose takohen në kuadër të pjesëmarrjes në nisma të ndryshme multilaterale. Ish- kryeministri Sali Berisha është pritur, më shumë here, me nderimet më të larta shtetërore në Podgoricë. Në të njëjtën mënyrë është sjellë dhe Tirana me kryeministrin Gjukanoviç. Kanë qenë të shumta edhe vizitat e ministrave, në krye te dikastereve të ndryshëm. Janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh qe synojnë përparimin e marrëdhënieve në fusha të ndryshme, me interes reciprok. Kryetari Vujanoviç ka marrë pjesë në manifestimet me rastin e kremtimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ende pa kaluar 100 ditët e para të punës së qeverisë së re shqiptare, në nëntor të vitit të shkuar, kryeministri Edi Rama ka vizituar Podgoricën. Është pritur, po ashtu, me nderimet më të larta shtetërore. Bisedimet me nikoqirin e tij, kryeministrin Gjukanoviç, kanë qenë të përzemërta e miqësore. Janë prekur tema e projekte konkrete, realizimi i të cilave do të kishte dobi jo vetëm për dy shtetet. Është ritheksuar se të dy vendet nuk kanë konteste e as çështje të pazgjidhura dhe se marrëdhëniet e tyre mund të vazhdojnë të jenë model i fqinjësisë së mirë. Është shprehur gatishmëri që dy qeveritë të ndihmojnë njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve europiane dhe euroatlantike – Shqipëria Malin e Zi drejt NATO-s kurse Mali i Zi Shqipërinë drejt BE. Në këtë drejtim është theksuar rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit ndërkufitar, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar. Është rënë dakord që pozita e pakicës shqiptare ne Mal të Zi dhe e asaj malazeze në Shqipëri të jetë nën kujdesin e përbashkët e të vazhdueshëm të dy qeverive. Ka marrë përkrahje formimi I një Komisioni të përbashkët ndërshtetëror, që do të merrej me përparimin e pozitës së pakicave respektive në dy vendet në pajtim me standardet europiane. Në janar të këtij viti, Podgoricën e ka vizituar edhe ministri i jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, i pritur nga nënkryetari i Qeverisë e ministër i jashtëm malazez, Luksiç. Këto vizita dëshmojnë se qeveria e re shqiptare po vazhdon të kultivojë kontaktet e mira fqinjësore me Malin e Zi, nga të cilat mund të mësojnë edhe vendet e rajonit. Zaten, Mali I Zi është i gatshëm të zhvillojë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje. Ne s’kemi probleme me realitetet e reja ballkanike dhe jemi të gatshëm të japim kontributin tonë maksimal për stabilitetin e rajonit dhe ecjen e tij sa më të shpejtë drejt Evropës.

Po nga ekonomia, infrastruktura, turizmi, arsimi, kultura… Cilat projekte dalin në plan të parë?

Ritmet ekonomike, siç thashë, nuk përcjellin as për së afërmi ato politike. Këmbimi i përgjithshëm vjetor i mallrave zor kalon 30 milion euro, nga të cilat importi malazez është diçka më i madh se eksporti. Mendoj se nuk janë shfrytëzuar hapësirat e mundshme, sidomos në industrinë ushqimore dhe të verërave. Janë cilësore prodhimet malazeze të mishit të thatë dhe të qumështit. Verërat malazeze janë shumë të mira dhe jo shumë të shtrenjta. Që në takimet e mëparshme flitet për një projekt që do të ishte i dobishëm jo vetëm për dy vendet. Fjala është për valorizimin turistik të Liqenit të Shkodrës dhe të lumit Buna që, kur të lidheshin me Detin e Ulqinit zor se do t’ua gjeje shoqen gjithandej vendeve turistike europiane. Të kalosh dy qytete të lashta mesdhetare si Ulqini e Shkodra, te kthesh edhe ne qytetin e ri të Podgoricës, brenda një kohe të shkurtër, duke shijuar peisazhe të mrekullueshme, por edhe peshk të detit , të lumit apo të liqenit, shoqëruar me verëra të mira do të ishte privilegj edhe për vizitorin me shije e xhep të thellë. Por kjo do mjete financiare që dy vendet tona, tani për tani, s’mund t’i sigurojnë pa Evropën. Është rënë dakord që me projekte të përbashkëta të joshet Brukseli. Rregullimi i shtratit te lumit Buna do të mund të zgjidhte edhe një problem tjetër të madh për të dy vendet, që paraqitet sa herë të ketë shira të mëdha-vërshimet. Bashkëpunimi turistik do të mund të vinte në shprehje edhe ne veri të vendeve tona. Flitet tashmë për Projektin e Parkut Nacional në Bjeshkët e Namuna, që pos Malit të Zi e Shqipërisë do të kyçte edhe Kosovën. Kjo pjesë do të mund të bëhej shumë atraktive, sidomos pas përfundimit të rrugës Plavë-Podgoricë, që do të kalonte edhe nëpër Shqipëri, nga Vermoshi deri në Grabom. Palët janë në kontakt dhe pritet që kjo rrugë të përfundojë gjatë këtij viti.

Në takimin Gjukanoviç- Rama, në Podgoricë kryeministri shqiptar ka potencuar rëndësinë e “Korridorit Blu” që bregut do të lidhte Shëngjinin, Velipojën e Ulqinin, me mbështetje në autostradën adriatiko-joniane, që do të lidhte bregdetin e Kroacisë, të Malit të Zi, të Shqipërisë me Greqinë e tutje. Flitet, tashmë, për nevojën e njohjes reciproke të diplomave te shkollave të larta; në Universitetet e Shqipërisë janë diplomuar deri tani më se 300 te rinj nga Mali i Zi dhe ky do të ishte lehtësim i madh për të mos hyrë në procedurat e nostrifikimeve. Në Fakultetin e Mësuesisë në Podgoricë janë të angazhuar disa pedagogë nga Universiteti i Shkodrës. Nga ana tjetër, pedagogë të Universitetit të Malit të Zi janë të angazhuar në lëndë specifike në Universitetin e Shkodrës. Bashkëpunimi në fushën e arsimit mund të zgjerohet edhe më tej. Me ndihmën e Shtëpisë Botuese “TOENA” disa vjet me radhë derisa në Ulqin ishte në pushtet Unioni Demokratik i Shqiptarëve është organizuar Panairi i Librit në këtë qytet, i cili tashmë është bërë tradicional. Është prezent edhe bashkëpunimi kulturor, kryesisht në organizimin e koncerteve ose festivaleve të rastit të krijimtarisë muzikore. Janë organizuar edhe ekspozita dhe promovime librash. Por, hapësirat në fushën e kulturës janë shumë më të gjëra dhe ambasada jonë po bën përpjekje që ato të shfrytëzohen.

Rol të rëndësishëm në marrëdhëniet shtetërore të Malit te Zi dhe të Republikës së Shqipërisë kanë edhe pakicat respektive. Si e shihni pozitën e pakicës malazeze në Shqipëri?

Malazezët janë të përqendruar kryesisht në qarkun e Shkodrës dhe atje i gjen të organizuar në tri shoqata, të cilat përpiqen që duke ruajtur kontaktet me shtetin amë, pra Malin e Zi të ruajnë edhe identitetin e tyre kombëtar. Shoqata e parë “Moraca-Rozafa” është formuar në fillim të viteve ’90-të të shekullit të shkuar, pra para shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe pavarësisë së Malit të Zi që ngjan me 2006. Ajo, në një farë mënyre nuk ka dalur nga ajo kohë, pasi që edhe tani pohon që përfaqëson “pakicën serbo-malazeze”. Pakicë e tillë dihet se nuk ekziston. Pas pavarësisë së Malit të Zi janë formuar dy shoqata tjera, që përfaqësojnë pakicën nacionale malazeze. Së pari, më 2001, është formuar “Alba-Montenegro” kurse para dy vitesh edhe “Duklja”. Në kontaktet e deritashme me zyrtarë shqiptarë të të gjitha niveleve, kemi veçuar tre çështje, zgjidhja e të cilave do të përmirësonte pozitën e pakicës malazeze në Republikën e Shqipërisë: përfaqësimin në Komitetin Shtetëror të Minoriteteve, që vepron pranë Këshillit të Ministrave, futjen e lëndës së Gjuhës Malazeze në ndonjërën nga shkollat fillore të Shkodrës, ku do të kishte numër të mjaftueshëm të nxënësve dhe fillimin e emetimit të një emisioni javor informativo-kulturor, po ashtu në gjuhën malazeze, në Televizionin Shqiptar. Qeveria malazeze ua ka bërë me dije edhe qeverisë së mëparshme, edhe të tanishmes se pret që në Komitetin e Minoriteteve të inkuadrojë edhe përfaqësuesin e pakicës malazeze të cilin e ka propozuar shoqata “Alba-Montenegro” dhe emri i të cilit është në zyrën e kryeministrit Rama. Presim që kjo të bëhet sa më parë, pasi që edhe reagimi i palës shqiptare ishte premtues. Pala shqiptare ka treguar mirëkuptim edhe për dy projektet tjera dhe Ambasada do të vazhdojë kontaktet me institucionet relevante deri në realizim e tyre. Malazezët meritojnë të kenë mundësi të përdorimit të gjuhës amtare në arsim dhe informim. Shteti shqiptar duhet të krijojë edhe mekanizma të tjerë që malazezëve do tu mundësonin ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar dhe pjesëmarrjen aktive në zhvillimet shoqërore.

Lexuesi do të jetë i interesuar edhe për pikëpamjen Tuaj lidhur me pozitën e pakicës shqiptare në Mal te Zi. Si jetojnë shqiptarët atje?

Për përgjigje në këtë pyetje do të shërbehem me një mendim timin që e kam thënë edhe kur isha njëri nga përfaqësuesit e shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi: Më mirë se dje dhe më keq se nesër! Janë bere hapa që kanë ndikuar në përmirësimin e pozitës së Shqiptarëve në Mal të Zi pas rënies së komunizmit. Pos arsimit fillor dhe të mësimit në gjuhën amtare, shqiptarët kanë edhe fakultetin e parë shqip, atë të mësuesisë në Podgoricë. Veç kësaj, shumë shqiptarë nga Mali i Zi studiojnë në universitetet e Shqipërisë dhe të Kosovës. Pos emisioneve të përditshme në RTV të Malit të Zi, shqiptarët kanë edhe dy televizione private. Në pluralizëm ata kanë formuar partitë e veta politike. Disa sot janë të përfaqësuara në Parlamentin e Malit të Zi. Në vitin 1998, me nismën e Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH), është formuar Ministria për të Drejtat e Pakicave dhe shqiptarët janë bërë pjesë e Qeverise së Malit të Zi. Më vonë këtë e bëjnë edhe boshnjakët, myslimanët dhe kroatët. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme për pavarësinë e pastajme të Malit të Zi. Ministria, në krye të së cilës kanë qenë kuadrot e UDSH-së, ka realizuar disa projekte që kanë avancuar tutje pozitën e pakicave, pra edhe të shqiptarëve në Mal të Zi. Është nxjerrë Ligji për Përdorimin e Simboleve Kombëtare, është themeluar Fondi i Pakicave nga i cili financohen projekte identitare të pakicave, është themeluar Qendra Kulturore e Pakicave, janë formuar këshillat nacional të pakicave, si trupa përfaqësues të tyre etj. Ky ligj është angazhuar për aplikimin e aksionit afirmativ si mekanizëm për përfaqësimin autentik politik të pakicave në Parlamentin e Malit të Zi, gjë që më vonë është sanksionuar me Kodin Zgjedhor.

Prapë ka edhe shumë punë për tu bërë. Mali i Zi duhet të garantojë, hap pas hapi, përfaqësim proporcional të shqiptarëve në organet shtetërore dhe në shërbimet publike të shtetit. Decentralizimi i mëtejmë i pushtetit vendor duhet të sigurojë shfrytëzimin e resurseve natyrore për zhvillimin e komunave ku ato pasuri janë etj. Këta janë procese demokratike dhe kërkojnë kohë, por Mali i Zi është i vendosur në përmbushjen e të gjitha standardeve europiane që kanë të bëjnë me pozitën e pakicave nacionale. Unë pres se shqiptarët do të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në proceset e mëtejme demokratike në Mal të Zi, sidomos në rrugën e integrimeve europiane dhe euroatlantike. Lidhur me angazhimin e përparimit të mëtejmë të pozitës së shqiptarëve, pres që subjektet politike shqiptare do të vazhdojnë partnerizmin me subjektet politike shtetërore që kanë prodhuar pavarësinë e Malit të Zi e që udhëheqin qeverinë e sotme malazeze.

Nëse Ju kërkoj, z. Ambasador, të më veçoni dy probleme që rëndojnë më së shumti jetën e shqiptarëve e që Ju i keni vërejtur gjatë kësaj kohe në Tiranë, jo si diplomat por si shqiptar, çka do t’më thoni?

Shqiptarët, të rëndë në gjuhë dhe të lehtë në gisht! Janë pafalshmërisht të rënda fjalët që politikanët shqiptarë ia thonë njëri-tjetrit. Kjo bën që ata kryesorët, të palëve të kundërta, të mos i shoh as duke i dhënë dorën njëri-tjetrit, e lëre më të ulen bashkë për të gjetur zgjidhje për problemet e shumta. Kjo duhet të ndryshojë. Shqipëria s’mund të jetë e Brukselit pa qenë e Vlorës. Janë tmerrësisht të lehta vendimet e njerëzve për t’ja marrë jetën tjetrit: për gjak a për hak, për nder a për ç’nder, për tokë a për nëntokë, për kamje a skamje… Me familje të ngujuara është më e largët familja europiane! Sidoqoftë, shpresoj se gjërat do të ndryshojnë për të mirë dhe se Shqipëria në qershor të këtij viti do të marrë statusin e vendit kandidat për në BE. /Tirana Observer – Intervistoi: Genc Mlloja/

Nga opinioni publik Ferhat Dinosha konsiderohet si një ndër politikanët më të shkathtë në Mal të Zi.
Dinosha ishte lideri i Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH).
Në fillim të karrierës politike, në pjesën e parë të viteve 90-ta konsiderohej si lider i prirë nga parime nacionaliste shqiptare. Megjithatë, me kalimin e kohës u bë faktor i rëndësishëm i promovimit të pavarësisë së Mali të Zi, promovimit të politikës malazeze si dhe partner politik i Kryeministrit Djukanovic dhe qeverisë së tij. /MALESIA.ORG/