Pakicat, mundësi bashkëpunimi midis Kosovës e Malit të Zi

llukshiq krasniqiPrishtinë, 27 shkurt – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion nga Mali i Zi, të kryesuar nga Igor Llukshiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane.

Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë, kryekuvendari Krasniqi rikujtoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi janë mjaft të mira, por ekzistojnë mundësi që këto marrëdhënie të avancohen edhe më. Në këtë frymë ekziston gatishmëri, për thellim të vazhdueshëm të bashkëpunimit, që vjen si obligim dhe vullnet, si nga fqinjësia e mirë, ashtu edhe nga fakti që në shtetet tona jetojnë përkatësisht komunitetet shqiptare dhe malaziase.

Duke i bërë një vështrim të kaluarës së dy vendeve, z. Krasniqi theksoi se gjithnjë duhet të reflektojmë nga ajo që na bashkon edhe gjatë historisë , por edhe sot, duke u angazhuar për raporte të mira, të ardhme më të mirë, jo vetëm ndërmjet dy shteteve, por edhe në tërë rajonin. Në këtë aspekt, komunitetet pakicë asnjëherë nuk shikohen si pengesë, por si mundësi për bashkëpunim.

Lidhur me çështjen e njohjes me kushtetutë të komunitetit malazias dhe të drejtës së tij për të pasur një vend në Kuvendin e Kosovës, të ngritur nga z. Llukshiq, kryekuvendari Krasniqi tha se kjo çështje do të zgjidhet me ndryshimet kushtetuese. Në këtë kontekst, z. Llukshiq tha se shoqëria malaziase ka gatishmëri për realizimin e të drejtave për bashkësinë shqiptare në Mal të Zi.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane, Igor Llukshiq theksoi se kjo vizitë është një kontribut për marrëdhënie edhe më të mira ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës. Për këtë duhet të kontribuojnë , posaçërisht dy qeveritë, duke bashkëpunuar në segmente të nduarnduarta, që do të jene në dobi të qytetarëve të të dyja shteteve. Me Qeverinë e Kosovës do të bisedohet për projekte konkrete në lëmin ekonomik, kulturor etj., theksoi z. Llukshiq.

Bashkëbiseduesit ishin unik në vlerësimin se përpjekjet që bëhen nga dy shtetet drejt integrimit evropian dhe ndihma që mund të ofrohet në këtë shteg do të sjellin prosperitet dhe do të forcojnë bashkëpunimin e ndërsjellë.

Luksic u prit edhe nga kryeministri Hashim Thaçi

Gjatë ditës, kryeministri Thaçi ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Igor Luksiq.

Sipas komunikatës për media të kryeministrisë, në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe për procesin e integrimit evropian të dy vendeve.
“Kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi lartë marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe theksoi se Qeveria e Kosovës është e gatshme që këto marrëdhënie të avancohen edhe më tej në të gjitha fushat e interesit të përbashkët”, thuhet në komunikatë.

Njohja e Republikës së Kosovës nga Mali i Zi në vitin 2008, dhe si rrjedhojë vendosja zyrtare e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, me hapjen e Ambasadës së Malit të Zi në Prishtinë dhe së shpejti me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Podgoricë, dëshmojnë se marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, janë shembull i mirë i bashkëpunimit ndërshtetëror, citohet të ketë thënë më pas Thaçi.
“Në vazhdimësi, tani prioritet yni i përbashkët do të jetë bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave në rrugën e integrimit evropian mes dy vendeve, si dhe forcimi i bashkëpunimit politik, ekonomik, dhe socio-kulturor mes Kosovës dhe Malit të Zi”, ka thënë Thaçi.

Grupacioni i cili në Kosovë vitet e fundit identifikohet si pakicë malazeze krahasohet me shqiptarët autokton në trojet e veta në Mal të Zi! /Koha Net/MALESIA.ORG/