Intervistë ekskluzive me aktoren e re nga Malësia Anita Nikaj

1920089_610458822379672_1934302899_n

Malësia.Org – Për fillim, a mund të na njoftoni, kush është Anita Nikaj?

Anita Nikaj – Anita Nikaj është një vajze modeste nga Dinosha, Tuzi, që pati fatin e mirë të rritet në një familje të kompletuar e të shëndoshë nga e cila mori 100 % të asaj se çka jam sot. Kam 3 motra që janë bashkudhëtare të miat dhe pika ime me e fortë. Babi dhe Mami im janë shtyllat e çdo gjeje që unë sot gëzoj. Me një përgjigje të vetme, Anita është një vajzë Shqiptare me fat për atë që ka…familjen, shoqërinë dhe arritjet deri me sot.

Malësia.Org – E nderuara Anita, kemi përcjellë aktivitetet tuaja të fundit në serialin e njohur ”O sa mire” ku ti në një mënyrë përfaqëson Malësinë. A mund të na thuash si u gjendet në këtë projekt ?

Anita Nikaj- Unë përfaqësoj jo vetëm Malësinë, personazhi im i është dedikuar një shqiptareje të mirëfilltë. Kthehemi tek vlerat e kohmotëshme shqiptare, atje ku buroi e gjitha si koncept, atje ku u mbrojt më së shumti e ku mbrohet edhe sot me shumë xhelozi. U gjenda spontanisht, duke qenë që gëzoj shoqëri të gjerë në të gjitha viset shqiptare, dhe me erdhi si ftesë, të cilën nuk e refuzova por e përqafova me kënaqësi. Kështu duke promovuar vlerat e Malësisë, siç është: dialekti, tradita dhe karakteristikat e një vajze Malësore.

Malësia.Org – Çka ju motivoi të merreni me aktrim ? 

Anita Nikaj – Dëshira për aktrim te unë ka lindur që në fëmijëri dhe nuk është zbehur asnjëherë. Ka qenë e fshehur në sirtarë dhe për fat të mirë mu dha rasti ta nxjerr atë nga sirtari. Aktrimi është i lindur në mua, dhe sot bashkë ndjejë me të dhe do vazhdoj…..

Malësia.Org – Si e keni ndjerë veten për herë të parë në skenë ? 

Anita Nikaj – Ndihesha si fëmijë që fryn qirinjte e tortës së ditëlindjes, e emocionuar dhe e lumtur….isha aty ku duhet të jem.

Malësia.Org – Si e ndjeni veten si ”mbrojtëse” e të së folurës së Malësisë? 

Anita Nikaj – Ndihem krenare që e ”mbroj” (nëse mund ta quajmë kështu) të folurën Malësorçe, gege. Fare mirë e dimë që rreth 70 % të Shqiptareve dikur flisnin dialektin gege, por pastaj koha dhe sistemi e cunguan paksa në vitet 70′ duke e anashkaluar të bukurën e diftongjeve dhe zanoreve komplet të veçanta që ka gegërishtja. Është dialekt i bukur, është dialekt që na tregon se sa ndryshe dhe sa të bukur e kemi gjuhën shqipe. Nuk do doja kurrë të zhduket si thesar që është, do e promovoj çdo herë në secilën mënyrë.

Malësia.Org – A i shikoni filmat Shqiptar? a ka të tillë që ju emocionojnë ? 

Anita Nikaj – Fatkeqësisht jam e rritur në një pjesë të Shqipërisë, e cila pësoi nga regjimet e ndryshme dhe brutalisht e padrejtësisht u la jashtë kufijve të konsoliduar shqiptar. Ajo çka neve na mbushi si shqiptare të Malësisë përpos gjuhës, është arti, kultura, historia…e të gjitha këto u ngërthyen nëpër filmat shqiptar, që mbaj mend babi të na i tregonte fije për pe deri në më të voglin detaj se PSE shqiptarët shumicën e filmave i kanë të bazuar në histori. Nuk harroj emocionet e ” Udhës së shkronjave” assesi as sot nuk më ndalen lotët kur e shoh ” Nëntorin e dytë”….Kjo na mbanë të lidhur akoma, kjo është pasuria më e madhe që kemi.

Malësia.Org – Cili është mesazhi i këtyre filmave për shikuesin ?

Anita Nikaj – Filmat e vjetër shqiptare, dikur u realizuan për qëllime tjera. Sado që fizikisht ishim të ndare si popull, duke shfrytëzuar dritaren e kinematografisë, neve na mbajtën gjallë shpirtin e bashkimit. Këta sot janë realizim i aspiratave të kinematografisë së atëhershme, ku tok si zona, si krahina bashkëpunojmë shqip, realizojmë shqip…dhe gjithë përfshijmë atë që dikur nuk mundem. Sot po e bëjmë, dhe jam krenare që jam pjesë e këtij procesi.

Malësia.Org – Çfarë e bën televizionin Shqiptare të veçantë? 

Anita Nikaj – Këtu më lejoni të zgjerohem pak, dhe ta devijoj pak pyetjen….Çka e bën platformën DigitAlb kaq të veçantë?
Me bindje të betonuar e them Dritan Hoxha ! Njeriu që bëri të mundshme të pamundshmen, që bashkoi popullin Shqiptar në gjithë globin, që bëri atë që asnjë qeveri nuk mund ta bënte. Emri i tij është i gdhendur në çdo hapësirë mediatike, në çdo TV ku flitet shqip, në çdo zemër… e më së shumti në të ardhmen e fëmijëve që sot në Malësi dëgjojnë shqip, në Kosovë dhe Maqedoni dëgjojnë shqip, në Luginë dëgjojnë shqip.

Malësia.Org – Cili është aktori apo aktorja i\e preferuar nga kinematografia Shqiptare dhe ndërkombëtare? 

Anita Nikaj – Nga aktoret Shqiptarë: Margarita Xhepa, Kadri Roshi, Tinka Kurti, Bekim Fehmiu etj. Kurse nga ata ndërkombëtarë: Al Pacino, Robert de Diro, Dastin Hoffman, Denzel Washington, Meryl Streep, Sandra Bulock etj.

Malësia.Org – A ke ndërmend të realizosh ndonjë projekt lidhur me Malësinë? 

Anita Nikaj – Për momentin jam e angazhuar me serialin ”O sa mirë” por, mendoj për të ardhmen projekte që kanë të bëjnë me boten e spektaklit, ku edhe mund të përfshijë Malësinë, por për momentin ngelen plane dhe dëshira ndaj të cilave do punoj për ti realizuar.

Malësia.Org – Ngaqë jeton në Tiranë dhe Prishtinë, cili qytet të pëlqen më shumë ? Pse? 

Anita Nikaj – Te dy qytetet janë të ndryshme dhe me japin emocione të ndryshme. Tirana është qyteti im, qyteti i krejt Shqiptarëve. Është qytet që më jep ngrohtësi, qytet të cilin e përqafoj fort sa herë që i kthehem, sepse më merr malli. Mund të them që Tirana më ka dhuruar ditët më të bukura të jetës time, vazhdon të mi japë, dita-ditës. Kurse Prishina është histori për ne, popullin e Malësisë. Prishtina është djepi i diturisë, qyteti ku ka shkolluar brezat Malësorë gjithë këto vite. Për këtë gjë, e kam dashuruar edhe para se të shkoja atje. Prishtina është qytet me shpirt, qytet që po arritë ta ”njohësh” e dashuron. Si Tirana, ashtu edhe Prishtina janë shtëpia ime.

Malësia.Org – Po jeta juaj private, sa është e plotësuar në Tiranë dhe Prishtinë? 

Anita Nikaj – Jeta ime private në Tiranë bazohet me shumë në një të përditshme të thjeshte dhe të ngrohtë, e shoqëruar në shumicën e kohës me mikeshën time Aiden dhe me miq të tjerë. Kurse në Prishtinë, për momentin, ditët e mia janë të ngarkuara me punë, ku bëjmë provat dhe xhirimet.

Malësia.Org – Ku e sheh veten në 10 vitet e ardhshme ? 

Anita Nikaj – Në dashtë Zoti, veten e shoh një femër të realizuar si në jetën përsonale, ashtu edhe profesionale.

Malësia.Org  – A ka diçka që doni të ndani me lexuesit e portalit tonë e që ne ndoshta nuk ju kemi pyetur ?

Anita Nikaj – Mendoj që i kemi përfshirë gjerat kryesore në lidhje me mua dhe aktivitetet e mia. I përshëndes të gjithë lexuesit e portalit Malesia.Org.

Malësia.Org – Unë personalisht si dhe staffi i Portalit Malësia.Org të falënderojmë për kohen që na e kushtove duke të dëshiruar suksese në profesionin tuaj dhe në jetën tuaj në të ardhmen. 

Anita Nikaj – Faleminderit për kohen dhe hapësirën që më kushtuat. Çdo të mirë.

Intervistoi: Albert Camaj – Malësia.Org

 

1854_610464882379066_1625506923_n

 

1904147_610465275712360_1413979828_n

 

1932219_610464992379055_673599338_n

 

1920089_610458822379672_1934302899_n

 

923524_610458799046341_137176412_n

1521242_610458835713004_1056753007_n