Protesta në Tuz me 6 prill

flamuri_malesiProtesta paqësore në shenjë pakënaqësie kundrejt situatës politike e diskriminuese e cila po zbatohet nga ana e pushtetit malazez ndaj Malësisë, do të zhvillohet me 6 prill në Tuz.

Organizator i protestës është Forumi Demokratik për Integrim dhe deri me tani është përkrahur nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi, dega e Malësisë.

Përkujtojmë se me rastin e vizitës së kryeministrit malazez Milo Djukanovic në kryeqytetin amerikan, edhe diaspora shqiptare në SHBA do të protestojë me 8 prill në Washington DC kundrejt diskriminimit të shqiptarëve në trojet e veta në Mal të Zi.

Në vijim lexoni deklaratën e plotë:
Deklaratë për Protestë
26.03.2014

Të nderuar qytetarë,

Pas një përkushtimi disa javorë, me qëllim ngritjen e zërit kundër lojës së ndytë që pushteti shtetëror nëpërmjet organizmave të tij po i shkakton Malësisë, FDI të përkrahur nga LDMZ – dega e Malësisë vendosin të organizojnë Protestë paqësore.

Protesta do të mbahet të dielën më 06. 04. 2014 në orën 14.00 në vendparkimin e Komunës Urbane të Tuzit.
Protesta ka këtë qëllim:

1. Ngritjen e zërit ndaj pakënaqësisë së shkaktuar nga veprimet e qëllimta të pushtetit që dëmtojnë pozitën e qytetarëve të Malësisë;

2. Kundërshtimin ndaj çdo marrëveshje që e copëton Malësinë dhe që Malësisë ia humb emrin, territorin, historinë dhe dinjitetin e saj;

3. Ndalimin e marrëveshjeve që në mënyrën më poshtëruese nënshkruhen në dëm të Malësisë dhe qytetarëve të saj;

4. Decentralizimin e pushtetit dhe zbatimin e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje lokale.

Qytetarë të nderuar, Malësia është e të gjithë neve. Ajo është “pasaporta” jonë kudo që të shkojmë. Ne duhet ta ndërtojmë këtë vend. Ky vend ka nevojë për njerëz të sinqertë dhe njerëz të sakrificës që thonë: “Zoti në qiell e Malësia në tokë, pastaj të tjerët”. Prandaj, ju bëjmë thirrje që të dalim të gjithë krahë për krahë për të protestuar ditën që 103 vjetori të Kryengritjes së Malësisë.

Zoti ju bëkoftë

Organizator
Forumi Demokratik për Integrim

/MALESIA.ORG/