Kryetari i AAK, z. Ramush Haradinaj së bashku me bashkëpunëtorët e vet, z. Besnik Tahiri dhe z. Smail Latifi pritën një delegacion të Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, në përbërje: Nikollë Camaj, kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi-Dega e Malësisë, Bujar Hasangjekaj, kryetar i Degës së Plavë-Guci, Ismet Gjonbalaj, Zef Gjokaj, Sadri Balidemaj, Prelë Ujkaj dhe Albert Camaj.
Ishte ky një takim i ngrohtë e vëllazëror i cili u zhvillua në selinë e AAK-së në Prishtinë.
Temë e bisedimeve ishte situata e ndërlikuar e shqiptarëve në Mal të Zi dhe nevoja e kyçjes më intesive të qeverive shqiptare, në Shqipëri e Kosovë, në përmirësimin e statusit të shqiptarëve autokton në këtë shtet. U potencuan shumë padrejtësi, filluar nga punësimi, përfaqësimi, shkollimi, decentralizimi, privatizimi dhe, natyrisht çështja më e ndjeshme, ajo e komunës së Malësisë.
Pasi që delegacioni nga Mali i Zi e njoftoi detaisht me situatën e shqiptarëve të këtushëm, z. Haradinaj vlerësoj lartë kontributin e shqiptarëve në Mal të Zi, e sidomos punën që ky subjekt shqiptar kishte bërë gjatë viteve të 90-ta duke mbajtur gjallë shumë çështje, të cilat pa organizimin politik të shqiptarëve do të ishin fikur si kandili që mbetet pa vaj. Po ashtu z.Haradinaj vlerësoj lartë qëndrimin parimor të këtij subjekti në raport me shumë çështje, por mbi të gjitha shprehi mirënjohje për përkrahjen vëllazërore që dëshmuan shqiptarët e Malit të Zi gjatë krizës kosovare.
“Statusi dhe e ardhmja e shqiptarëve të Malit të Zi, është dhe duhet të jetë edhe në të ardhmen preokupim dhe angazhim i të gjithë neve dhe kjo çështje për asnjë moment nuk duhet konsideruar si çështje e jashtme e politikës kosovare” ceku Haradinaj i cili edhe propozoi organizimin e një tryeze mbarëshqiptare, në të cilën do të diskutohej për statusin dhe shqetësimet e shqiptarëve jashtë Kosovës, veçanërisht të atyre në Mal të Zi dhe Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.
Nga z.Camaj dhe përfaqësuesit tjerë u kërkua që të punohet në konsolidimin e radhave të organizimit politik shqiptar në Mal të Zi, duke i bashkërenditur qëndrimet, me qëllim që sa më mirë të mbrojnë njëzëri kauzën e shqiptarëve të Malit të Zi.
Po ashtu u bisedua për rëndësinë e ndërtimit të rrugës Deçan-Plavë dhe të investimeve të tjera që lidhin dhe lehtësojnë komunikimin dhe qarkullimin me shqiptarët në Mal të Zi, sepse, për këtë nuk ka kurrfarë pengesash apo implikimesh.
AAK dhe delegacioni i LD u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë dhe intensifikim të punës midis spektrit politik mbarëshqiptar, në të mirë të kauzës së përbashkët dhe interesave për shqiptarët në rajon, si faktorë të paqes dhe të stabilitetit.
Pas takimit z. Haradinaj shtroi një drekë për vëllezërit nga Mali i Zi.
Për LDnëMZ
Prelë Ujkaj