Nimanbegu: Protestat e shqiptarëve të merren seriozisht nga Podgorica

Genci-Nimanbegu

Nga Erion Kaçorri

Trevat shqiptare në Malin e Zi mbeten të pazhvilluara, niveli i papunësisë është shumë i lartë dhe problemet e shumta ekonomike me të cilat ballafaqohen Shqiptarët në Malin e Zi kanë krijuar shumë pesimizëm në komunitetin tonë, thekson në një intervistë për emisionin ‘Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri deputeti shqiptar i subjektit politik “Forca” në parlamentin e Malit të Zi, Genci Nimanbegu.

“Protestat e shqiptarëve si në Mal të Zi ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhen marrë shumë seriozisht nga ana e autoriteteve në Podgoricë. Ne si shqiptare, kemi disa kërkesa politike, siç është decentralizimi i pushtetit, çështja e pronave etj. Përpos faktit që situata ekonomike është përkeqësuar në trevat shqiptare, edhe situata politike është tensionuar ndjeshëm. Përkundër kësaj, nga ana e partisë së kryeministrit Gjukanoviç apo partnerëve të koalicionit, kërkesat tona sapo nisin që të trajtohen, lihen pas dore. Faktori shqiptar në këto momente duhet të shikojë pozicionin e saj duke rritur presionin ndaj politikës aktuale në Podgoricë që të realizohen të drejtat tona kombëtare” shprehet deputeti Nimanbegu në televizionin “News 24”.

Sa i përket përdorimit të flamurit kombëtar, deputeti shqiptar në parlamentin e Malit te Zi Genci Nimanbegu shprehet se komuniteti shqiptar do të dëshironte që ai të valëvitej jo vetëm në ndërtesat e institucioneve komunale, por edhe pranë policisë dhe gjykatave të cilat menaxhohen nga ana e institucionit qendror.

Pak dite me pare një numër shoqatash shqiptare në Shtetet e Bashkuara u mblodhën përpara Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar më shumë të drejta për shqiptarët në Mal të Zi. Demonstrata u organizua me rastin e vizitës në Uashington të Kryeministrit malazez Milo Gjukanoviç, përpara takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me Nënpresidentin Joe Biden.

Ata thanë se ishin mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë për të ngritur zërin kundër asaj që ata e quajnë politikë diskriminuese të qeverisë malazeze ndaj shqiptarëve. Protestuesit thanë se shqiptarët e Malit të Zi duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat sipas konventave të botës demokratike.