Majlinda Kelmendi ka arritur një tjetër sukses të madh për vetën dhe vendin e saj. Majlinda u shpall kampione në kuadër të Evropianit që po zhvillohet në Francë, duke e fituar medaljen e saj të parë të kampiones në një ngjarje të tillë. Kjo është medalje e saj e dytë madhore, pas titullit botëror të fituar vitin e kaluar.
Majlinda Kelmendi ia ka zdritur fytyrën Kosovës edhe njëherë. Xhudistja pejane ka arritur të shpallet kampione në kuadër të Kampionatit Evropian që po mbahet në Francë.
Kelmendi triumfoi në kategorinë e saj -52 kg, për ta fituar medaljen e saj të parë të artë në një Evropian.
Majlinda u tregua më e suksesshme se rusja, Natalia Kuziutina, në finale, duke e mposhtur atë me pikë.
Ky është suksesi i radhës për Kelmendin, pasi vitin e kaluar e fitoi medaljen e artë në Kampionatin Botëror të zhvilluar në Rio.
Kelmendi ka qenë në top-formë këtë vit, duke e fituar medaljen e artë edhe në dy turnet paraprak, në Samsun të Turqisë dhe në Paris, duke vazhduar kësisoj dominimin e saj absolut në xhudon botërore.
Rruga drejt suksesit
Majlinda kaloi direkt në rrethin e dytë të këtij Evropiani, duke qenë me fat në short, teksa aty mposhti rumunen, Alexandra Florian, pa shumë mundë.
Në duelin e saj të dytë në rrethin e tretë, xhudistja kosovare triumfoi përsëri para kohe ndaj xhudistes nga Armenia, Zhanna Stankevich, duke siguruar kualifikimin për meçet finale.
Në gjysmëfinale u tregua më e mirë se gjermania Mareen Kraeh, teksa në finale mposhti rusen, Kuziutina. /GazetaExpress/MALESIA.ORG/