Diaspora: Deklaratë e përbashkët e organizatorëve të protestës në Washington DC

shoqatat_shqiptare_ne_Amerike-300x200WASHINGTON, DC – Të martën, me 8 prill 2014, shqiptaro-amerikanët nga të gjitha Shtetet e Bashkuara u mblodhën në Uashington DC dhe protestuan para Shtëpisë së Bardhë dhe Ambasadës së Malit të Zi kundër politikave sistematike diskriminuese të Malit të Zi ndaj shqiptarëve në këtë shtet.

Kjo demonstratë paqësore pasoi protestat e ngjashme në trevat shqiptare në Mal të Zi, ku shqiptarët etnikë vendosmërisht kundërshtuan pabarazitë e vazhdueshme social-politike që u nënshtrohen ata me dekada të tëra. Diskriminimi që i nështrohen shqiptarët në Mal të Zi është si pasojë e refuzimit të qeverisë malazeze që të sillet në pajtim me kërkesat që dalin nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, si dhe Karta për Vetëqeverisjen Lokale dhe ti mundësojë regjionit të Malësisë të drejtën për vetëqeverisje të plotë lokale dhe pushtet vendorë të decentralizuar. Ky tubim ishte përzgjedhë të përkojë me ardhjen e kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, dhe përpjekjen e tij për të lobuar qeverinë e SHBA për mbështetjen e aspiratave të Malit të Zi për t’u bashkuar me BE dhe NATO. Pjesëmarrja masive në këtë protestë ishte një apel i fuqishëm për Shtëpinë e Bardhë që të kundërshtojë një përkraje të tillë përderisa qeveria malazeze të plotësojë kërkesat legjitime të shqiptarëve autokton.
Të nesërmen e demonstratës, zyrtarë amerikan dhe përfaqësues të organizatave shqiptare në Amerikë u takuan me kryeministrin Gjukanoviq për të ripërsëritur shqetësimet e tyre për diskriminimin e vazhdueshëm të Shqiptarëve në Mal të Zi. Në veçanti,përfaqësuesit e komunitetit shqiptarë ia kujtuan kryeministrit malazez premtimin e bërë më 2005 në Kongresin Amerikan kur ishte zotuar se Malësia do të fitojë statusin e komunës së plotë brenda 4 viteve (deri më 2009). Edhe gjatë këtij takimi, Gjukanoviq premtoi se qeveria e tij do të mbështesë vullnetin e popullit në Malësi për komunë të plotë dhe të pavarur. Mirëpo, siç dihet, “premtimet” e kryeministrit Gjukanoviq asnjëherë nuk u realizuan nga qeveria e tij por u përdorën për propaganda parazgjedhore dhe manipulim të popullatës së Malësisë për interes të pushtetmbajtësve.

Për më se 20 vite, shqiptarët e regjionit të Malësisë kërkojnë në mënyrë të përsëritur komunë të plotë duke demonstruar qëndrueshmërinë ekonomike si dhe të gjitha kushtet tjera të nevojshme për një status të tillë administrativ. Në të njëjtën periullë, kryemistri malazez ka bërë premtime para çdo fushate para-zgjedhore se kjo kërkesë do të plotësohet, e që edhe sot vazhdon të mbeten premtim i papërmbushur. Përderisa kërkesat legjitime të shqiptarëve, e të premtuara nga qeveria malazeze, nuk plotësohen, komuniteti shqiptarë në mal të zi dhe diaspora e saj nuk do të perkrahin kërkesën e qeverisë malazeze për anëtarësi ne BE dhe NATO. Nuk mund të jetë në interest të shqiptarëve që të përkrahë qeverinë e cila në mënyrë sistematike vazhdon të shkelë të drejtat themelore të minoriteteve e në anën tjetër kërkon t’i bashkangjitet familjes demokratike të BE-së. Diaspora Shqiptare do të vazhdojë të ngrejë zërin e saj përderisa Shqiptarëve në Mal të Zi nuk u sigurohen të drejtat që u përkasin, si dhe do të vazhdojë të lobojë fuqishëm përfaqësuesit e Kongresit Amerikan që në mënyrë të vazhdueshme të monitorojë veprimet e qeverisë malazeze karshi të drejtave të pakicave. Gjithashtu, Diaspora Shqiptare do të vazhdojë protestat dhe përsërisë kërkesat që Mali I Zi të plotësojë obligimet e saj që dalin nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, si dhe Karta për Vetëqeverisjen Lokale e që do të rezultoi me plotësimin e kërkesës për decentralizim, komunë të plotë për regjionin e Malësisë.

Duke u bazuar ne faktet e lartpërmendura, kërkojmë nga kryeministri Djukanovic dhe qeveria malazeze që menjëherë të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për plotësimin e këtyre kërkesave:
1. Të drejta të barabarta dhe përfshirje të të gjithëve pa marrë parasysh përkatësine sociale, ekonomike, politike, gjuhësore, fetare, dhe etnike;
2. Implementim të politikave dhe programeve zhvillimore qëllimi i të cilave do të jetë gjithëpërfshirja e Shqiptarëve në punësim, qasje në edukim superior, dhe të gjitha fushat tjera që sigurojnë barazinë e minoriteteve;
3. Përfaqësim të barabartë të Shqiptarëve në gjyqësi, polici, dhe institucione shendetësore ku ata përbëjnë shumicën;
4. Themelim të menjëhershëm të komunës së Malësisë me të drejta të barabarta që do të inkurajonte zhvillim shoqëror, ekonomik, dhe politik të këtij regjioni. Kjo do të ndreqte një padrejtësi të madhe që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet këtij komuniteti;
5. Rishpërndarje proporcionale të pasurisë kombëtare aty ku Shqiptarët përbëjnë shumicën, siç është 85% në Ulqin dhe 92% në Malësi;
6. Stop privatizimit të paligjshëm të industrisë dhe bizneseve shtetërore në komunën e Ulqinit, duke përfshirë edhe heqjen dorë nga Ligji i të Mirave Detare që mundëson konfiskimin e paligjshëm të tokës në Ulqin, dukuri që në mënyrë disproporcionale dhe diskriminuese prek këtë komunë në krahasim me të gjitha komunat tjera bregdetare të Malit të Zi;
7. Braktisje e menjëhershme e planit per konfiskim të pronës private në qytezën Martinaj ku shteti planifikon ndërtimin e një kishë ortodokse në mesin e një popullsie 100% shqiptare dhe përkatësi fetare muslimane;
8. Krijim dhe sponsorizim të programeve qeveritare për të edukuar shumicën për kontributet e rëndësishme që Shqiptarët i sjellin vendit, duke përfshirë diversitetin, historinë e pasur, dhe etikën e aftësitë e pakontestueshme në punë – karakteristika të cilat jo që nuk cënojnë por ndihmojnë ndërtimin e shtetit të së drejtës;

Diaspora Shqiptaro-Amerikane nuk do të tolerojë vazhdimin e sjedhjeve diskriminuese dhe zotohet se do të denoncojë taktikat abuzive të qeverisë malazeze pranë të gjitha institucioneve ndërkombëtare për të provuar me fakte se Mali i Zi nuk ka vend në Europën demokratike përderisa qytetarëve shqiptarë nuk u sigurohen të drejtat themelore që vazhdojnë t’u mohohen.

Organizatoret e protestes;
_Fondacioni ‘’Plave Guci’’-New York
_Shoqata Atdhetare ‘’Malesia e Madhe’’-Detroit
_Shoqata Atdhetare’’ Ana e Malit’’-New york
_Fondacioni ‘’Ded Gjon Luli’’-New york
_Fondacioni ‘’Dom Simon Filipaj’’-New York
_Fondacioni humanitar ‘’Malesia’’-New York
_Shoqata Atdhetare ‘’Kraja’’-New York
_Shoqata Atdhetare ‘’Ulqini ‘’-New York