“Ata që do të hiqnin dorë nga Liria thelbësore, për të blerë një Siguri të vogël të përkohshme, ata nuk meritojnë as Lirinë dhe as Sigurinë.” Benjamin Franklin, 1755
Me themelimin e Komunës urbane të Tuzit në vitin 2006, spektri politik në Malësi u nda në dy fraksione. Në njërën anë, si projektues i kësaj komunë urbane ishte partia e kryeministrit Djukanovic (DPS) dhe e përkrahur nga Partia Boshnjake dhe një parti shqiptare, Unionit Demokratik i Shqiptarëve (UDSH). Kjo formë vetëqeverisje lokale e cila në fakt nuk përmban asnjë shtyllë nga bazat e vetëqeverisjes, u themelua dhe u përkrah nga subjektet e lartpërmendura si një zgjedhje e përkohshme e cila do ti paraprinte formimit të Komunës. Megjithatë, edhe tetë vite më vonë ajo mbet si e tillë e shoqëruar me dhjetëra premtime por edhe me oferta të reja, gjithmonë në interes të DPS-së. Në anën tjetër ishin pozicionuar forca politike të cilat kundërshtuan Komunën urbane, e të cilat në zgjedhjet e vitit 2006 dolën si kundërkandidat i DPS-së dhe projektit të tyre, dhe si të tillë arritën të marrin pushtetin në KU Tuz. Pikënisja dhe fundamenti i fushatës së këtyre forcave ishte Komuna e Malësisë, ashtu si çdo komunë tjetër në këtë shtet. Në fakt, për ato katër vite sa fituan mandatin, forcat politike pro-komunë, arritën asgjë më shumë por bene legjitimizimin e asaj që e kundërshtuan.
Katër vite më vonë, para zgjedhjeve lokale të vitit 2010 ngjanë vazhdimësia e të njëjtës “luftë” politikë, por që subjektet shqiptare; blloku pro-komunë i ngarkuar nga mosrealizimi i premtimeve, përçarjes dhe krijimi i subjekteve të reja politike edhe ashtu të tepërta, ndikuan dukshëm në humbjen e peshës që rezultoi në dobësimin e elektoratit shqiptarë. Situata e krijuar drejtpërsëdrejti i shkoi në ndihmë DPS-së në realizimin e qëllimeve të veta duke i lehtësuar rrugën e manipulimeve, blerjen e votave, presionit e kushtëzimeve të ndryshme.
Blloku i subjekteve pro-komunë në luftë të vazhdueshme me vetvete për interesa të ngushta partiake e personale (afat shkurte), humbi mundësinë të jetë faktor në të cilin do të mbështetet elektorati shqiptarë.
Krijimi i një koalicioni shqiptarë (pro-komunë) i cili do ti konkurronte koalicionit DPS, Partia Boshnjake dhe UDSH ishte një mision i komplikuar, nga vetë fakti se synimi primarë ishte se kush nga ato subjekte do të renditet më lart në listë zgjedhore, e që në atë mënyrë të siguroj një pozitë më shumë në opozitë (pakicë).
Në rrethana dhe terren të tillë, formimi i koalicionit pro-komunë i renditi ata në opozitë …
Koalicioni tjetër i DPS-së, Partisë Boshnjake dhe UDSH-së lehtësisht dhe bindshëm fitoi shumicën.
Sot gjendemi në prag të zgjedhjeve lokale të radhës, zgjedhje të cilat subjektet shqiptare i gjënë në situatë edhe më të rënduar. Të ngarkuar me probleme të brendshme, të përçarë dhe politikisht të konsumuar deri në palcë.
Blloku pro-komunë vetvetes i ka shkurtuar mundësinë që në zgjedhje të dalin si kundër-kandidat serioz i DPS-së por edhe mundësinë e identifikimit si bllok pro-komunë. Si rezultat i politikëbërjes së tyre, ato sot nuk kanë një shtyllë ku të mbështeten, nuk kanë një ofertë për votuesin, realisht nuk kanë një bazë për fushatë zgjedhore.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012 dy koalicionet shqiptare, pjesë e të cilave janë të gjitha subjektet politike pro-komunë u bënë pjesë e pushtetit qendror të udhëhequr nga DPS. Ato u bënë pjesë e atij pushtetit (drejtpërsëdrejti apo përmes partnerit të koalicionit) pa asnjë kontratë apo kushtëzim konkret në interes të qytetarëve të Malësisë, gjë e cila atyre u merr të drejtën e paraqitjes si kundër-kandidat real i politikës diskriminuese të DPS-së ndaj Malësisë dhe shqiptarëve në përgjithësi.
Një tjetër eksperiment i DPS-së, ai i një statusi tjetër unik dhe jolegjitim, Komuna e Kryeqytetit, e cila Malësinë përsëri do ta linte në kuadër të Podgoricës, ishte një lojë e DPS-së në të cilën subjektet politike shqiptare pranuan të futën. Ato zhvilluan negociata, e disa nga ato edhe e pranuan si të tillë apo pjesërisht, një projekt që nënkupton më pak se minimalja. Kalimi apo moskalimi i këtij projekti gjithsesi ishte në interes të DPS-së. Është tejet joserioze qasja e përfaqësuesve politik në lidhje me Komunën, çështje e cila opinionit i prezantohet si kulmi dhe zgjedhja e problemeve, e në fakt ajo është vetëm një e drejtë themelore e qytetarëve dhe ajo në asnjë mënyrë nuk i jep askujt të drejtën të bisedohet për diçka më pak.
Mosrealizimi i komunës së Malësisë ishte kërcënuar me dalje nga pushteti qendror dhe bojkot të zgjedhjeve, megjithatë edhe një herë u dëshmua se interesi nxënë vendin e parë.
Subjektet shqiptare me politikën e tyre destruktive, të pavendosur e në mungesë të përgjegjësisë dhe sinqeritetit shkatërruan elektoratin shqiptarë. Humbja e zgjedhjeve të ashtuquajturit bllokut shqiptarë pro-komunë është e siguruar dhe lufta e vetme që ato bëjnë është se kush do të fitojnë një vend më shumë në opozitë. Përderisa UDSH-ja ashtu si edhe viteve tjera pozitën e fiton duke ju mbështetur DPS-së dhe boshnjakëve, shpresa për një shumicë shqiptare është pothuaj çështje e mbyllur.
Duhet theksuar se fitorja e shumicës në një institucion invalid siç është Komuna urbane nuk ka ndonjë peshë, por arritja që atë ta udhëheqin subjekte malazeze e boshnjake në një vend me shumicë shqiptare, është një humbje e madhe, përgjegjësi e cila u bie të gjitha subjekteve shqiptare.
Elektorati shqiptarë asnjëherë nuk kishte më shumë arsye të ndjehet i braktisur kurse DPS-ja asnjëherë më lehtë ti manipulojë e ti nënçmoj ata me blerje të votës me një çmim tepër të ulët.
Në këto rrethana, votuesi shqiptarë ka disa opsione;
1. të shesin votën e vet dhe fytyrën e familjes për një çmim të lirë, duke ia dhene voten DPS-it
2. të votojë subjektet shqiptare për tu siguruar atyre dhe vetëm atyre një karrigë për tu bërë vetëm opozitë në Malësi ku jemi si popull me shumicë shqiptare! pra, në një institucion invalid, ose
3. ti ndëshkojë partitë nacionale duke i bojkotuar zgjedhjet.
Edhe pse subjektet shqiptare në Malësi vetëm nga viti 2006 duke krahasuar me zgjedhjet parlamentare e lokale të 2009,. 2010., dhe 2012 janë ndëshkuar për faktin se kanë humbë rreth
50 % të votave, ato vetëkënqen vetëm me faktin se janë “në ballë të kombit!” pavarësisht rezultateve katastrofike të tyre, ku çdo herë u zvogëlohet elektorati që i voton, dhe çdo herë atij elektoratit ia lëne fajin se pse nuk u dha votën atyre.
Duke u nisë nga këto fakte dhe realiteti që DPS e ka siguruar tashmë fitoren, jo se ne e duam atë, por, partitë nacionale i kanë hap shtigjet asaj për të gërrye indin malësor deri ne palcë, dhe kështu, tash për tash fitorja më e madhe do të ishte për votuesin shqiptar ti ndëshkonte partitë nacionale që mos të fitojnë asnjë mandat/karrigë. Sepse vetëm kështu Malësia do të përjetonte një këndellje kurse ato parti një katarzë më së të nevojshme me ç’rast do të hapej rruga për profilim të ri të skenës politike shqiptare në Malësi.
Robert Gj. Ivezaj, politolog
student i Master “Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci”