Kumtesë e Lidhjes Demokratike

photo 1Sot, një delegacion të LDneMZ e priti në Prishtinë kryeministri kosovar z. Hashin Thaçi. Në këtë delegacion ishin perfaqësuesit e degëve të Plavë-Gucisë dhe Malësisë, zotërinjtë Tahir Gjonbalaj,  Nikollë Camaj, Sadri Balidemaj, Ahmet Gjonbalaj si dhe Naser Ulaj. Në takim mori pjesë edhe zv. Kryeministri kosovar z. Hajredin Kuçi. Ishte ky një takim i ngrohtë vëllazëror, me ç’rast u diskutua për shumë çështje të cilat e rëndojnë statusin e shqiptarëve në Mal të Zi. Temë qendrore edhe e këtij takimi ishte çështja e komunës së Malësisë dhe zgjedhjet lokale të 25 majt. Duke na siguruar se çdo herë dyertë e kryeministrit të Kosovës do të jenë të hapura per shqiptarët jashtë Kosovës, kryeministri Thaçi tha se çështja e Malësisë nuk do të largohet nga agjenda e bisedimeve me palën malazeze derisa të zgjidhet plotësisht, duke garantuar se angazhimet në këtë drejtim do të intensifikohen dhe duke e vlerësuar zvarritjen e mëtutjeshme si të papranueshme.  Kryeministrit iu vu në dijeni politika perçarëse e partisë në pushtet dhe sjellja servile e disa subjektve politike me prefiks nacional shqiptar. Po ashtu u fol edhe për shkollimin e lartë, për çka Kryeministri garantoi se Kosova edhe tutje do të vazhdojë të ndihmojë shqiptarët nga trojet etnike, duke siguruar kuota edhe për shqiptarët e Malit të Zi. Vend të rëndësishëm në këtë takim zuri edhe çështja e ndërtimit të rrugës Plavë- Deçan, per çka kryeministri garantoi se mjetet financiale janë siguruar dhe se ka gadishmëri të plotë, por duhet zgjedhur korridori më i pershtatshëm. Kryeministrit Thaçi iu vunë në dijeni edhe padrejtësitë e tjera ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, si e drejta në punësim e përfaqësim, pastaj në shkollim dhe investime, duke kërkuar përkrahje edhe më të madhe në të ardhmen.

Zyrja informative e LD

photo 2photo 1