Funksionari i LDnëMZ Nikollë Camaj deklaroi për Kodex se është i kënaqur me suksesin që ka arritur partia e tij ne zgjedhjet e fundit lokale në Tuz.
“Kishim një mandat, e tani kemi tre. Sikur të kishin pasur të njëjtin progres edhe ata që na patën parashikuar se nuk do të arrijmë të marrim një mandat, sot sigurisht do të kishim arsye për të festuar”, tha Camaj.
“Meqenëse zgjedhjet i ka fituar koalicioni i cili haptazi pranon se i blen votat (Fadil Kajoshaj, televizionit shqiptar Top Channel), koalicioni i cili nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e dhëna votuesve të vet, koalicioni i cili nuk bën asnjë ditë fushatë parazgjedhore, atëherë është e qartë se vend për kënaqësi nuk ka“ deklaroi Camaj
Zgjedhjet për Komunën Urbane të Tuzit i ka fituar Koalicioni DPS-UDSH-PB-LISTA PËR TUZ që ka fituar 13 mandate.
Camaj thotë se ky koalicion i panatyrshëm ka homogjenizuar njërën palë, dhe për fitoren e tyre nuk vlen të shpenzohen fjalë.
“Vetëm mund të përsëris se për fitoren e tyre, komentin më të mirë e ka dhënë Fadil Kajoshaj (UDSH), i cili tha se iu bashkëngjit koalicionit që blen vota. Edhe pse kjo është një deklaratë e pashembullt, unë mendoj se ajo përmban thelbin e fitoreve të DPS-it “ deklaroi Camaj.
Në zgjedhjet lokale të 25 majit, Lidhja Demokratike ka fituar 3 mandate në Kuvendin e Komunës urbane të Tuzit.
Funksionari i kësaj parti, Nikollë Camaj ishte kundër një komunë në kuadër të kryeqytetit.
LDnëMZ në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2012 ishte pjesë e listës Koalicioni Shqiptar e udhëhequr nga Partia Demokratike e Fatmir Gjekës, koalicion i cili nënshkroi marrëveshje për mbështetje të shumicës parlamentare të udhëhequr nga DPS. /MALESIA.ORG/