Tuz, Malësi (08/06/2014) – U zhvillua sot rivotimi i zgjedhjeve lokale në dy vendvotime në Dinoshë dhe një në Kojë.
Komisioni Zgjedhor i Kryeqytetit kishte pru vendimin për përsëritjen e zgjedhjeve në tre vende votimi për Komunën urbane të Tuzit, të zgjedhjeve lokale të mbajtura me 25 maj.
Jozyrtarisht mësojmë se partia SNP, të cilës në zgjedhjet e 25 majit i munguan 15 vota për të fituar një mandat, ka fituar mandatin në zgjedhjet e ripërsëritura në Dinoshë dhe Kojë ku kishin të drejtë vote 1100 votues.
Sipas këtij rezultati, Koalicioni për Tuzin Evropian (DPS-UDSH-PB-Lista për Tuz) nga 13 mandate bien në 12 mandate, por që gjithnjë i siguron shumicën absolute në Kuvendin e Komunës urbane të Tuzit.
Në përbërjen e re të Kuvendit të KU Tuz, do të përfaqësohen edhe Koalicioni Shqiptar (ASH-IQ) me 4 mandate, Lidhja Demokratike në Mal të Zi me 3 mandate dhe koalicioni SDP-Pozitivna 2 mandate. /MALESIA.ORG/